Tenderi i sinjalizimit /Pritet që OSHP të marrë masa ndaj shefes së prokurimit dhe ministrisë

Tash e tri vite, qindra kilometra rrugë nacionale janë pa mirëmbajtje të sinjalistikës. Shkak për këtë është bërë tenderi për “Sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës” me të cilin po bëhet “lojë” nga Ministria e Infrastrukturës.

Lajme

06/09/2020 19:28

Para tri ditëve, për të nëntën herë, Ministria e Infrastrukturës ka nxjerrë vendim për këtë procedurë të prokurimit, konkretisht për lot 2 dhe 3, pasi kontrata për mirëmbajtjen e pjesëve tjera është nënshkruar që në fillim të vitit 2018, shkruan lajmi.net. Tenderi ishte hapur në vitin 2017.

Pas vendimit të tetë të lëshuar në muajin maj nga Organi Shqyrtues i Prokurimit që tenderi të kthehet në rivlerësim, pas katër muajve, më 31 gusht MI nxori vendim ku shpalli të gjitha ofertat të papërgjegjshme. MI bëri njoftim për anulimin e procedurës së prokurimit. Ky vendim është në kundërshtim në vendimin e fundit të OSHP-së, pasi “Gjykata e tenderëve” e kishte urdhëruar ministrinë që të shpallë një fitues konform kritereve të vendosura në dosjen e tenderit.

OSHP në maj të këtij viti kishte nxjerrë vendim, ku kishte shkruar se “është vërejtja e fundit për AK-në që të respektojë vendimet e saj” duke e cituar ligjin ku thotë se do të marrë masa ndaj menaxheres së prokurimit për revokimin e licencës dhe ndaj ministrisë do të shqiptonte një gjobë jo më të vogël se 5000 euro.

OSHP e kishte nxjerrë ketë vendim të prerë, pasi kishte nxjerrë edhe dy vendime të njëjta paraprake, ku e urdhëronte AK-në që mos ta anulonte tenderin. Ministria para këtij vendimi, në tri herët tjera kishte nxjerrë vendim për anulimin e tërësishëm të procesit, duke konsideruar se janë bërë disa gabime në dosjen e tenderit dhe se dosja e tenderit nuk është korrigjuar që nga viti 2017. Çudia e këtij vendimi ishte se, ministria po me ato gabime në dosje të tenderit kishte nënshkruar kontratë për 6 pjesë tjera. Në tri herët OSHP-ja kishte gjetur që kjo ishte në kundërshtim me LPP-në dhe kërkesat e dosjes se tenderit, andaj e urdhëronte AK-në që lëndën ta kthente në rivlerësim. Në dy herë tjera, në vitin 2018, ministria kishte arritur që të shpallte fituesit për lot 2 dhe 3, por pas ankesave të bëra në OSHP, ky organ konstatonte që janë shpallur fitues kompanitë e papërgjegjshme. Një herë tjetër, ministria kishte nxjerrë vendim të njëjtë më këtë të fundit, duke konsideruar se nuk ka ofertues të përgjegjshëm, dhe se duhet të anulohet tenderi për lot 2 dhe 3.

Lajmi.net ka pyetur zyrtarët e OSHP-së se a do të shqiptojnë gjobë ndaj ministrisë dhe se a do të marrin masa ndaj menaxheres së prokurimit, ashtu siç kishin thënë në vendimin e fundit, se nëse ministria nuk i përmbahet vendimit të OSHP-së, të merren masa, por ky institucion ka thënë se njëherë po pret që të ketë ankesa ndaj AK-së.

“Nëse operatorët ekonomik parashtrojnë ankesë në OSHP, atëherë paneli shqyrtues pasi ta shqyrton lëndën, konstaton se a është respektuar vendimi i OSHP-së nga ana e AK-së”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për lajmi.net.

Lajmi.net ka kontaktuar dy kompani që ishin ankuar edhe herëve tjera. Përfaqësuesit e kompanive thanë se AK-ja nuk e ka respektuar vendimin e OSHP-së dhe se do të ankohen përsëri ndaj këtij vendimi. Ata kërkuan që në këtë rast të ndërhyjë prokuroria, pasi sipas tyre, ministria në dy vitet e fundit ka nxjerr disa vendime kundërthënëse për këtë tender.

Me 29 Maj 2020 OSHP kishte aprovuar ankesën e kompanive “RSM COMPANY”, “Dorearti”, “Beni Com”, “Lindi Markings”, “Sinjal RKS” & “IDK Konstruksion” & “2T”, “ITK”, “Select Prima”. Kësisoj, paneli i OSHP-së e kishte urdhëruar MI-në që tenderin ta kthejë në rivlerësim, pasi kishte argumentuar që njoftimi për anulimin e këtij procesi kishte qenë në kundërshtim me ligjin. Paneli shqyrtues konform provave dhe dëshmive të dhëna nga palët ne procedurë konstaton se anulimi i aktivitetit të prokurimit në këtë fazë, paraqet shkelje të nenit 1, 6, 59 dhe 62 të LPP-së, dhe neni 44 të RRUOPP, si dhe mosrespektim të vendimeve paraprake të OSHP-së për aktivitetin në fjalë. Andaj paneli shqyrtues konstatonte se vlerësimi i ofertave duhet të bëhet ashtu siç AK ka bërë vlerësimin kur ka rekomanduar për dhënie të kontratës. Pra vlerësimi duhet të bëhet duke u bazuar në bazë të atyre kushteve që AK ka rekomanduar për dhënie të kontratës. Kjo për faktin se AK këtë aktivitet të prokurimit e ka të ndarë ne tetë lote, si ka pasur mundësi që për 6 lote AK të ketë bërë vlerësimin dhe rekomandimin për dhënie të kontratës, gjithashtu dhe pa asnjë vërejtje të implementohen 6 kontrata, ndërsa për 2 lote është e pamundur? Paneli shqyrtues konstaton se anulimi i këtij aktiviteti është pa bazë për faktin se anulimi i aktivitetit të prokurimit pas rekomandimit për dhënie të kontratës dhe pas kthimit të aktivitetit të prokurimit në rivlerësim, nuk mund të arsyetohet ashtu siç AK-ja e ka dhënë në letrën standarde për tenderuesit e eliminuar dhe në njoftimin për anulim. Kjo për faktin se kjo arsye për anulim do të konsiderohej ligjore vetëm nëse do të kishte ndodhur para hapjes së ofertave, e jo fillimisht të rekomandohet operatori ekonomik për dhënie të kontratës, të nënshkruhet kontrata me disa operatorë ekonomik për lote të caktuara, të merren vendime e urdhëresa nga OSHP, dhe në fund pa kurrfarë baze ligjore, aktiviteti i prokurimit të anulohet.

Duke u nisur nga të gjeturat, paneli shqyrtues kishte ka ardhur në përfundim se anulimi i aktivitetit të prokurimit në fjalë është bërë në kundërshtim me nenin 62 të LPP-së dhe nenin 77 të RRUOPP dhe se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59 të LPP. Prandaj obligohet autoriteti kontraktues që gjatë rivlerësimit të ofertave dhe në të ardhmen t’i përmbahet në detaje të gjitha dispozitave të LPP-së dhe vlerësimin e ofertave ta bëjë në bazë të atyre kushteve që fillimisht ka bërë kur ka rekomanduar për dhënie të kontratës OE-të për aktivitetin e prokurimit në fjalë, dhe në pajtim me LPP-në. AK obligohet të rekomandojë për dhënie të kontratës vetëm ata operatorë ekonomik që janë të përgjegjshëm.

Paneli shqyrtues sqaron se arsyeja e mosmarrjes së një vendimi ashtu siç parashihet me nenin 131 të LPP-së për aktivitetin e prokurimit në fjalë, nga ana e OSHP/së është mbrojtja e operatorëve ekonomik dhe mos dëmtimi i tyre duke u bazuar në faktin se AK nuk ka gjetur arsye për eliminimin e tyre si operatorë ekonomik që nuk plotësojnë kërkesat e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë (pra AK nuk e ka anuluar aktivitetin e prokurimit duke u bazuar në faktin se për aktivitetin e prokurimit asnjë nga OE-të pjesëmarrëse nuk është i përgjegjshëm). Andaj, paneli shqyrtues i jep mundësinë e fundit autoritetit kontraktues që të përmirësojë shkeljet e bëra nga ta për mosrespektim të dispozitave të LPP-së dhe vendimeve të marra nga OSHP, në mënyrë që operatorët ekonomik pjesëmarrës mos të dëmtohen nga aktiviteti i prokurimit në fjalë, në të kundërtën është hera e fundit që OSHP i bën me dije autoritetit kontraktues se mosrespektimi i këtij vendimi e detyron panelin shqyrtues që të veprojë në pajtim me nenin 131 të LPP-së dhe 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së.

Shkeljet e njëpasnjëshme

I gjithë tenderi, me të gjitha lotët kap vlerën e rreth 2.2 milionë eurove për një vit. Derisa pjesët tjerat të tenderit ishin realizuar me suksese nga Ministria. Më datë 06.04.2018, Zyra e Prokurimit të MIT-së e kishte shpallur fitues për dy lote kompaninë “Select Prima”, për lot 2, lot 3.

Më pas ka pasur ankesa vazhdimisht në OSHP për lot 2 dhe 3. OSHP kishte marrë vendim që tenderët të ktheheshin në rivlerësim, pasi kishte miratuar ankesat e kompanive ankuese duke konstatuar kështu shkelje të ligjit. Ministria e kishte zbatuar këtë vendim dhe më 20.06. 2018, për lot 2 përsëri e kishte shpallur fitues “Selct Prima”, ndërsa për lot 3, grup i Operatorëve Ekonomik: “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.Përsëri ka pasur ankesa në OSHP nga kompanitë ankuese me të njëjtat pretendime për shkelje të ligjit dhe si rrjedhojë Ministria nuk ka mundur të nënshkruaj kontratën, pasi lënda ka përfunduar në OSHP. Ky organ ka konstatuar shkeljet e njëjta dhe ka lëshuar urdhëresë që të zbatohet vendimi i vet. Ministria e ka anuluar njoftimin e vetë dhe ka mbajtur në rivlerësim tenderin për 4 muaj për lot 2 dhe 3. Më datë 24.08. 2018, ka bërë njoftim për ‘dhënie të kontratës’, pasi e kishte rivlerësuar tenderin, dhe përsëri i kishte shpallur “Select prima” fitues për lot 2 dhe për lot 3 grupin e operatorëve ekonomik “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.

Përsëri ka pasur ankesa nga kompanitë për shkelje të njëjta. Dhe përsëri OSHP-ja ka marrë vendim të njëjtë, që lënda të kthehet në rivlerësim dhe mos të shpërblehen me kontratë ato kompani për lot 2 dhe 3, pasi ishin të pa përgjegjshme.

Në fillim të muajt prill, Ministria ka lëshuar njoftim për ‘anulimin e aktivitetit të prokurimit’ për lot 2 dhe lot 3, me arsyetimin se nuk ka asnjë ofertë të përgjegjshme, ani pse disa herë kishte shpallur fituesit duke i cilësuar kompanitë si të përgjegjshëm. Tash, Ministria e ka përdorur të njëjtin arsyetim sikurse të kompanive ankuese kur e ka eliminuar nga gara kompaninë “Select Prima” për lot 2 dhe “Arbotec” & “Malsija”.

Asnjëra prej kompanive nuk është pajtuar që të anulohet tenderi dhe përsëri janë ankuar në OSHP. Më 19 qershor OSHP-ja ka aprovuar ankesat e kompanive dhe e ka urdhëruar Autoritetin Kontraktuese që ta anuloi njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimi dhe lënda të kthehet në rivlerësim, kundruall vendimeve të më hershme të OSHP-së, pasi konsideronte se nuk janë krijuar kushtet që të anulohet i tërë proces, ka konsideruar se ka bazë ligjore për të shkuar më tutje.

Ministria vendosi që ta zbatojë këtë vendim që lenden ta kthejë në rivlerësim. E mbajti disa muaj në rivlerësim tenderin. Fillimisht, kërkoi zgjatje të validitetit të ofertave si një kategori ligjore. Ndërsa më datën 15. 11. 2019, zyra e prokurimit të MIT doli me njoftimin për dhënie të kontratës, ku shpalli fitues kompanitë “Sinjal RKS”, e cila është në konzorcium me kompanitë nga Shqipëria “IDK Kondtruksion & 2T”.

Disa herë kompani e papërgjegjshme, mandej e përgjegjshme

Në të gjitha rivlerësimet tjera për këtë tender për lot 2 dhe lot 3, komisioni i ministrisë e kishte shpallur si të papërgjegjshme ofertën e kompanisë “Sinjal RKS”.

Për shembull, në vendimin e datës 08.04. 2019, kur e kishte shpallur si të papërgjegjshme këtë ofertë, kishte shkruar se hedhet poshtë oferta e tyre pasi që “Në dosjen e tenderit tek Fleta e të dhënave Neni 13.1 është kërkuar, sigurimi i tenderit sipas Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ Neni 39. Sqarimi i Tenderëve. Nëse Sigurimi i tenderëve nuk përmban kushtet e përcaktuar sipas formës standarde pjesa e Dosjes së Tenderit, Refuzo tenderin pa kërkuar informacione të mëtutjeshme.”

Edhe në vendimin datës 16. 07. 2019, Ministria i kishte vlerësuar përsëri të gjitha ofertat si të pa përgjegjshme. Ndryshe nga hera e kaluar, me pas kishte dhënë një arsyeje shumë më të fuqishme kur e kishte anuluar ofertën e “Sinjal RKS”. Komisioni i ministrisë kishte vlerësuar se kjo kompani ka ofruar çmime manipulative, në pjesën e 2 pozicioni 1.1 ka ofruar çmim 0.80 euro, 1.2 ka ofruar çmim 0.80 euro dhe pjesa 3, pozicioni 1.1 ka ofruar çmim 1.10 euro, 1.2 ka ofruar çmim 1.10 euro, gjithashtu në pjesën 2 në pozicionin 1.4 ka ofruar çmim 0.15 euro, etj.

Kohë më parë lajmi.net kishte kërkuar informacione nga MIT lidhur me vendimet e ndryshme të komisionit vlerësues, si dhe qasje në paramasat e ofertës së kompanive të rekomanduar për kontratë për lot 2 dhe lot 3, por zyra e informim të MIT ka thënë se këto informata mund t’i bëjë të ditura kur të përfundojë procesi.

“Lidhur me kërkesën tuaj për qasje në dokumente publike, të pranuar më 18 nëntor 2019, ju informojmë si në vijim: Ky proces është në prokurim dhe, në momentin e përfundimit të procedurave të prokurimit, do të ju njoftojmë rreth qasjes në dokumentet e kërkuara”, thuhej në përgjigjen e MIT për lajmi.net.

Para dy vendimeve të fundit për anulim të procedurës së prokurimit, pra në vendimin kur ishte rekomanduar për kontratë kompania “Sinjal RKS”, thuhet se ka qenë oferta më e lira e përgjegjshme sesa e dy kompanive të tjera të përgjegjshme “Sinjal Papemburgu Ardiani” dhe “RSM Company”, ndërsa kompanitë si “Select Prima”, “Doreart”, “Arbotec Malsija”, “ITK” etj, janë eliminuar si të papërgjegjshme.

Megjithëkëtë, lajmi.net ka arritur të shohë paramasat kompanisë “Sinjal RKS” për lot 2, dhe kjo kompani është më e shtrenjtë se oferta e kompanisë “RSM Company”, e cila në vendimin e fundit është shpallur si e përgjegjshme, por më çmim më të shtrenjtë, ndërkohë kjo kompani në të gjitha vlerësimet ishte shpallur si e papërgjegjshme.

Sipas paramasve “Sinjal” për lot 2, ka ofertë të përgjithshme në vlerë prej 321 mijë euro, që për tri vite del shuma prej 963 mijë euro. Për lot 3 e ka ofertën në vlerë prej 431 mijë euro, që për tri vite i bie 1 milion e 293 mijë euro, ose mbi 2.2 milionë euro për tri vite të dy ofertat.

Sipas paramasave të tjera që i ka parë lajmi.net, për lot 2, kompania “RSM” ka pasur ofertë në vlerë prej 227 mijë euro, për tri vite 618 mijë euro, ose 345 mijë euro më lirë sesa oferta e Sinjalit. Për lot 3, “RSM| ka ofertë në vlerë prej 257 mijë e 199 euro, për tri vite 771 mijë e 597 euro, ose 520 mijë euro më të lirë se të Sinjalit. Pra, buxheti të cilin do e keqpërdorte ministria do të ishte 865 mijë euro, pasi që kaq është shuma e “RSM Company” se për tri vite më e lirë se e Sinjali në të dy ofertat.

Sado që është shpallur si e papërgjegjshme në vendimin e fundit të komisionit, edhe “Select Prima” ka pasur ofertë më të lirë për lot 2, në vlerë prej 253 mijë euro për një vit. 759 euro për tri vite. Për lot 3 ka ofertë 148 mijë e 682 euro, ose 446 mijë euro për tre vite. Kjo kompani ishte shpallur fituese dy herë nga MIT, dhe lajmi.net kishte raportuar për afërsinë e një zyrtari të MIT me këtë kompani, por më pas ishte shpallur e papërgjegjshme në vendimet e MIT. Megjithëkëtë, kjo kompani është duke punuar në disa pjesë të Kosovës, pasi kishte arritur ta fitonte lot 8.

Edhe kompania tjetër që është duke punuar në dy lote, kompania “ITK” e ka pasur ofertën më të lirë për lot 2, ose 183 mijë euro për një vit, për tri vite 549 mijë euro. Për lot 3 ka ofertë totale për një vit 188 mijë e 530 euro, që kap vlerën 565 mijë euro për tri vite. Të dy ofertat kapin vlerën 1.1 milion euro, ose mbi 1 milion euro më lirë se e kompanive të rekomanduar për kontratë. Por, kjo kompani në është shpallur e papërgjegjshme për shkak, siç është thënë, numrit të pamjaftueshëm të punëtorëve.

Pas këtij vendimi ose saktë në tri vendime, MI e kishte anuluar tërë procesin duke thënë se nuk ishte korrigjuar dosja e tenderit që nga viti 2017. OSHP-ja e urdhëronte që lëndën ta kthente në rivlerësim dhe të shpallte një fitues të përgjegjshëm, MI-ja e kthente në rivlerësim tenderin duke e lënë në fuqi vendimin e vetë për anulim, derisa në herën e fundit OSHP-ja konstatoi se “arsyeja e mos marrjes së një vendimi ashtu siç parashihet me nenin 131 të LPP-së për aktivitetin e prokurimit në fjalë, nga ana e OSHP/së është mbrojtja e operatorëve ekonomik dhe mos dëmtimi i tyre duke u bazuar në faktin se AK nuk ka gjetur arsyeje për eliminimin e tyre si operator ekonomik që nuk plotësojnë kërkesat e dosjes së tenderit dhe njoftimit për kontratë (pra AK nuk e ka anuluar aktivitetin e prokurimit duke u bazuar në faktin se për aktivitetin e prokurimit asnjë nga OE-të pjesëmarrës nuk është i përgjegjshëm). Andaj, paneli shqyrtues i jep mundësinë e fundit autoritetit kontraktues që të përmirësojë shkeljet e bëra nga ta për mosrespektim të dispozitave të LPP-së dhe vendimeve të marra nga OSHP, në mënyrë që operatorët ekonomik pjesëmarrës mos të dëmtohen nga aktiviteti i prokurimit në fjalë, në të kundërtën është hera e fundit që OSHP i bën me dije autoritetit kontraktues se mosrespektimi i këtij vendimi e detyron panelin shqyrtues që të veprojë në pajtim me nenin 131 të LPP-së dhe 25 paragrafi 8 dhe 9 të LPP-së”.

Ndërsa, AK-ja ne vendimin e 31 gushtit tha se asnjë prej kompanive nuk është e përgjegjshme. Mbi bazën e këtij vendimi bëri njoftim në KRPP për anulimin e këtij aktiviteti të tenderi.

Qe dy vite 700 kilometra rrugë nacionale janë pa sinjalizim.

Janë mbi 700 kilometra rrugë që bien në përgjegjësinë e ministrisë së Infrastrukturës për të cilat nuk ka asnjë kompani të kontraktuar për mirëmbajtjes e sinjalistikës së tyre qe rreth dy vite, në pjesën lot 2 dhe lot 3.

Sinjalizimi i rrugëve për lot 2 është paraparë që të mbulojë këto rrugë:

Mutivodë –Prishtinë –Pejë M-9 ….. 157.00 km

Bellopoj –Istog –Vrellë R – 103 …..22.00 km

Klinë –Burim R 104 ….. 45.00 km

Skenderaj – Klinë –Vushtrri ….. 48.00 km

Pejë –Kullë R-106 ….. 26.50 km

Arllat –Rahovec –Xerxë R -110 ….. 38. 00 km.

Sipas pjesës së tretë të tenderit, për mirëmbajtjen të sinjalistikës janë paraparë këto rrugë:

M-9 Dollës –Ponoshec ….. 51.00 km

R- 107 Pejë –Prizren ….. 70.00 km

R-109 dDecan –Junik –Ponoshec ….. 18.00 km

R-111 Kramavik –Xerxë ….. 38.00 km

R-119 Kijevë –Malishevë –Dulë ….. 28. 00 km

R-120 Leban –Janjevë ….. 55.00 km

R121 Raushiq –Gllogjan –Zajm ….. 27. 30 km

R-129 Mitrovicë –Bajgorë ….. 35.00 km

R-220 Mitrovicë –Prill –Shkabaj ….. 32. 50 km

Për këto pjesë (lote) po nevojiten këto pozicione: 1, tërheqja e vijës së mesit e ndërprerë, 2. tërheqja e vijës së pandërprerë, 3. tërheqja e vijave kufizuese, 4. punimi i vijave të stopit, 5. Punimi i vijave të rreshtimit, 6. Punimi i ishujve dhe vendkalimeve, 7. Punimi i shigjetave dhe mbishkrimeve.

Derisa të realizohet ky tender, qytetarët janë të rrezikuara çdo ditë në komunikacion nga mungesa e shenjave udhërrëfyese, të cilat janë të jetike sidomos natën/Mentor Buzhala-Lajmi.net/