Sensacionale: Ish mbrojtësi i Interit, trajner i skuadrës shqiptare
Klubi i Tiranës nuk ka vonuar shumë të gjejë zëvendësuesin e Mirel Josës për pankinën e bardhebluve dhe ka gjetur një emër të njohur të futbollit ndërkombëtar, një ish-lojtar me një karrierë të pasur, por vetëm në futbollin e luajtur.

Sport
Bëhet fjalë për Hoze Marcelo Ferreira, i njohur botërisht si Ze Maria, ish-lojtar i Interit dhe përfaqësueses së Brazilit. Sipas “SuperSport”, mes palëve ka një akord dhe pritet që shumë shpejt ai të zyrtarizohet në stolin e bardhebluve, në vendin e lënë bosh nga Josa.
Por kjo nuk është hera e parë që Tirana ka hyrë në bisedime me brazilianin. Edhe në fundin e vitit 2013, ai zhvilloi disa diskutime me drejtuesin e bardhebluve në atë periudhë, Ndriçim Babasi. Marrëveshja nuk u finalizua por me sa duket negociatat kanë rifilluar dhe tani Ze Maria pritet të ulet në pankinën e klubit kryeqytetas.
Në dy sezonet e fundit, 43-vjeçari ka drejtuar në Rumani skuadrën e Ceahlaul, si dhe ekipin Gor Maghia në Kenia. Ai ka drejtuar deri dy ditë më parë këtë të fundit, duke dhënë dorëheqjen nga drejtimi i klubit në mënyrë të papritur. Me sa duket, braziliani kishte filluar negociatat me Tiranën dhe ka arritur akordin me ta për t’u kthyer në Evropë./Lajmi.net/