Shqiptari i dyshuar për grabitjen në rezidencën e William dhe Kate, raportohet se hyri ilegalisht tri herë në Britani
Një nga të dyshuarit për grabitjen e rezidencës së fshatit të Princit dhe Princeshës së Uellsit, William dhe Kate, dyshohet se është një emigrant që ka hyrë në Britani me gomone, duke kaluar Kanalin Anglez. Sipas pretendimeve, ai kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar të paktën tri herë gjatë katër viteve të fundit. Arilen Ndoci,…
Bota
Një nga të dyshuarit për grabitjen e rezidencës së fshatit të Princit dhe Princeshës së Uellsit, William dhe Kate, dyshohet se është një emigrant që ka hyrë në Britani me gomone, duke kaluar Kanalin Anglez.
Sipas pretendimeve, ai kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar të paktën tri herë gjatë katër viteve të fundit.
Arilen Ndoci, 32 vjeç, dyshohet se ka mbërritur në Britani jo vetëm me gomone përmes Kanalit Anglez, por edhe në një rast tjetër përmes një udhëtimi ajror.
Sipas Daily Mail, ai dhe bashkëkombësi i tij, Mirgen Doku, 34 vjeç, akuzohen për hyrjen me forcë në rezidencën Anmer Hall, në Norfolk, nga ku dyshohet se kanë vjedhur gjashtë palë mansheta dhe një orë.
Ministria e Brendshme britanike i ka cilësuar të dy personat si emigrantë që qëndronin ilegalisht në vend dhe nuk kishin status të rregullt imigracioni.
Sipas raportimeve, hyrja e tyre e fundit në Britani kishte ndodhur rreth gjashtë muaj para grabitjes së pretenduar.
Policia u thirr në rezidencën Anmer Hall, e cila ndodhet në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk, pak para orës 18:00 të së hënës, pas raportimeve për lëvizje të dyshimta në zonë. Dy të dyshuarit u arrestuan në afërsi të pronës, transmeton Klankosova.tv.
Në momentin e ngjarjes, Princi William, Princesha Catherine dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në rezidencën e tyre kryesore në Windsor.
Ndoci dhe Doku u paraqitën dje para Gjykatës së Magjistraturës në Norwich, ku u ngarkuan me akuzat për vjedhje me thyerje dhe hyrje të paautorizuar në një objekt të mbrojtur.