Shpejtim Bulliqi nuk do të bëjë mrekullira në Podujevë – i detyruar të zbatojë planin e LDK-së

Shpejtim Bulliqi tashmë është kryetari i ri i Podujevës, por akoma nuk e ka dhënë betimin në Kuvendin Komunal.

Lajme

03/12/2020 17:00

“Do të kemi një administratë publike profesionale. Do të angazhohemi për një arsim cilësor, në shërbim të zhvillimit dhe rekrutim të personelit mbi baza profesional. Kemi plane për mbështetje të sektorit të bujqësisë. Kemi plane për shëndetësinë. Por, për një vit nuk mund të bëjmë mrekulli, porse do të ketë ndryshime të mëdha”. Këto kanë qenë disa nga zotimet kryesore në vija të trasha të Shpejtim Bulliqi gjatë fushatës zgjedhore.

Por, a do të mund të jetësojë planin e tij për këta rreth 10 muaj, kryetari i ri i Podujevës që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje?

Qëndrim Arifi, nga organizata INPO, e cila merret me qeverisjen lokale mendon se kryetari i ri do ta këtë të vështirë të jetësoj projektin e tij për Podujevën.

“Meqë kanë mbetur më pak se një vit kur përfundon mandati i rregullt i kryetarëve të komunave, z. Shpejtim Bulliqi do ta ketë shumë të vështirë që t’i përmbushë premtimet që ka dhënë, posaçërisht ato që kanë implikime financiare. Kjo mbështetet fillimisht në atë se buxheti i komunës tanimë është miratuar dhe dihet që buxheti është një mekanizëm në të cilën mbështeten politikat dhe prioritetet e kryetarit të komunës dhe nëpërmjet tij mund të jetësohen premtimet e dhëna. Pastaj, mos pasja e shumicës në kuvend komunal është shumë e vështir që të shtyhen para politikat e kryetarit” tha Arifi për lajmi.net.

Sidoqoftë, me gjithë këto vështirësi, INPO vlerëson se kryetari Bulliqi mund të punojë i pa penguar në aspekt të transparencës, hapjes së organeve komunale karshi qytetarëve, luftimin e korrupsionit dhe sundimin e ligjit.

Komuna e Podujevës ka 34 asamblistë. Nga ta, 12 janë të LDK-së, nëntë janë të LVV-së, gjashtë të PDK-së, tre nga AAK, 1 i pavarur, një nga PSD, një nga PD dhe një nga OBKD. Për t’u marrë një vendim në Kuvend duhen shumica e thjeshtë e votave, të cilat kryetari i ri nuk i ka.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila e ka pasur pushtetin në këtë komunë që nga pas lufta thonë se do të përkrahin projektet e kryetarit të ri, nëse ato janë në dobi të qytetarëve, por thonë se kryetari do të jetë i detyruar të punojë më buxhetin e planifikuar nga ta.

“Puna e projekteve, pra e buxhetit për këtë vit dhe vitin e ardhshëm është e përfunduar. Pra, projektet janë të planifikuara të miratuara, që janë diskutuara në Kuvend. Kanë qenë aprovimet në kuvend, aty ka qenë edhe grupi parlamentar i kryetarit të ri. Nëse ka ndonjë propozim që është në të mirë të qytetarëve ne do ta mbështesim, por marr parasysh se kush është bërë kryetarë, të kaluarën e tij, kam dyshime të mëdha në këtë. Nuk presim që të ketë as ndonjë ekip të efektshëm rreth vetës, pasi pritet të ketë një ekip që të vazhdimisht kanë qenë me një të kaluar jo të mirë. Nuk fals për të kaluarën në kuptimin penal, por në aspektin administrativ”, tha për lajmi.net Hasan Ajeti, shef i Grupit parlamentar të LDK-së në KK të Podujevës.

Ai thotë se kryetari i ri mund të bëjë koalicione me partitë tjera.

“Megjithëkëtë, është akoma herët të flitet sepse ai ka të drejtë të lidhë koalicion me partitë tjera, dhe është e mundur që me PDK-në të ketë një të tillë sepse këto dy parti nuk ndryshojnë si frymë, janë të një shtëpie. Po ashtu mund ta kenë ndonjë asamblistë të Aleancës”, shtoi tutje ai.

Asamblisti i PDK-së, Rafet Llapashtica thotë se partia e tij nuk do të bëjë koalicione me LVV-në në Podujeve, ndërkohë edhe ky premton se nuk do ta bllokojnë në ato projekte që janë të rëndësishme për qytetarët.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka bërë në të kaluarën koalicion në LDK-në as nuk bënë tash me Vetëvendosjen. Mbetet detyrë e kryetarit të ardhshëm që të zbatojë detyrat e tij, në si PDK, aty ku e shohim të arsyeshme konform kërkesave të qytetarëve, në do të përkrahim projektet. Por, ato projekte në të kaluarën më shumë kanë qenë politike. Kështu kemi bërë edhe në të kaluarën. Zoti Bulliqi akoma nuk e ka dhënë betimin, pas atij betimi le të shohim se si do të veprojë. Megjithëse edhe ky është një person i cili 8 vite ka qenë në qeverisje dhe i njohim aftësitë e tij”, tha Llapashtica për lajmi.net.

Ai tha se buxheti është i miratuar, dhe se për të bërë alokimin e mjeteve nevojitet shumica e thjeshtë e Kuvendit, të cilat sipas tij, kryetari i ri nuk e ka.

“Sido që të jetëve të presim edhe pak se çka do të propozon ai”, tha Llapashtica.

Lajmi.net nuk ka mundur të marr një qëndrim nga kryetari i ri i Podujevës lidhur më këtë çështje.

Ndryshe, buxheti i miratuar në Kuvendin komunal për vitin 2020 ka qenë 23,956,419 euro, ndërsa asambleja komunale para pakë jave ka aprovuar edhe buxhetin për vitin 2021 i cili është në vlerë prej 23,181,801 euro. /Lajmi.net/