Vendimi për Ramadan Mujën shtyhet për mars

Gjykata në Prizren ka shtyrë për muaj mars shpalljen e verdiktit për Ramadan Mujën dhe 5 drejtorët e tij, të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për shkak të obligimeve, siç u tha të Kolegjit, u vendos që vendim të shtyhet për 13-14 mars.

Lajme

25/02/2014 12:27

Është shtyrë për muajin e ardhshëm verdikti i procesit gjyqësor për Kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja dhe pesë drejtorët e tij.

Të njëjtët kanë pasur të rrëfehen sot për herë të fundit para gjykatës, por për shkak të obligimeve siç u tha të kolegjit penal, u vendos që procesi të shtyhet për datat 14-15 mars,raporton Prizren Press.

Gjyqtari Vladimir Mikula paralajmëroi vazhdimin e dy seancave me 27 shkurt dhe 13 mars, ndërkohë theksoi se aktgjykimi ndaj zyrtarëve komunalë të Prizrenit në krye me kryetarin Ramadan Muja, e të cilët akuzohen nga EULEX-i për shpërdorim të detyrës zyrtare, pritet të shpallet me 14 mars.

Muja dhe drejtorët e tij, nga Prokuroria e EULEX’it janë akuzuar për shpërdorim të detyrës dhe autorizimeve zyrtare.

Për një vit rresht, numri një i Prizrenit është përballur me procesin gjyqësor të ngritur nga EULEX’i.

Muja në seancat gjyqësore ka deklaruar se është i pafajshëm, ndonëse ka pranuar se ka bërë shkelje procedurale në dy raste, atë të caktimit të ndërtimit të Fabrikës së Çokollatës “Kamila” dhe shkollës “Mehmet Akif”.

Kryetari i trupit gjykues, Vladimir Mikula, që nga 25 marsi i vitit të kaluar ka udhëhequr procesin gjyqësor ndaj zyrtarëve të lartë të Komunës së Prizrenit në seancat e mbajtura gjatë javës së kaluar, në dy raste ka përmendur 27 shkurtin si datë të mundshme për shpalljen e aktgjykimit.

“Nëse çdo gjë shkon si duhet dhe nuk ndodhë diçka e paparashikueshme,mendoj se aktgjykimin mund ta shpallim në mëngjesin e 27 shkurtit”, ka thënë Mikula.

Ndryshe, Prokurorja e EULEX’it, Natasha Vicary, akuzon Kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, Sadik Paçarizin – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Ademajn – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimerin – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejecin – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqin – drejtor i Administratës, për kryerjen e veprave penale gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.