Arrestohet në Prishtinë i dyshuari për organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Rasti është zbuluar pas një hetimi të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, lidhur me dyshimet për veprimtari të…

Lajme

03/09/2026 23:32

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.

Rasti është zbuluar pas një hetimi të zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, lidhur me dyshimet për veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit, transmeton lajmi.net.

Sipas Policisë, gjatë hetimeve dhe grumbullimit të provave materiale është identifikuar një i dyshuar, shtetas kosovar, ndaj të cilit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se merrej me veprimtari të kundërligjshme që lidhen me organizimin e skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, vepër e paraparë me nenin 294 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më 3 shtator 2026 është lëshuar urdhëresë për kontroll të vendbanimeve të të dyshuarit. Gjatë realizimit të urdhëresës, njësitë policore kanë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarin, ndërsa kanë kontrolluar edhe dy lokacione në pronësi të tij në Prishtinë.

Gjatë kontrolleve, Policia ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme të provave materiale që dyshohet se ndërlidhen me rastin.

Mes dëshmive të sekuestruara janë:

  • 41 mijë e 655 euro para të gatshme;
  • 20 franga zvicerane;
  • dy telefona;
  • një USB;
  • një laptop;
  • 10 vula të ndryshme;
  • 49 kartela gërvishtëse;
  • një veturë;
  • dëshmi të tjera materiale që lidhen me rastin.

Pas përfundimit të procedurave të parapara ligjore, i dyshuari, me vendim të prokurorit të çështjes, është dërguar në ndalim për 48 orë.

Hetimet për rastin po vazhdojnë nga organet kompetente./lajmi.net/