Tregtia Kosovë–Shqipëri kalon 407 milionë euro, çfarë po eksporton më shumë Kosova?

Marrëdhëniet ekonomike e tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht trendeve pozitive në tregti, konsiderohet se ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes këtyre dy vendeve. Ndonëse afaristët nga të dyja anët kanë shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit, por lidhjet ekonomike vazhdojnë të kufizohen kryesisht në shkëmbimin e mallrave, pa u shndërruar në një…

Lajme

28/11/2026 08:12

Marrëdhëniet ekonomike e tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pavarësisht trendeve pozitive në tregti, konsiderohet se ende nuk ka marrëdhënie ekonomike të kënaqshme mes këtyre dy vendeve.

Ndonëse afaristët nga të dyja anët kanë shprehur gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit, por lidhjet ekonomike vazhdojnë të kufizohen kryesisht në shkëmbimin e mallrave, pa u shndërruar në një partneritet më të fortë ekonomik.

Kosova ka eksportuar drejt Shqipërisë mallra në vlerë prej 182 milionë eurosh gjatë 10 muajve të parë të vitit 2026, duke shënuar rritje prej 39.3% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pa përfshirë shërbimet, raporton KosovaPress.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, importet nga Shqipëria gjatë periudhës janar–tetor 2026 kanë arritur në 225.2 milionë euro, krahasuar me 243 milionë euro me të njëjtën periudhë të vitit 2025 dhe 281.3 milionë euro në muajt janar -tetor 2024.

Ndërkaq, eksportet e Kosovës drejt Shqipërisë kanë arritur në 182 milionë euro, nga 130.7 milionë euro sa ishin më 2025 dhe 136 milionë euro më 2024 krahasuar me muajt përkatës.

Vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare ndërmjet dy vendeve gjatë 10-mujorit të këtij viti ka arritur në 407.3 milionë euro, krahasuar me 373.7 milionë euro më 2025 dhe 417.3 milionë euro më 2024 (periudha janar-tetor).

Ngushtohet ndjeshëm deficiti tregtar

Rritja e eksporteve dhe rënia e importeve kanë ndikuar në përmirësimin e bilancit tregtar të Kosovës me Shqipërinë.

Deficiti tregtar gjatë periudhës janar–tetor ka zbritur nga 145.3 milionë euro më 2024 dhe 112.3 milionë euro më 2025, në 43.2 milionë euro më 2026.

Mbulueshmëria e importeve me eksporte ka arritur në 80.8%, krahasuar me 53.8% më 2025 dhe 48.3% më 2024.

Çfarë importon më së shumti Kosova nga Shqipëria?

Energjia elektrike kryeson listën e produkteve të importuara nga Shqipëria gjatë 10 muajve të parë të këtij viti, me një vlerë prej 69.5 milionë eurosh.

Pas saj renditen çimentoja Portland me 40.9 milionë euro, panelet izoluese me 8.8 milionë euro, bitumi i naftës me 5.7 milionë euro, uji mineral me 5.7 milionë euro dhe profilet e aluminit me 4.9 milionë euro.

Ndër produktet më të importuara janë gjithashtu produktet e furrtarisë, domatet, shalqinjtë dhe preparatet për fasada e mure.

Çfarë eksporton Kosova drejt Shqipërisë?

Edhe në eksportet kosovare drejt Shqipërisë dominon energjia elektrike, me një vlerë prej 59.5 milionë eurosh, krahasuar me 25.3 milionë euro më 2025 dhe 26.3 milionë euro më 2024.

Pas energjisë elektrike renditen pijet freskuese me 11.3 milionë euro, skrapi i aluminit me 8.9 milionë euro, birra me 7.1 milionë euro, gjedhet me 5.6 milionë euro dhe dyshekët me rreth 3 milionë euro.

Në mesin e mallrave më të eksportuara janë edhe produktet plastike, tubat metalikë, panelet izoluese dhe mielli i grurit.

Krahasimi i të dhënave për 10-mujorin e 3 viteve tregon se Kosova ka zvogëluar deficitin tregtar me Shqipërinë për mbi 70% krahasuar me vitin 2024, ndërsa eksportet kanë shënuar rritje prej rreth 34%.

Ndërkohë, Kosova po vazhdon të thellojë varësinë e saj nga mallrat e importuara të përgjithshme me rajonin, Evropën dhe Botën, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel të lartë. Kosova ka importuar mallra të përgjithshme nga bota dhe rajoni në vlerë prej mbi 6.3 miliardë eurosh gjatë periudhës janar–tetor 2026, ndërsa eksportet arritën në 960 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, importi shënoi rritje prej 8.5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, kur vlera e mallrave të importuara ishte 5.81 miliardë euro.