Si të përgatitni brumin perfekt për krepa
Shija perfekte për krepa në një recetë.
Lifestyle
Nëse bëhet fjala për një nënë që përgatit mëngjesin për fëmijët e saj apo dhe për një grup studentësh, apo dhe për fanatikët e kuzhinës, krepat janë gjithmonë zgjedhja e duhur!
Të gjithë i kemi provuar dhe përgatitur si të ëmbla me çokollatë, reçel apo mjaltë por dhe të kripur me djathë apo dhe salcë kosi.
Ama ajo që të gjithë biem dakord është se shija e krepave është e përkryer.
Përbërësit
3 vezë
250 g miell
500 ml qumësht
Pak kripë
Pak sheqer
Gjalpë i freskët për pjekjen e tyre
Përgatitja
Si fillim nisni me përgatitjen e vezëve, mjafton t’i thyeni ato në një tas të madh dhe t’i rrihni duke shtuar ngadalë qumështin.
Mos ndaloni përzierjen e përbërësve derisa ata të kenë krijuar një masë homogjene.
Merrni një tas tjetër dhe sitni miellin, kripën dhe sheqerin duke u siguruar që kokrrizat e miellit që mund të jenë ngurtësuar të mos i hidhni tek masa.
Me lugë filloni dhe t’i shtoni tek tasi i vezëve, duke treguar kujdes që para se të shtoni lugën e radhës, mielli të jetë tretur plotësisht.
Një metodë e tillë do të shmangë krijimin e kokrrizave të miellit të cilat mbeten dhe pas pjekjes, duke i prishur shijen krepave.
Vazhdoni kështu derisa të keni mbaruar të gjithë miellin dhe masa të jetë plotësisht kremoze.
Në këtë moment mbulojeni tasin me një qese kuzhine dhe lëreni që të pushojë përreth 30 minuta në frigorifer.
Zakonisht nga dëshira për t’i provuar sa më shpejtë, nuk e lejojmë masën e brumit që të pushojë, dhe krepat ruajnë aromën e vezëve.
Për më tepër një sekret i tillë lejon që brumi të shkrijë dhe grimcat e pa tretura të miellit.
Pjekja e krepave
Kur të ketë kaluar koha nxirreni tasin nga frigoriferi dhe ndërkohë keni vendosur një tigan të lyer mirë me gjalpë në zjarr.
Vetëm kur tigani të jetë nxehur plotësisht hidhni përafërsisht një garuzhde.
Shpesh nuk i kushtohet vëmendje sasisë së brumit, por diçka e tillë është shumë e rëndësishme.
Sepse nëse hedhim më shumë, krepat bëhen të trashë dhe brumi mbetet i papjekur brenda.
Ndonjëherë hedhim dhe më pak seç duhet dhe detyrohemi të shtojmë më shumë brumë.
Duke bërë këtë gjë njëra pjesë e brumit piqet më shumë se tjetra.
Niseni nga mesi i tiganit e më pas duke e rrotulluar atë, përhapeni në mënyrë të njëtrajtshme në të gjithë sipërfaqen.
Kini kujdes që tiganin mos ta largoni shumë nga zjarri, pasi ftohet dhe brumi lëshohet.
Mos harroni që herë pas here brumin që keni në tas ta përzieni herë pas here, pasi ndodh që të krijohet një shtresë e trashë në fund të tij.
Krepin apo palaçinkën piqeni përafërsisht deri në 1 minutë nga secila anë.
Më pas kthejeni me ndihmën e një shpatulle.
Një tjetër sekret është ruajtja e tyre, derisa t’i shërbeni për të afërmit tuaj.
Vendosni krepat njëri mbi tjetrin, sepse kështu ata do të mbeten të butë.
Por mos harroni, gjithmonë ata më të ngrohtët t’i vendosni poshtë.
Këtë gjë mund ta bëni duke i kthyer krepat me duar.
Më pas mbetet vetëm t’i shërbeni dhe t’i shijoni sipas dëshirës suaj./Lajmi.net/