Silva shpjegon arsyen pse kërkoi largimin nga Man City në verën e kaluar
Mesfushori ofensivë i Manchester Cityt, Bernardo Silva, ka zbuluar arsyen pse kërkoi të largohej nga klubi verën e kaluar dhe këmbëngul se vendimi nuk kishte të bënte me dashurinë për tifozët dhe shokët e skuadrës.
Sport
27-vjeçari ishte i lidhur fort me një largim nga “Etihad Stadium” para fillimit të sezonit 2021-22, megjithatë, portugezi qëndroi dhe që atëherë ka shkëlqyer për “Qytetarët” në të gjitha garat, transmeton lajmi.net.
Duke folur në një intervistë për “The Times”, Silva ka shpjeguar se si pandemia e COVID-19 ndikoi në mirëqenien mendore dhe se ishte një nga arsyet kryesore që dëshironte të largohej nga City verën e kaluar.
“Njerëzit vuajtën shumë më tepër se ne, por për mua ishte e vështirë sepse isha larg familjes sime. Më parë shkoja në Portugali për disa ditë dhe darkoja me mamin dhe babin. Ishte vetëm darkë, por ti je me prindërit e tu, kështu që është mirë. Të mos mund ta bësh këtë ishte e vështirë”.
“Nuk ishte një moment i bukur për të qenë i sinqertë. Për një kohë isha vetëm në banesën time. Më vonë erdhi e dashura ime. Ishte keq për të gjithë. Mund të shihja në fytyrat e shokëve të skuadrës se ishte e vështirë edhe për ta.”
“Në atë kohë në Angli po ndihesha pak i vetëm dhe nuk isha shumë i lumtur me jetën time. Dhe nëse nuk je i lumtur, nuk e bën punën tënde ashtu siç e bën kur je i lumtur, ishte mirë fizikisht, por nëse nuk e bën punën tënde me një buzëqeshje në fytyrë, nuk do ta bësh as atë”.
“Kam pasur një bisedë me klubin sepse nuk isha i kënaqur me jetën time këtu dhe doja të isha më afër familjes sime. Por nuk kishte të bënte me klubin. Unë e dua Manchester Cityn. Unë i dua shokët e mi të skuadrës. Unë i dua tifozët, e dua klubin. Më pas asgjë nuk ndodhi. Unë qëndrova dhe gjithmonë do të jap më të mirën për këtë klub për sa kohë të qëndroj këtu.”
Silva, i cili është nën kontratë në Etihad deri në qershor 2025, ka zbuluar gjithashtu se synon të negociojë të ardhmen me klubin në fund të sezonit.
“Në fund të sezonit, unë do të ulem me Cityn dhe do të shoh se çfarë është më e mira për të dyja palët. Jemi në mes të sezonit dhe duam të fitojmë shumë trofe të rëndësishëm”.
“Ne mund t’i fitojmë të tre, ose zero, ose një. Tani nuk është koha e mirë për të folur për të ardhmen time.”
Silva ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë tre asistime në 35 paraqitje për Man City këtë sezon, dhe vetëm bashkatdhetari Joao Cancelo ka luajtur në më shumë ndeshje në të gjitha garat për Cityn deri më tani këtë sezon./Lajmi.net