Uran Ismaili: VV po krijon krizë të qëllimshme për të imponuar President partiak

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar ashpër lidhur me procesin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e një krize institucionale të qëllimshme. Në një postim në rrjetet sociale, Ismaili ka theksuar se PDK ka marrë pjesë aktivisht në dialog, ka mbështetur një kandidat nga familja…

Lajme

04/03/2026 19:45

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka reaguar ashpër lidhur me procesin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e një krize institucionale të qëllimshme.

Në një postim në rrjetet sociale, Ismaili ka theksuar se PDK ka marrë pjesë aktivisht në dialog, ka mbështetur një kandidat nga familja Jashari dhe ka qenë e gatshme për marrëveshje në interes të stabilitetit dhe balancës institucionale, raporton lajmi.net

“Por shumica parlamentare zgjodhi rrugën tjetër: kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, pa marrëveshje me askënd,” ka shkruar Ismaili, duke shtuar se VV është e vetmja parti me numrat e nevojshëm për të propozuar kandidatë, por po e përdor këtë për të ushtruar presion politik dhe për të imponuar një President partiak.

Postimi i tij i plotë:

Rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit u pranua nga të gjithë dhe Kuvendi e Qeveria u formuan në kohë.
Kur erdhi radha për zgjedhjen e Presidentit, PDK nuk i iku përgjegjësisë. Ne iu përgjigjëm ftesave për dialog, mbështetëm një kandidat nga familja Jashari dhe u treguam të hapur për një marrëveshje në interes të stabilitetit dhe baraspeshës institucionale.
Por shumica parlamentare zgjodhi rrugën tjetër: kandidatë nga Lëvizja Vetëvendosje, pa marrëveshje me askënd.
Sot është e qartë se Lëvizja Vetëvendosje po e shtyn vendin drejt një krize të qëllimshme politike. Madje, tani po shmang edhe thirrjen e seancës për zgjedhjen e Presidentit, me arsyetime procedurale që nuk qëndrojnë.
E vërteta është e thjeshtë: Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja parti që i ka numrat për të propozuar kandidatë, por po krijon një krizë institucionale të qëllimshme.
Kjo është një përpjekje për të ushtruar presion ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre, me qëllim që të imponohet një President partiak dhe të vendoset kontroll i plotë mbi institucionet e Kosovës.
Në të njëjtën kohë, kjo qasje e Lëvizjes Vetëvendosje rrezikon ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke e përdorur krizën institucionale si mjet për kalkulime të ngushta politike.
Kosova nuk ka nevojë për kriza artificiale. Kosova ka nevojë për bashkëpunim politik dhe stabilitet institucional, jo për arrogancë të numrave dhe tendenca për dominim./Lajmi.net/