Trokitja në Portat e Hekurta të Bob Dylan

17:50 | 25 Shtator 2013

Bob Dylan

Ekspozita \”Mood Swings\” do t’i përmbajë shtatë porta të hekurta, të cilat këngëtari legjendar i ka bërë nga përpunimi i hekurit të vjetër. “Përherë kam qenë i fascinuar me saldimin dhe përpunimin e metalit”.

Përveç muzikës, letërsisë dhe filmit, Bob Dylan është duke u sprovuar edhe në hapësirën e pikturës dhe instalacionit.

Ekspozita e veprave nga metali dhe pikturave autoriale të tij do të hapet në Galerinë Halcyon, në Londër, më 16 nëntor.

Mood Swings do të përmbajë shtatë porta të hekurta, të cilat këngëtari legjendar i ka bërë nga përpunimi i hekurit të vjetër, meqë “përherë ka qenë i fascinuar me saldimin dhe përpunimin e metalit”.

“Prej fëmijërisë kam qenë i rrethuar me hekur. Jam lindur dhe rritur në një vend me xehe hekuri, ku era e tij ka mundur të ndjehet çdo ditë. Gjithmonë kam punuar me të – në një formë, apo tjetër”.

“Portat më joshin për shkak të hapësirës negative që krijojnë. Ato mund të jenë të mbyllura, por njëkohësisht lejojnë që erërat dhe puhitë të rrjedhin nëpërmes tyre. Mund t’ju mbyllin brenda ose t’iu lënë jashtë. Dhe, në një aspekt, nuk ka dallim”.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 25 janar 2014. Aty do të prezantohen edhe veprat e Dylan të realizuara me sitë në pëlhurë.

Presidenti i Galerisë Halcyon, Paul Green, është shprehur i ngazëllyer me ngjarjen.

“Kjo ekspozitë do të jetë përmbledhja më e plotë dhe më autoritative e artit të Bob Dylan deri më tash”.

Disa piktura të Dylan janë duke u ekspozuar aktualisht në National Portrait Gallery, në Londër. Ekspozita Bob Dylan: Face Value përmban 12 vepra në pastel, të cilat janë përzierje e personazheve reale dhe atyre fiktive.

A.M.

Bob Dylan: Knockin’ on Heaven’s Door, live në Bologna, 1997.