Shteti injoroi amanetin e Bekim Fehmiut

Aktori i roleve të mëdha ka dashur që shtëpia e Shaip Pashë Spahiut në Prizren të jetë vendi ku ai do të jetonte edhe pas vdekjes. Këtë e ka lënë amanet në një nga librat e tij. Megjithatë, shteti ka vendosur që këtë amanet të Bekim Fehmiut të mos e çojë në vend. Shtëpia është destinuar për Akademinë Diplomatike të Kosovës, e cila nuk u funksionalizua asnjëherë.

Lajme

16/06/2016 09:32

Para se të ndërmerrte aktin e vetëvrasjes gjashtë vite më parë, në një bashkëbisedim me bashkëshorten e tij ai kishte vendosur që disa gjëra personale t`ia dhuronte një muzeu apo ndonjë iniciative tjetër në Prizren. Këtë e kishte konfirmuar edhe vetë Branka Petriq e cila kishte thënë se do t’i dhuroj gjësendet personale të Fehmiut, ashtu siç i kishte kërkuar ai. Kanë kaluar gjashtë vite dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Kjo pasi aktori Bekim Fehmiu duket se është harruar nga institucionet e Kosovës, shkruan lajmi.net

Iniciativën për realizimin e dëshirës së Fehmiut, e pati marrë para disa vitesh gazetari Fahri Musliu. Madje ai pati themeluar edhe një fondacion në emër të aktorit të ndjerë, së bashku me disa personalitete të tjera nga fusha e artit. Musliu pati bërë edhe një kërkesë zyrtare në komunën e Prizrenit, por kjo e fundit shtëpinë e Shaip Pashës ka vendosur që t’ia jap Ministrisë së Jashtme për nevojat e Akademisë Diplomatike. E kjo Akademi asnjëherë nuk është funksionalizuar. Kjo komunë madje ka injoruar edhe kërkesën për vendosjen e një shtatoreje të Fehmiut, pikërisht në vendin ku është derdhur hiri i të ndjerit përballë Lidhjes së Prizrenit.

Shteti duket se ka rënë në amnezi për aktorin me famë botërore. Dita e lindjes së tij, por edhe ky përvjetor i vdekjes më 15 qershor, po kalojnë pa asnjë aktivitet apo edhe më keq, asnjë deklaratë nga ana e institucioneve. Deri më tani krejt çfarë ka bërë shteti për nder të emrit të Fehmiut, është një çmim i cili ndahet një herë në vit për kinematografi.

Aktori shqiptar me nam botëror ka lindur më 1 qershor të vitit 1936 në Sarajevë, një kohë ka jetuar në Prizren, ndërsa ka vdekur në Beograd më 15 qershor 2010. Fehmiu ka luajtur në dhjetëra filma në rolet kryesore. Në vitin 2001, Fehmiu ka botuar librin me kujtime “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, në të cilin përshkruhet periudha që nga lindja e tij në Sarajevë, duke përfshirë gjithçka deri në vitin 1955, kur u pranua në teatrin e dramës së Prishtinës. /lajmi.net