Kurti në Samitin BE-Ballkani Perëndimor: Kosova e meriton statusin e vendit kandidat, pritja është zgjatur shumë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar në Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor që Kosovës t’i jepet sa më parë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke vlerësuar se procesi është zvarritur për një kohë të gjatë. Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka rikujtuar se në mesin e dhjetorit bëhen katër vjet…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar në Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor që Kosovës t’i jepet sa më parë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke vlerësuar se procesi është zvarritur për një kohë të gjatë.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti ka rikujtuar se në mesin e dhjetorit bëhen katër vjet prej kur Kosova ka dorëzuar zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ai ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë i vetmi shtet në rajon që nuk ka marrë ende statusin e vendit kandidat.
Sipas Kurtit, vendi nuk po kërkon trajtim të veçantë nga institucionet evropiane, por njohjen e rezultateve dhe progresit të arritur në fusha të ndryshme.
Ai ka përmendur avancimin demokratik, zhvillimin ekonomik, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile si dëshmi të përparimit të Kosovës.
“Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm vlerësimin dhe njohjen e progresit të Kosovës në avancimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë civile”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka nënvizuar se dhënia e statusit të kandidatit nuk duhet të shtyhet më tej, pasi sipas tij, momenti aktual paraqet një mundësi që duhet shfrytëzuar për avancimin e procesit të zgjerimit të BE-së.
Ai ka bërë thirrje që gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në këtë proces, duke insistuar se Kosova e meriton të marrë statusin e kandidatit.
Kurti ka shpjeguar gjithashtu se për të nisur procedurat drejt këtij vendimi, Këshilli Evropian duhet fillimisht t’i kërkojë Komisionit Evropian përgatitjen e një opinioni për aplikimin e Kosovës.
Ai ka shprehur shpresën që një kërkesë e tillë të bëhet në takimin e Këshillit Evropian, i planifikuar për 14 dhe 15 dhjetor.
Gjatë adresimit të tij, kryeministri ka falënderuar shtetet anëtare të BE-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në fushën e sigurisë, paqes, demokracisë dhe zhvillimit.
Ai ka përmendur edhe performancën ekonomike të vendit, duke bërë të ditur se rritja ekonomike në gjysmën e parë të vitit 2026 ka arritur në 4.7 për qind të Bruto Produktit Vendor.
Një tjetër çështje që Kurti e ka ngritur para përfaqësuesve evropianë është zbatimi i marrëveshjeve të Procesit të Berlinit. Në veçanti, ai ka kërkuar zbatimin e marrëveshjes për mobilitetin, e cila parasheh lehtësimin e njohjes së diplomave dhe lëvizjen e studentëve e profesionistëve ndërmjet vendeve të rajonit.
Sipas tij, këto marrëveshje janë të rëndësishme për krijimin e mundësive më të mëdha për të rinjtë dhe profesionistët, si dhe për integrimin e tyre në tregun e punës në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në fjalimin e tij, Kurti është ndalur edhe te sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar. Ai ka kërkuar nga Serbia arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit, të cilin e ka cilësuar si përgjegjës kryesor për sulmin në Banjskë, ku në shtator të vitit 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Kryeministri ka thënë se Radoiçiqi dhe grupi i tij prej 44 personash ishin të përfshirë në pritën ndaj policisë së Kosovës, ndërsa ka shprehur pritjen që autoritetet serbe të ndërmarrin hapa për arrestimin e tij.
Në përmbyllje të fjalimit, Kurti ka ritheksuar orientimin evropian të Kosovës, duke përmendur edhe përafrimin e plotë të vendit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Në këtë kontekst, ai ka veçuar vendimin e Kosovës për t’iu bashkuar të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së kundër Federatës Ruse, pas nisjes së agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. /Lajmi.net/