Vendimi i Abdixhikut për pezullimin e negociatave me LVV-në, çfarë pasojash mund të ketë për formimin e institucioneve të reja
Vendimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për pezullimin e negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve, pas vendimit për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së për votëbesim ndaj tij, po vlerësohet në mënyra të ndryshme nga njohësit e zhvillimeve politike. Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu,…
Lajme
Vendimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për pezullimin e negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve, pas vendimit për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së për votëbesim ndaj tij, po vlerësohet në mënyra të ndryshme nga njohësit e zhvillimeve politike.
Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, vlerëson se pezullimi i negociatave mes LDK-së dhe LVV-së është një zhvillim me pasoja të ndjeshme për partinë që drejton Lumir Abdixhiku. Sipas tij, përplasjet e brendshme në LDK kanë ndikuar në prishjen e një procesi që mund të çonte drejt një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve.
Baraliu thotë se LDK-ja, si një subjekt me traditë të gjatë institucionale, duhet të ruajë stabilitetin e brendshëm dhe unitetin politik, pasi debatet e brendshme dhe grupimet e ndryshme mund të dëmtojnë rolin e saj në skenën politike.
Ai shton se takimet e para mes drejtuesve të LDK-së dhe LVV-së kishin treguar një gatishmëri për dialog dhe për të gjetur një kompromis edhe për çështjen e presidentit.
“Mendoj se është diçka jashtëzakonisht e dëmshme për vetë LDK-në, që është një subjekt historik për nga rëndësia dhe aktiviteti institucional. Një parti institucionaliste që ka dhënë kontributin e vet në dekada. Gatishmëria që pati udhëheqësi i kësaj partie në bisedën e parë që pati me kryetarin e LVV-së, tregon se kishte një gatishmëri për të gjetur një çelës të një marrëveshjeje mbase gjithëpërfshirëse për presidentin dhe për bashkëqeverisje. Ndërkohë, vlimet e brendshme dhe grupimet, interesat e ndryshme dhe veprimet konceptualisht dalluese brenda grupeve të caktuara, mos edhe ndikimet nga jashtë brenda këtij subjekti, kanë bërë që tani të ketë një situatë ku detyrohet, për hir të respektimit të statutit, kryetari i kësaj partie që të deklarohej se pezullohen çfarëdo forme kontakti dhe bisede lidhur me bashkëqeverisje dhe eventualisht gjetjen e konsensusit për presidentin”, deklaron ai.
Ndërkaq, analisti politik Adrian Zeqiri vlerëson se një marrëveshje eventuale mes LDK-së dhe LVV-së do të ishte një sfidë e madhe për LDK-në, duke marrë parasysh raportin aktual të forcave politike në Kuvend.
Sipas tij, një parti që do të hynte në një koalicion qeverisës me LVV-në në rrethanat aktuale do të kishte vështirësi për të ushtruar ndikim real në vendimmarrje, pasi fuqia kryesore politike do të mbetej te LVV-ja për shkak të shumicës parlamentare.
Zeqiri thekson se marrja e posteve ministrore pa një peshë të konsiderueshme parlamentare mund të shndërrohet në një përgjegjësi politike për çdo subjekt që do të bëhej pjesë e qeverisë, pasi rrezikon të bartë koston e vendimeve qeverisëse pa pasur ndikim të mjaftueshëm në to.
“Jo vetëm LDK-ja, por kushdo që hyn në qeveri me LVV-në në këto momente dhe me këta numra nuk ka asnjë pushtet. Mund të jetë nominalisht i emëruar prej LDK-së, por nuk ka pushtet si parti. Zoti Kurti e ka shumicën qeverisëse dhe kurdo ai mund të bënte ekzibicione që i ka bërë në të kaluarën, i bën tash dhe në të ardhmen. Ekzibicione të ndryshme duke shkarkuar ministra apo shpërfillur ata e kështu me radhë. Nuk fiton asnjë parti që futet në koalicion qeverisës me LVV-në. Ajo është e determinuar që në një afat të mesëm të pësojë në mënyrë katastrofale prej LVV-së. LVV-ja s’ka asnjë nevojë për asnjë parti politike. Ndërkaq, çështja opsionale është posti i presidentit, ku nevojitet një konsensus. Dhënia e posteve ministrore kur një parti politike s’ka peshë elektorale sa i përket numrave është pozicion i rrezikshëm për çfarëdo partie politike”, thekson Zeqiri.
Pezullimi i negociatave me Lëvizjen Vetëvendosje vjen në një periudhë të tensionuar për LDK-në, e cila po përballet me debate të brendshme rreth qëndrimit politik të partisë dhe mënyrës së veprimit pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Më 15 korrik u dorëzuan rreth 150 nënshkrime të delegatëve të LDK-së për thirrjen e Kuvendit të kësaj partie për votëbesimin ndaj Abdixhikut. Në arsyetimin e shkresës së LDK-së ishin edhe, siç thuhet, rezultatet e dobëta në tri palë zgjedhjet e fundit të kësaj partie.
Krahas këtij procesi në LDK, lideri i LVV-së, njëherësh kryeministër në detyrë, Albin Kurti, më 10 korrik është takuar ndaras me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për të diskutuar për formimin e institucioneve të reja. Ani pse nuk pati ndonjë marrëveshje, sipas Kurtit, takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Këto takime erdhën pasi KQZ-ja certifikoi rezultatin e zgjedhjeve më 8 korrik. Nga këto zgjedhje, parti e parë ka dalë Lëvizja Vetëvendosje me 47.13%, apo 53 ulëse në Kuvend. E dyta, Partia Demokratike e Kosovës, me 19.44%, apo 22 deputetë. Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, me 16.69%, ka fituar 18 ulëse, si dhe Aleanca, me 6.74%, shtatë ulëse. Kurse komunitetet joshumicë kanë siguruar 20 ulëse.