Shala: Kurti duhet të merret njëkohësisht me prioritetet e caktuara

Analisti politik, Blerim Shala, ka thënë se kryeministri në ardhje, Albin Kurti, duhet të merret njëkohësisht me prioritetet që i ka caktuar për të mos shkaktuar pasoja.

Lajme

06/03/2021 12:56

Ai ka shtuar se ekzistojnë relacione të varshmërisë të drejtpërdrejtë në mes prioriteteve, prandaj edhe s’duhet pritur të përfundojë me njërën për të filluar me tjetrën.

“Renditja e prioriteteve qeverisëse, sipas kryeministrit në ardhje, është reflektim i ‘nervit popullor’ të prezantuar në hulumtimet e opinionit. Në këto matjet e disponimit dhe interesimeve të qytetarëve të Kosovës, sipas Kurtit, dialogu (me Serbinë), del të jetë prioritet i gjashtë apo i shtatë, teksa ky, në shprehje të vullnetit të tij të mirë për t’i marrë parasysh synimet e Washingtonit dhe Brukselit, e ka avancuar dialogun në disa vende më lartë, duke e ranguar atë në vendin e katërt. Treshi i prioriteteve kryesore të Qeverisjes Kurti përbëhet prej: punësimit, drejtësisë, pandemisë (marrjes me pasojat nga COVID-19)”.

Ai ka thënë se renditja e tillë e prioriteteve nga qeveria e ardhshme nuk ka dhe nuk mund të ketë relacione të përjashtimit të akëcilit prej tyre.

“Nuk ka hierarki të prioriteteve e cila shfaqet në atë mënyrë, sipas të së cilës, ta zëmë, nuk mund të kalohet në prioritetin Nr.4, në atë që lidhet me zhvillimin e bisedimeve në Bruksel, pa i përmbushur në plotëni këto tri prioritetet e para të Qeverisjes Kurti, që përkojnë me punësimin, drejtësinë dhe pandeminë”.

“Qeveria e ardhshme e Kosovës pra mund dhe duhet të merret njëkohësisht me këto prioritete, të cilat, zatën, janë reflektim jo vetëm i interesimeve të qytetarëve të Kosovës, por po ashtu, janë pasqyrim i përbërjes së Qeverisë së Kosovës (me të gjitha Ministritë që i ka kjo Qeveri)”.

Shala ka thënë se Qeveria Kurti II do të mund të merret njëkohësisht me përmirësimin e rrethanave politike, ekonomike dhe juridike, për të mundësuar investimet direkte nga jashtë dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë (të cilat do ta ulin ndjeshëm papunësinë), me fuqizimin e rendit dhe ligjit, por edhe me dialogun në Bruksel dhe avancimin e proceseve të integrimeve  euroatlantike, të cilat, sipas tij,  janë aktualisht në një status të ngrirjes së plotë, ku hisen më të madhe për këtë gjendje e ka BE-ja dhe jo vetë Kosova.

Shala është i mendimit që prioritet urgjent është marrja me pasojat e COVID-19.