Senatori amerikan pret që përkrahja dypartiake ta shtyjë përpara projektligjin për sanksione ndaj Rusisë dhe Iranit
Një koalicion dypartiak në Senatin amerikan po punon për të ruajtur hovin për një paketë të gjerë sanksionesh që shënjestron Rusinë dhe Iranin, me ligjvënës nga të dyja partitë që argumentojnë se legjislacioni do të dërgonte një mesazh më të gjerë për vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara kundër fuqive autoritare. Senatori republikan John Curtis, nga…
Bota
Një koalicion dypartiak në Senatin amerikan po punon për të ruajtur hovin për një paketë të gjerë sanksionesh që shënjestron Rusinë dhe Iranin, me ligjvënës nga të dyja partitë që argumentojnë se legjislacioni do të dërgonte një mesazh më të gjerë për vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara kundër fuqive autoritare.
Senatori republikan John Curtis, nga Juta, anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit, tha se mbështetja jashtëzakonisht e gjerë për këtë masë pasqyron një vetëdije në rritje në Kongres se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk është thjesht një konflikt rajonal, por një provë për rendin ndërkombëtar.
Senati e avancoi javën e kaluar në një votim të rëndësishëm procedural Aktin për Sanksionimin e Rusisë dhe Iranit, me Curtisin që shërbeu si kryesues i seancës gjatë votimit. Në një intervistë me Radion Evropa e Lirë, më 5 gusht, ai tha se niveli i mbështetjes dypartiake ishte domethënës.
“Jo shpesh ndodh që të shohësh këtu në Senat çështje që kanë një mbështetje kaq dërrmuese dypartiake”, tha Curtis. “Dhe, kur sheh kaq shumë nga kolegët e mi nga të dyja anët që bashkohen, duhet t’i kushtosh vëmendje, sepse kjo do të thotë se jemi seriozë dhe diçka do të ndodhë”.
Legjislacioni do të vendoste sanksione të gjera ndaj sektorëve financiarë dhe energjetikë të Rusisë, do të shënjestronte flotën e fshehtë të Moskës që përdoret për t’iu shmangur sanksioneve, dhe do të zgjeronte autoritetet për vendosjen e sanksioneve ndaj Iranit. Ai, gjithashtu, përfshin dispozita që i lejojnë presidentit të vendosë tarifa ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë dhe gaz rus.
Curtis tha se pret që projektligji të ecë përpara, pavarësisht agjendës së paparashikueshme të Senatit.
“Ka shpresë që kjo të ndodhë këtë javë”, tha ai. “Nuk jam shumë i shqetësuar nëse ndodh këtë javë, apo në javët në vijim. Siç e dini, gjërat këtu në Senat kanë një lloj jete të tyren, dhe nuk mund t’i detyrosh gjërat të ndodhin, kështu që mendoj se do ta kalojmë. Është vetëm çështje se sa shpejt”.
Lufta në Ukrainë, një provë përtej Evropës
Curtis argumentoi se lejimi i fitores së Rusisë në Ukrainë do të kishte pasoja shumë përtej Kievit dhe Moskës, veçanërisht në ndikimin që do të kishte në llogaritjet e Kinës për Tajvanin.
“Nga këndvështrimi im, që nga fillimi, kjo ka qenë një luftë ku nuk është e pranueshme që Rusia të fitojë”, tha Curtis. “Fatmirësisht, nuk po ndodh. Por, ne duam ta theksojmë pikën tonë se qëndrojmë me lirinë. Qëndrojmë me Ukrainën, dhe nuk mund të tolerojmë që një diktator të pushtojë një komb mik”.
I pyetur se çfarë do të nënkuptonte fitorja për Ukrainën, Curtis iu referua përkufizimit të vetë presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, për mbijetesën përballë agresionit rus.
“Nëse e pyet presidentin Zelensky, fitorja thjesht do të thotë se ata nuk humbën sot, dhe nuk humbin nesër, dhe nuk humbin as pasnesër”, tha Curtis.
Ai vuri në dukje se objektivi fillestar i Moskës ishte shumë më ambicioz.
“Që nga fillimi, Rusia e ka përcaktuar fitoren për veten e saj si pushtimin dhe marrjen e Ukrainës”, tha ai. “Kështu që çdo gjë më pak se kjo është një fitore për Ukrainën, dhe thjesht fakti që ata kanë qenë në gjendje t’i rezistojnë katër vjet e gjysmë të këtij agresioni është një fitore e madhe për Ukrainën”.
Curtis pranoi se brenda Partisë Republikane ekzistojnë ndarje sa i përket përmasës së angazhimeve të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit, por tha se Ukraina mbetet thelbësore për interesat e sigurisë amerikane.
“Realiteti është se nuk mund të bëjmë gjithçka, dhe mendoj se ata kanë argumente të mira”, tha ai. “Në të njëjtën kohë, do të kthehem te kjo pikë: dështimi nuk është një opsion”.
Ai paralajmëroi se dobësimi i mbështetjes amerikane mund të ndikojë te kundërshtarët në mbarë botën.
“Lejimi i Putinit që të ketë një fitore në Ukrainë do të ndikonte në mënyrë dramatike në shumë fusha të tjera në botë”, tha Curtis. “Nëse shikoni vetëm Kinën dhe Tajvanin, ne e dimë shumë mirë se presidenti Xi po e vëzhgon atë që po ndodh në Ukrainë, dhe nëse ne tërhiqemi, ai e di se do të tërhiqemi edhe për Tajvanin. Prandaj, kjo ka pasoja shumë më të mëdha sesa vetëm Ukraina”.
Kina, Irani dhe një përballje më e gjerë strategjike
Curtis tha se Pekini po vëzhgon nga afër mënyrën se si Uashingtoni po reagon ndaj pushtimit rus, duke e parë konfliktin si një tregues të mënyrës se si Shtetet e Bashkuara mund të përgjigjen ndaj një krize të ardhshme në rajonin Indo-Paqësor.
“Nuk ka dyshim se ata po e shohin reagimin tonë”, tha ai. “Ata do të donin të nxirrnin përfundimin se çdo reagim që kemi ndaj Rusisë dhe Ukrainës do të ishte i ngjashëm me atë që do të kishim ndaj Kinës dhe Tajvanit, dhe kjo është një nga arsyet pse duhet të dërgojmë një mesazh shumë të qartë se ne qëndrojmë me lirinë”.
Ai i përshkroi Rusinë, Iranin dhe Kinën si pjesë të një sfide më të gjerë, që përfshin qeveri që kundërshtojnë rendin demokratik.
“Kushdo që mendon se kjo nuk është një betejë mes së mirës dhe së keqes, gabon”, tha Curtis. “Dhe ne e dimë se ku rreshtohet Irani në atë anë. E dimë se ku rreshtohen diktatorët. E dimë se ku rreshtohet demokracia dhe ku rreshtohet liria. Vijat e betejës janë shumë të qarta”.
“Nuk duhet të bëjmë sikur vetëm Irani, por edhe Kina, nuk po ndërhyjnë në këtë luftë”, shtoi ai. “Kjo është një mundësi shumë e qartë për të parë se cilët janë miqtë tanë dhe cilët nuk janë”.
Përfshirja e Iranit në projektligj pasqyron shqetësimet e Kongresit lidhur me bashkëpunimin ushtarak të Teheranit me Moskën, dhe përpjekjet e të dyja qeverive për t’iu shmangur sanksioneve perëndimore.
Shaheen dhe Kennedy bëjnë thirrje për ruajtjen e ritmit
Përpjekjet për një veprim përfundimtar në Senat u intensifikuan më 4 gusht, kur ligjvënës nga të dyja partitë theksuan nevojën për të ruajtur ritmin rreth paketës së sanksioneve.
Senatorja Jeanne Shaheen nga Nju-Hempshër, demokratja më e lartë në çështjet e politikës së jashtme, publikoi një deklaratë ku e përshkroi legjislacionin si një nga mjetet më të fuqishme të Kongresit për të rritur presionin ndaj Kremlinit.
Ajo argumentoi se sanksionet që shënjestrojnë sektorin energjetik të Rusisë, institucionet financiare, projektet e gazit natyror të lëngshëm në Arktik dhe flotën e fshehtë do të godisnin bazat ekonomike që mbështesin përpjekjet e presidentit Vladimir Putin për luftë.
Shaheen, gjithashtu, theksoi dispozitat që do të autorizonin tarifa deri në 100 për qind ndaj importeve nga vendet që vazhdojnë ta financojnë Rusinë përmes blerjeve të naftës dhe gazit rus, veçanërisht Kinën.
Ajo tha se Ukraina ka nevojë për këtë legjislacion, dhe se republikanët dhe demokratët janë të bashkuar në dërgimin e një paralajmërimi të qartë ndaj Moskës.
Po atë ditë, senatori republikan John Kennedy nga Luiziana iu drejtua Senatit dhe u bëri thirrje ligjvënësve që të veprojnë shpejt, duke argumentuar se Kongresi tashmë i ka votat e nevojshme për miratimin e projektligjit.
“Ndaloni së foluri dhe filloni të votoni”, u tha Kennedy kolegëve të tij.
Kennedy tha se inovacioni i Ukrainës në fushën e betejës, veçanërisht aftësitë e saj me dronë, e kanë ndihmuar ta vendosin Rusinë “në pozicion mbrojtës”, dhe argumentoi se reduktimi i të ardhurave të Moskës nga energjia do të kufizonte aftësinë e Kremlinit për të vazhduar luftën pa kërkuar burime shtesë nga Shtetet e Bashkuara.
Grupi dypartiak që mbështet këtë masë tani është i përqendruar në ruajtjen e këtij ritmi, dhe arritjen e fazës përfundimtare pas muajsh negociatash.
Mbështetësit argumentojnë se koalicioni i gjerë pas projektligjit tregon se presioni ndaj Rusisë mbetet një nga fushat e rralla ku demokratët dhe republikanët vazhdojnë të gjejnë gjuhë të përbashkët.
Përparimet e Ukrainës me dronë ofrojnë mësime për aleatët
Curtis gjithashtu vuri në dukje zhvillimin e shpejtë të teknologjisë së dronëve nga Ukraina si një shembull se si bashkëpunimi mes aleatëve mund të funksionojë në të dyja drejtimet.
“Ukraina ka qenë shumë mbresëlënëse me përparimin që ka bërë gjatë katër vjet e gjysmë për t’u mbrojtur”, tha ai. “Një nga këto fusha është teknologjia e dronëve”.
“Fakti që kemi mundësi ta ndajmë atë me ta dhe të mësojmë prej tyre tregon se sa të vlefshëm mund të jenë aleatët kur punojnë së bashku dhe kur përfitojnë reciprokisht”, shtoi Curtis. “Kështu që jam optimist dhe i bindur se mund të punojmë mirë në këtë drejtim dhe të përfitojmë nga përparimet që ata kanë bërë”.
Curtis gjithashtu mbështeti përpjekjet për kthimin e fëmijëve ukrainas të marrë gjatë luftës, duke e quajtur mbrojtjen e tyre një prioritet humanitar.
“Lufta ka shumë pasoja të tmerrshme dhe, fatkeqësisht, fëmijët shpesh janë viktima, dhe kjo nuk është përjashtim”, tha ai. “Mendoj se nuk duhet të ndalemi në asnjë përpjekje për t’i sjellë ata fëmijë përsëri në shtëpi, dhe jo vetëm kaq, por për t’i mbrojtur të gjithë fëmijët në Ukrainë”.
Duke iu referuar sulmeve të fundit ruse ndaj zonave civile, Curtis tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të vazhdojë të kërkojë llogaridhënie.
“Ne pamë së fundmi disa njerëz që humbën jetën në një bombardim të një ndërtese banimi nga Rusia”, tha ai. “Kjo është e papranueshme dhe ne duhet të jemi të vendosur në përpjekjet tona për të siguruar që fëmijët kudo në botë të ndihen të sigurt dhe të mbrojtur”.
Ndarja mes popullit iranian dhe qeverisë
Ndërsa mbështeti masat më të ashpra ndaj Teheranit, Curtis tha se sanksionet duhet të bëjnë dallimin mes udhëheqjes së Iranit dhe popullsisë së tij.
“Është e qartë se populli iranian dhe udhëheqja e tij janë në vende të ndryshme”, tha ai.
“Është e qartë se Shtetet e Bashkuara, dhe në të vërtetë e gjithë bota, dëshirojnë një marrëdhënie të shëndetshme me Iranin, dhe në shumë raste populli i Iranit është po aq viktimë sa kushdo tjetër i kësaj diktature, gjë që nuk është e pazakontë me diktaturat”.
Curtis tha se shpreson që Irani një ditë të mund të bëhet partner dhe jo kundërshtar.
“Shpresoj që të vijë dita kur ne mund të bashkohemi me Iranin si miq dhe aleatë në rajon, të sjellim prosperitet për të gjithë në atë rajon”, tha ai. “Kemi parë që disa vende kanë qenë në gjendje të përparojnë, por mendoj se nëse Irani mund ta zgjidhë këtë çështje, edhe ne mund të jemi aleatë dhe të përparojmë së bashku”.