Vajzat U17: Kosova pëson humbje nga Republika e Irlandës

Vajzat e Kombëtares së Kosovës U17 kanë pasur një ballafaqim të vështirë kundër Kombëtares së Republikës së Irlandës në kuadër të ndeshjeve parakualifikuese të raundit të dytë të Ligës A – Grupi 5 për Euro 2023. Pjesa e parë e ndeshjes kaloi në një mbizotërim të vajzave irlandeze, të cilat shënuan tri herë dhe dy…

Sport

24/03/2023 09:27

Vajzat e Kombëtares së Kosovës U17 kanë pasur një ballafaqim të vështirë kundër Kombëtares së Republikës së Irlandës në kuadër të ndeshjeve parakualifikuese të raundit të dytë të Ligës A – Grupi 5 për Euro 2023.

Pjesa e parë e ndeshjes kaloi në një mbizotërim të vajzave irlandeze, të cilat shënuan tri herë dhe dy herë qëlluan shtyllat e portës së Spahiut. Vajzat tona me gjithë angazhimin dhe përpjekjet për të bërë diçka më shumë nuk arritën të ndryshojnë rezultatin dhe në pushim shkuan me epërsi të irlandezeve 3:0. Pjesa e dytë nuk solli gola, ndonëse Kombëtarja irlandeze ishte më e mirë, por Dardanet mbyllën çdo depërtim drejt zonës, e herë herë u orvatën të bëjnë më shumë për ta zbutur humbjen. Ky ekip kombëtar i Kosovës pa dyshim që ka perspektiv, por nevojitet shumë punë nëpër klube për ta ndryshuar e përmirësuar lojën e tyre.

Sanije Krasniqi, përzgjedhëse: Ishim plotësisht të vetëdijshme që përballë kemi një Kombëtare të fortë dhe shumë cilësore. Unë përgëzoj vajzat për angazhim. Kishim të bënim me një Kombëtare të përgatitur mirë fizikisht dhe natyrisht edhe teknikisht. Ne u përpoqëm që të japim maksimumin që të parandalojmë sulmet e tyre. Këtë ia arritëm në pjesën e dytë por jo mjaftueshëm që ta zbusim humbjen. Tash duhet të mendojmë për ndeshjet e radhës./Lajmi.net/