A ka një hetues për tenderin e sinjalistikës në Ministrinë e Infrastrukturës?

Në shumë rrugë nacionale të Kosovës, shoferët po orientohen përmendesh në trafik. Janë qindra kilometra rrugë ku në asfalt nuk ka asnjë vijë.

Lajme

20/11/2019 09:41

Në Kosovë dallaveret me tender zakonisht bëhen në mënyrë diskrete. Por, ministria e Infrastrukturës po bënë dallavere haptazi, në kurriz të qytetarëve të Kosovës. Mbi dy vite ky institucion po e mban peng për hesape të veta tenderin për sinjalizimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës, shkruan lajmi.net.

Lot 2 dhe lot 3 janë pjesët e tenderit që MIT nuk po arrin t’i finalizojë, në to përfshihen rreth 700 kilometra rrugë në Dukagjin, një pjesë kah Skenderaj e Mitrovica që janë nën përgjegjësinë e ministrisë së Infrastrukturës dhe janë tërësisht pa mirëmbajtje sinjalsitike.

Ministria ka arritur të shpallë fituesit për pjesën 2 dhe 3 për herën e pestë ose të gjashtë në dy vitet e fundit. Në vitin e kaluar disa herë i kishte shpallur fitues kompanitë e njëjta, pas ankesave të bëra njëherë në ministri e më pas në Organin Shqyrtues të Prokurimit, nga ana e kompanive ankuese, Ministria kishte vendosur të anulonte krejtësisht procedurën tenderuese me arsyetimin se nuk e ka asnjë kompani të përgjegjshme për këtë punë, ani pse dy tri herë disa kompani i kishte nxjerr si të përgjegjshme.

Para katër ditëve MIT ka shpallur fituesit e rinj për lot 2 dhe lot 3, kompaninë “Sinjal RKS”, e cila është në konzorcium me kompanitë nga Shqipëria, të cilat e kanë mbështetur me dokumentacion “IDK Kondtruksion & 2T”. Ministria ka thënë se e ka shpallur fitues ofertën më të lirë, por lajmi.net ka zbuluar se kjo ofertë nuk ka qenë më e lira.

Shkeljet e një pas njëshme

I gjithë tenderi, me të gjitha lotët kap vlerën e rreth 2.2 milionë eurove për një vit. Derisa pjesët tjerat të tenderit ishin realizuar me suksese nga Ministria. Më datë 06.04.2018, Zyra e Prokurimit të MIT-së e kishte shpallur fitues për dy lote kompaninë “Select Prima”, për lot 2, lot 3.

Më pas ka pasur ankesa vazhdimisht në OSHP për lot 2 dhe 3. OSHP kishte marrë vendim që tenderët të ktheheshin në rivlerësim, pasi kishte miratuar ankesat e kompanive ankuese duke konstatuar kështu shkelje të ligjit. Ministria e kishte zbatuar këtë vendim dhe më 20.06. 2018, për lot 2 përsëri e kishte shpallur fitues “Selct Prima”, ndërsa për lot 3, grup i Operatorëve Ekonomik: “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.

Përsëri ka pasur ankesa në OSHP nga kompanitë ankuese me të njëjtat pretendime për shkelje të ligjit dhe si rrjedhojë Ministria nuk ka mundur të nënshkruaj kontratën, pasi lënda ka përfunduar në OSHP. Ky organ ka konstatuar shkeljet e njëjta dhe ka lëshuar urdhëresë që të zbatohet vendimi i vet. Ministria e ka anuluar njoftimin e vetë dhe ka mbajtur në rivlerësim tenderin për 4 muaj për lot 2 dhe 3. Më datë 24.08. 2018, ka bërë njoftim për ‘dhënie të kontratës’, pasi e kishte rivlerësuar tenderin, dhe përsëri i kishte shpallur “Select prima” fitues për lot 2 dhe për lot 3 grupin e operatorëve ekonomik “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.

Përsëri ka pasur ankesa nga kompanitë për shkelje të njëjta. Dhe përsëri OSHP-ja ka marrë vendim të njëjtë, që lënda të kthehet në rivlerësim dhe mos të shpërblehen me kontratë ato kompani për lot 2 dhe 3, pasi ishin të pa përgjegjshme.

Në fillim të muajt prill, Ministria ka lëshuar njoftim për ‘anulimin e aktivitetit të prokurimit’ për lot 2 dhe lot 3, me arsyetimin se nuk ka asnjë ofertë të përgjegjshme, ani pse disa herë kishte shpallur fituesit duke i cilësuar kompanitë si të përgjegjshëm. Tash, Ministria e ka përdorur të njëjtin arsyetim sikurse të kompanive ankuese kur e ka eliminuar nga gara kompaninë “Select Prima” për lot 2 dhe “Arbotec” & “Malsija”.

Asnjëra prej kompanive nuk është pajtuar që të anulohet tenderi dhe përsëri janë ankuar në OSHP. Më 19 qershor OSHP-ja ka aprovuar ankesat e kompanive dhe e ka urdhëruar Autoritetin Kontraktuese që ta anuloi njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimi dhe lënda të kthehet në rivlerësim, kundruall vendimeve të më hershme të OSHP-së, pasi konsideronte se nuk janë krijuar kushtet që të anulohet i tërë proces, ka konsideruar se ka bazë ligjore për të shkuar më tutje.

Ministria vendosi që ta zbatojë këtë vendim që lenden ta kthejë në rivlerësim. E mbajti disa muaj në rivlerësim tenderin. Fillimisht, kërkoi zgjatje të validitetit të ofertave si një kategori ligjore. Ndërsa më datën 15. 11. 2019, zyra e prokurimit të MIT doli me njoftimin për dhënie të kontratës, ku shpalli fitues kompanitë “Sinjal RKS”, e cila është në konzorcium me kompanitë nga Shqipëria “IDK Kondtruksion & 2T”.

Disa herë kompani e pa përgjegjshme, tash e përgjegjshme

Në të gjitha rivlerësimet tjera për këtë tender për lot 2 dhe lot 3, komisioni i ministrisë e kishte shpallur si të pa përgjegjshme ofertën e kompanisë “Sinjal RKS”.

Për shembull, në vendimin e datës 08.04. 2019, kur e kishte shpallur si të pa përgjegjshme këtë ofertë, kishte shkruar se hedhet poshtë oferta e tyre pasi që “Në dosjen e tenderit tek Fleta e të dhënave Neni 13.1 është kërkuar, sigurimi i tenderit sipas Rregullores dhe Udhëzuesit Operativ Neni 39. Sqarimi i Tenderëve. Nëse Sigurimi i tenderëve nuk përmban kushtet e përcaktuar sipas formës standarde pjesa e Dosjes së Tenderit, Refuzo tenderin pa kërkuar informacione të mëtutjeshme.”

Edhe në vendimin datës 16. 07. 2019, Ministria i kishte vlerësuar përsëri të gjitha ofertat si të pa përgjegjshme. Ndryshe nga hera e kaluar, tash e kishte dhënë një arsyeje shumë më të fuqishme kur e kishte anuluar ofertën e “Sinjal RKS”. Komisioni i ministrisë kishte vlerësuar se kjo kompani ka ofruar çmime manipulative, në pjesën e 2 pozicioni 1.1 ka ofruar çmim 0.80 euro, 1.2 ka ofruar çmim 0.80 euro dhe pjesa 3, pozicioni 1.1 ka ofruar çmim 1.10 euro, 1.2 ka ofruar çmim 1.10 euro, gjithashtu në pjesën 2 në pozicionin 1.4 ka ofruar çmim 0.15 euro, etj.

Lajmi.net ka kërkuar informacione nga MIT lidhur me vendimet e ndryshme të komisionit vlerësues, si dhe qasje në paramasat e ofertës së kompanive të rekomanduar për kontratë për lot 2 dhe lot 3, por zyra e informim të MIT ka thënë se këto informata mund t’i bëjë të ditura kur të përfundojë procesi.

“Lidhur me kërkesën tuaj për qasje në dokumente publike, të pranuar më 18 nëntor 2019, ju informojmë si në vijim: Ky proces është në prokurim dhe, në momentin e përfundimit të procedurave të prokurimit, do të ju njoftojmë rreth qasjes në dokumentet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e MIT për lajmi.net.

Në vendimin e fundit të ministrisë, kur është rekomanduar për kontratë kompania “Sinjal RKS”, thuhet se ka qenë oferta më e lira e përgjegjshme sesa e dy kompanive të tjera të përgjegjshme “Sinjal Papemburgu Ardiani” dhe “RSM Company”, ndërsa kompanitë si “Select Prima”, “Doreart”, “Arbotec Malsija”, “ITK” etj, janë eliminuar si të papërgjegjshme.

Megjithëkëtë, lajmi.net ka arritur të shohë paramasat kompanisë “Sinjal RKS” për lot 2, dhe kjo kompani është më e shtrenjtë se oferta e kompanisë “RSM Company”, e cila në vendimin e fundit është shpallur si e përgjegjshme, por më çmim më të shtrenjte, ndërkohe kjo kompani në të gjitha vlerësimet ishte shpallur si e pa përgjegjshme.

Sipas paramasve “Sinjal” për lot 2, ka ofertë të përgjithshme në vlerë prej 321 mijë euro, që për tri vite del shuma prej 963 mijë euro. Për lot 3 e ka ofertën në vlerë prej 431 mijë euro, që për tri vite i bie 1 milion e 293 mijë euro, ose mbi 2.2 milionë euro për tri vite të dy ofertat.

Sipas paramasave të tjera që i ka parë lajmi.net, për lot 2, kompania “RSM” ka pasur ofertë në vlerë prej 227 mijë euro, për tri vite 618 mijë euro, ose 345 mijë euro më lirë sesa oferta e Sinjalit. Për lot 3, “RSM| ka ofertë në vlerë prej 257 mijë e 199 euro, për tri vite 771 mijë e 597 euro, ose 520 mijë euro më të lirë se të Sinjalit. Pra, buxheti të cilin do e keqpërdorte ministria do të ishte 865 mijë euro, pasi që kaq është shuma e “RSM Company” se për tri vite më e lirë se e Sinjali në të dy ofertat.

Sa do që është shpallur si e papërgjegjshme në vendimin e fundit të komisionit, edhe “Select Prima” ka pasur ofertë më të lirë për lot 2, në vlerë prej 253 mijë euro për një vit. 759 euro për tri vite. Për lot 3 ka ofertë 148 mijë e 682 euro, ose 446 mijë euro për tre vite. Kjo kompani ishte shpallur fituese dy herë nga MIT, dhe lajmi.net kishte raportuar për afërsinë e një zyrtari të MIT me këtë kompani, por më pas ishte shpallur e papërgjegjshme në vendimet e MIT.Megjithëkëtë, kjo kompani është duke punuar në disa pjesë të Kosovës, pasi kishte arritur ta fitonte lot 8.

Edhe kompania tjetër që është duke punuar në dy lote, kompania “ITK” e ka pasur ofertën më të lirë për lot 2, ose 183 mijë euro për një vit, për tri vite 549 mijë euro. Për lot 3 ka ofertë totale për një vit 188 mijë e 530 euro, që kap vlerën 565 mijë euro për tri vite. Të dy ofertat kapin vlerën 1.1 milion euro, ose mbi 1 milion euro më lirë se e kompanive të rekomanduar për kontratë. Por, kjo kompani në është shpallur e papërgjegjshme për shkak, siç është thënë, numrit të pamjaftueshëm të punëtorëve.

Qe dy vite 700 kilometra rrugë nacionale janë pa sinjalizim

Janë mbi 700 kilometra rrugë që bien në përgjegjësinë e ministrisë së Infrastrukturës për të cilat nuk ka asnjë kompani të kontraktuar për mirëmbajtjes e sinjalistikës së tyre qe rreth dy vite, në pjesën lot 2 dhe lot 3.

Sinjalizimi i rrugëve për lot 2 është paraparë që të mbulojë këto rrugë:

Mutivodë –Prishtinë –Pejë M-9 ….. 157.00 km

Bellopoj –Istog –Vrellë R – 103 …..22.00 km

Klinë –Burim R 104 ….. 45.00 km

Skenderaj – Klinë –Vushtrri ….. 48.00 km

Pejë –Kullë R-106 ….. 26.50 km

Arllat –Rahovec –Xerxë R -110 ….. 38. 00 km.

Sipas pjesës së tretë të tenderit, për mirëmbajtjen të sinjalistikës janë paraparë këto rrugë:

M-9 Dollës –Ponoshec ….. 51.00 km

R- 107 Pejë –Prizren ….. 70.00 km

R-109 dDecan –Junik –Ponoshec ….. 18.00 km

R-111 Kramavik –Xerxë ….. 38.00 km

R-119 Kijevë –Malishevë –Dulë ….. 28. 00 km

R-120 Leban –Janjevë ….. 55.00 km

R121 Raushiq –Gllogjan –Zajm ….. 27. 30 km

R-129 Mitrovicë –Bajgorë ….. 35.00 km

R-220 Mitrovicë –Prill –Shkabaj ….. 32. 50 km

Për këto pjesë (lote) po nevojiten këto pozicione: 1, tërheqja e vijës së mesit e ndërprerë, 2. tërheqja e vijës së pandërprerë, 3. tërheqja e vijave kufizuese, 4. punimi i vijave të stopit, 5. Punimi i vijave të rreshtimit, 6. Punimi i ishujve dhe vendkalimeve, 7. Punimi i shigjetave dhe mbishkrimeve.

Para disa javëve lajmi.net kishte kërkuar statistika nga policia e Kosovës lidhur me aksidentet që ndodhin në trafik si pasojë e mungesës ose dëmtimit të shenjave udhërrëfyese.

“Lidhur me vendosjen apo mungesën e sinjalistikës, t’i adresoheni autoriteteve kompetente në nivele lokale dhe Ministrisë kompetente në nivele qendror. Ne si PK, varësisht nga informacionet apo të gjeturave në terren ju adresojmë rekomandime institucioneve kompetente në fjalë”, thuhej në një përgjigje të Policisë së Kosovës.

Derisa të realizohet ky tender, qytetarët janë të rrezikuara çdo ditë në komunikacion nga mungesa e shenjave udhërrëfyese, të cilat janë të jetike sidomos natën. /M.B-Lajmi.net/

Vendimet për RSM

I fundit

I datës 8. 04 .2019

I datës 16. 17 .2019