UP-ja fiton një betejë për pronën në zonën e fakulteteve teknike, Gjykata bllokon tjetërsimin e tokës prej 68 ari
Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë sigurie mbi një parcelë prej 68 ari në zonën e fakulteteve teknike, për të cilën prej vitesh janë ngritur pretendime për pronësi. Sipas njoftimit të UP-së, vendimi është marrë më 24 gusht 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, transmeton lajmi.net.…
Lajme
Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masë sigurie mbi një parcelë prej 68 ari në zonën e fakulteteve teknike, për të cilën prej vitesh janë ngritur pretendime për pronësi.
Sipas njoftimit të UP-së, vendimi është marrë më 24 gusht 2026, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, transmeton lajmi.net.
Masa e sigurisë ndalon çdo veprim që mund të çojë në tjetërsimin e pronës, përfshirë shitjen, bartjen, dhurimin, ngarkimin me barrë apo dhënien në shfrytëzim, si dhe ndryshimin e gjendjes faktike të saj.
Universiteti thotë se bëhet fjalë për pronë komunale që është në shfrytëzim të përhershëm të Universitetit të Prishtinës dhe se vendimi i gjykatës përbën një hap të rëndësishëm në mbrojtjen e saj.
“Për Universitetin e Prishtinës, ky është një zhvillim me rëndësi të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftim.
Sipas UP-së, prej vitesh persona privatë kanë paraqitur pretendime mbi pronësinë e kësaj parcele. Universiteti thotë gjithashtu se ndaj tij janë paraqitur kërkesa financiare në vlera milionëshe për pagesën e qirasë për hapësirën që, sipas institucionit, është shfrytëzuar në mënyrë legjitime për veprimtarinë akademike dhe institucionale.
Në njoftim përmendet edhe një aktgjykim i pretenduar i ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë, i datës 27 maj 1998, përmes të cilit pretendohet se prona komunale kishte kaluar në pronësi private dhe më pas ishte bartur te persona të tjerë.
Çështja ishte trajtuar edhe nga Komisioni Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim. Sipas UP-së, në raportin e 14 majit 2024, komisioni kishte evidentuar probleme dhe dyshime lidhur me dokumentacionin dhe historikun e pronës dhe kishte kërkuar trajtimin e rastit nga organet kompetente.
Nga UP-ja kanë thënë se mbrojtja e pronës universitare ka qenë një prej prioriteteve të menaxhmentit aktual.
“Prona publike nuk është pronë pa zot. Ajo i përket publikut. Dhe Universiteti i Prishtinës do ta mbrojë atë pa kompromis”, thuhet në njoftimin e universitetit.
UP-ja ka njoftuar gjithashtu se ka ndërmarrë hapa për rikthimin në funksion të hapësirave të tjera universitare, ndërsa ka vendosur afatin 30 tetor 2026 për personat fizikë dhe juridikë që, sipas universitetit, mbajnë ose shfrytëzojnë pa bazë të qartë juridike hapësira universitare, që t’i lirojnë ato.
Universiteti u ka bërë thirrje edhe qytetarëve, zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve që posedojnë informacione apo dokumente për raste të dyshuara të tjetërsimit, uzurpimit ose keqpërdorimit të pronave universitare që t’ua përcjellin këto të dhëna institucioneve kompetente./lajmi.net/