Tava verore me bamje – Tradita e tryezes shqiptare
Bamja njihet si një produkt i pasur me antioksidantë.
Lifestyle
Tradita e kuzhinës shqiptare në përgatitjen e bamjeve është e mrekullueshme në shijen që ofron.
Të përgatitura në tavë balte e të pjekura në furrë, gjellë apo edhe supë, bamjet mbeten përherë fantastike në shijen që ofrojnë.
Duke qenë se është një perime, sezoni i të cilës është në muajt e verës dhe fillim vjeshtës, me siguri amvisat janë kujdesur që ta kenë këtë perime edhe përgjatë stinëve të tjera duke përdorur metodën e ngrirjes së tyre në frigorifer.
Bamja qëndron në majë të piramidës ushqimore si një super zarzavat.
Përbërësit
1.5 kg bamje
2 filxhanë kafeje me vaj ulliri
2 kokrra qepë
4-5 kokrra domate
Kripë
Majdanoz
2-3 filxhanë kafeje me uthull (Nëse preferoni)
Përgatitja
Bamjet e freskëta pastrohen nga bishti në formë konike, vendosen në ujë me kripë e uthull për 10 minuta.
Fërkohen me duar që t’u largohet pushi, shpëlahen, kalohen në skuqje të lehtë dhe rreshtohen në tenxhere me bishtat anash duke shtruar në fund feta domatesh.
Në vajin e ullirit që ka mbetur, kaurdisni qepën e grirë hollë.
Nëse do ta përgatisni me mish, atëherë pasi të kaurdisni qepët shtoni dhe kaurdisni thelat e mishi e më pas vijoni recetën si më poshtë.
Hidhen domatet e qëruara nga cipa e të grira hollë dhe vijohet kaurdisja.
Shtohet kripë, majdanoz i grirë, majdanoz i grirë hollë dhe u hidhet bamjeve.
Sipër vihen feta domateje, mbulohen me pjatë, u hidhet lëng mishi ose ujë dhe zihet derisa gjella të mbetet me pak lëng.
Për të mos i’u prishur forma bamjet gjatë shërbimit kthehen në tepsi duke i përmbysur.
Bamjet mund t’i përgatisni si më sipër dhe t’i vendosni në një tavë në vend të tenxheres duke i futur më pas të piqen në furrë./Lajmi.net/