Samiti në Bruksel: BE-ja riafirmon perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, Kosova kërkon statusin e kandidatit
Liderët e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në një samit në Bruksel, i cili shihet si një mundësi tjetër që institucionet e bllokut evropian të riafirmojnë përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura për vendet e rajonit, nëse ato përparojnë në reformat e nevojshme për t’u afruar me strukturat…
Lajme
Liderët e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në një samit në Bruksel, i cili shihet si një mundësi tjetër që institucionet e bllokut evropian të riafirmojnë përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura për vendet e rajonit, nëse ato përparojnë në reformat e nevojshme për t’u afruar me strukturat evropiane.
Mikpritës të këtij takimi janë krerët e institucioneve të BE-së: presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.
Sipas njoftimeve, në samit do të marrin pjesë liderët e pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nga bashkëbiseduesit evropianë do të kërkojë që aplikimi i Kosovës për statusin e vendit kandidat të trajtohet si “çështje urgjente”.
Kosova është vendimi i vetëm në procesin e zgjerimit të BE-së që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat. Ajo e dorëzoi aplikimin në dhjetor të vitit 2022, por BE-ja nuk e ka shqyrtuar asnjëherë, kryesisht për shkak se pesë shtete anëtare nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
“Ne nuk po kërkojmë shpërblim, privilegj apo favor. Po kërkojmë vetëm që të njihet përparimi i Kosovës në zhvillimin demokratik, rritjen ekonomike, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare”, tha Kurti para takimit.
Kurti gjithashtu i bëri thirrje pushtetit të ri në Serbi që ta arrestojë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë në vitin 2023, ku u vra një polic i Kosovës.
“Gjatë mandatit të ish-presidentit të Serbisë, [Aleksandar] Vuçiq, Radoiçiq lëvizte lirshëm nëpër Serbi dhe, në fakt, ishte më i afërt me ish-presidentin Vuçiq sesa vetë pjesëtarët e sigurimit të tij personal”, tha Kurti.
“Shpresojmë që kjo të ndryshojë tani. Ne duhet ta mbrojmë dhe ta ruajmë shoqërinë nga kriminelët”, vlerësoi kryeministri i Kosovës.
Ndërkohë, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, shprehu gatishmërinë e Podgoricës për t’i zgjidhur, siç tha ai, me mirëbesim çështjet e hapura me Kroacinë. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që këto çështje të kalojnë në rrugë ligjore, përkatësisht të dërgohen para një gjykate ndërkombëtare ose në arbitrazh ndërkombëtar.
“Ne nuk po kërkojmë nga Kroacia asgjë më shumë sesa atë që vetë Kroacia e kishte në marrëdhëniet me Slloveninë kur po anëtarësohej në Bashkimin Evropian. Mendoj se argumentet tona në këtë drejtim janë shumë konstruktive”, vlerësoi Millatoviq.
Me këtë, ai iu referua bllokimit nga Sllovenia të negociatave të anëtarësimit të Zagrebit me Brukselin, për shkak të mosmarrëveshjes për kufirin.
Ai rikujtoi se as Kroacia, në kohën e anëtarësimit në BE, nuk e kishte zgjidhur çështjen e kufirit me shtetet fqinje.
“Na lejoni që edhe ne të kemi të drejtën t’i paraqesim argumentet tona dhe ta trajtojmë çështjen e kufirit në tërësi, si në tokë, ashtu edhe në det. Kjo nuk do të thotë se dikujt në Mal të Zi i shkon ndër mend të marrë diçka që i përket Kroacisë. Por, le t’i qasemi kësaj çështjeje së bashku dhe në mënyrë konstruktive, në mënyrë që njëkohësisht ta zgjidhim çështjen e kufirit si në tokë, ashtu edhe në det”, tha Millatoviq.
Para samitit BE-Ballkani Perëndimor, presidenti i Malit të Zi u takua me presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Për shkak të çështjeve të pazgjidhura, përfshirë edhe atë të kufirit, Kroacia për momentin po bllokon mbylljen e përkohshme të tre kapitujve në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi me Brukselin.
Zagrebi ka paraqitur tetë kushte që Mali i Zi duhet t’i përmbushë para anëtarësimit të plotë në BE, ndërsa Podgorica deri më tani ka përmbushur dy prej tyre.
Për shkak të qëndrimit të palëkundur të Zagrebit, Mali i Zi rrezikon të mos e realizojë synimin e tij shtetëror: përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në fund të këtij viti dhe anëtarësimin e plotë në BE gjatë vitit 2028.
Kush nuk po merr pjesë në samit?
I vetmi që ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në samitin e sivjetëm është kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe ushtruesi i detyrës së presidentit, Aleksandar Çupiq. Për këtë arsye, diplomatët e BE-së konsiderojnë se Serbia “me shumë gjasë” nuk do të pajtohet me deklaratën përfundimtare të samitit. Deklaratën e miratojnë liderët e vendeve të BE-së, ndërsa vendet e rajonit ftohen të pajtohen me të.
Kjo është hera e dytë radhazi që Serbia nuk merr pjesë në samitin në Bruksel.
Samitin e dhjetorit të kaluar e bojkotoi presidenti i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për shkak se në negociatat për anëtarësim nuk u hap klasteri 3. Shtetet anëtare të BE-së nuk ishin të bindura se përparimi në fushat kyç, përfshirë sundimin e ligjit, ishte i mjaftueshëm për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit.
Çfarë përmban deklarata përfundimtare?
Liderët evropianë do të riafirmojnë përkushtimin e plotë dhe të pakushtëzuar ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Në draft-deklaratë, zgjerimi përshkruhet si një mundësi reale që duhet shfrytëzuar dhe si investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian.
Vendeve të rajonit u bëhet thirrje që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e çështjeve themelore, dhe të përmbushin obligimet e nevojshme për përparim në rrugën evropiane.
“Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, i bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe të rreptë dhe parimin e meritave individuale, është në interesin tonë të përbashkët”, thuhet në dokument.
Liderët e BE-së pritet të theksojnë edhe rëndësinë e përkushtimit të vendeve të rajonit ndaj vlerave dhe parimeve evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, demokracinë, të drejtat themelore dhe sundimin e ligjit. Pritet që këtë përkushtim vendet e rajonit ta dëshmojnë me veprime konkrete, përkatësisht duke marrë përgjegjësi dhe duke zbatuar reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e çështjeve themelore dhe sundimit të ligjit.
“Madhërimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi historik janë në kundërshtim me vlerat më themelore evropiane. U bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të kultivojnë një kulturë respekti dhe solidariteti me të gjitha viktimat, si dhe të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendore për krimet e luftës”, thuhet në draft-deklaratë.
Aty po ashtu thuhet se nevojiten përpjekje shtesë për pajtim dhe stabilitet në rajon. Këto përpjekje nevojiten për të gjetur zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe të detyrueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe çështjeve dypalëshe.
Në këtë kontekst përmendet zbardhja e të gjitha rasteve të mbetura të personave të zhdukur dhe çështjeve të pazgjidhura lidhur me krimet e luftës, duke garantuar përgjegjësi dhe drejtësi. Vendeve të rajonit u kërkohet gjithashtu të përmbushin të gjitha obligimet e mbetura nga Marrëveshja për Çështjet e Suksesionit.
“Bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, si dhe për zbatimin në mirëbesim të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe arritjen e rezultateve konkrete”, thuhet në draft-deklaratë.
Dialogu Kosovë-Serbi
Pjesë e kësaj deklarate, që pritet të miratohet, përmendet edhe dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Aty vlerësohet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve vazhdon t’i pengojë të dyja palët në rrugën evropiane.
Negociatat për anëtarësimin e Serbisë kanë ngecur viteve të fundit, ndërkaq Kosova është i vetmi vend në rajon që ende nuk ka statusin e vendit kandidat. Prishtina ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022, por deri më tani ai nuk është shqyrtuar nga institucionet e BE-së.
BE-ja në draft-deklaratë po ashtu riafirmon mbështetjen për dialogun dhe u bën thirrje Serbisë dhe Kosovës që të shfrytëzojnë “momentin aktual politik”.
Kosova dhe Serbia nuk kanë mbajtur asnjë takim të nivelit të lartë politik që nga shtatori i vitit 2023. Takimi u fundit u zhvillua pak ditë para sulmit nga një grup i serbëve të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Synimi, sipas draft-deklaratës, është që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe të arrijnë pa vonesa përparim konkret drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura.
Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh në kuadër të dialogut që ka nisur më 2011. Por, jo të gjitha janë zbatuar, me gjithë thirrjet e vazhdueshme nga BE-ja që palët t’i zbatojnë ato.
Të dyja palëve u rikujtohet gjithashtu se mbështetja financiare nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është e kushtëzuar me angazhim konstruktiv, përparim të matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas deklaratës, përafrimi me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së mbetet shprehje e fuqishme e orientimit strategjik të vendeve të rajonit. Kjo përfshin edhe zbatimin e masave kufizuese dhe parandalimin e shmangies së tyre.
“U shprehim mirënjohje partnerëve të Ballkanit Perëndimor që janë përafruar plotësisht me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë dhe u bëjmë thirrje atyre që ende nuk e kanë bërë këtë, të ndjekin shembullin e tyre”, thuhet në tekstin e draft-deklaratës.
Sipas zyrtarëve evropianë, Serbia është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është plotësisht i përafruar me këtë politikë. Shkalla e përafrimit të saj aktualisht është rreth 59 për qind, ndërsa vendet e tjera të rajonit janë plotësisht të përafruara.
Deklarata përmend edhe luftën në Ukrainë. Aty thuhet se Brukseli riafirmon mbështetjen për paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, të bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare, me garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për Ukrainën.
“Do të vazhdojmë t’i ofrojmë mbështetje gjithëpërfshirëse Ukrainës dhe popullit të saj në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nga lufta agresore e Rusisë, në koordinim me partnerët që ndajnë të njëjtat qëndrime”, thuhet në dokument.
Mund të jetë samiti i fundit për Malin e Zi si vend kandidat
Samiti mbahet rreth gjashtë muaj pas samitit në Tivat, në Malin e Zi, i cili është vendi me mundësinë më të madhe që të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së. Ky mund të jetë samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor që Mali i Zi merr pjesë si vend kandidat.
Pogdorica po punon në mënyrë intensive për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave. Vendi shpreson t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit, në mënyrë që gjatë vitit 2028 të bëhet anëtar i BE-së. Sipas vlerësimeve të KE-së, Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit të ardhshëm, kur Mali i Zi do të marrë statusin e vendit aderues.
Megjithatë, çështjet e hapura me Kroacinë mund të bëhen pengesë për arritjen e këtij synimi. Kroacia, për momentin, po bllokon mbylljen e tre kapitujve në negociatat e anëtarësimit mes Podgoricës dhe Brukselit. Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli nevojitet pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Podgorica është gjithashtu nën presionin e kohës, pasi deri në fund të vitit në kalendarin e BE-së kanë mbetur vetëm rreth 20 ditë pune për të arritur synimin e përcaktuar.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ka dërguar një letër presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Në letër, ai paralajmëroi se kushtëzimi i procesit të zgjerimit me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shteteve do të përbënte një humbje strategjike për BE-në. Ai konfirmoi gatishmërinë e Podgoricës zyrtare për t’i zgjidhur çështjet e hapura me fqinjët përmes dialogut dhe në mirëbesim, “por jashtë negociatave të anëtarësimit”.
Millatoviq u kërkoi institucioneve evropiane të tregojnë vendosmëri dhe vizion strategjik në fazën përfundimtare të negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi. Ai u bëri thirrje liderëve evropianë që ta shfrytëzojnë mundësinë historike për zgjerim. Ai rikujtoi premtimin e dhënë në Agjendën e Selanikut të vitit 2003 dhe tha se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i plotë pa Ballkanin Perëndimor. REL