Suarez – Angli 2:1

Sulmuesi Luis Suarez shënoi të dy golat për Uruguain në fitoren ndaj Anglisë me rezultat 2:1, në kuadër të Grupit D në Kampionatin botëror në Brazil.

Sport

19/06/2014 23:52

Sulmuesi Luis Suarez u rikthye furishëm nga lëndimi. Ylli i Uruguait shkëlqeu duke realizuar dy golat e fitores 2:1 ndaj Anglisë, në ballafaqimin e xhiros së dytë të Grupit D në Kampionatin botëror në Brazil.

Në mungesë të tij, Uruguai humbi befasishëm duelin e parë nga Kosta Rika, mirëpo me Suarezin në skuadër, Kombëtarja nga Amerika e Jugut shënoi një fitore të madhe dhe shumë të rëndësishme për kualifikim të mëtutjeshëm.

Suarez e kaloi Uruguain në epërsi në minutën e 39-të kur shënoi me kokë pas një asistimi të bukur nga partneri i tij i sulmit, Edinson Cavani. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e Uruguait.

Por, pas intervalit, Anglia kërcënoi disa herë dhe në fund e gjeti golin e barazimit nëpërmjet Wayne Rooneyt, që shënoi në minutën e 75-të, golin e tij të parë në Botëror.

Mirëpo, dhjetë minuta më vonë, Suarez ‘goditi’ sërish duke mposhtur portierin Joe Hart me një goditje të fuqishme.

‘Pistoleta’ e Suarezit plagosi rëndë Anglinë që do të eliminohet nga Botërori nëse Italia dhe Kosta Rika barazojnë në ballafaqimin e tyre të premten.