I përpiloi kriteret e tenderit, më pas zyrtari i ministrisë bëhet pronar i kompanisë fituese
Një skandal është duke e shoqëruar Ministrinë e Infrastrukturës për tenderin “Sinjalizim dhe mirëmbajtja në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës”. Dy pjesë të këtij tenderi që përfshin rreth 700 km rrugë akoma nuk janë realizuar për shkak të shkeljeve që po bën ministria në vlerësimin e ofertave.
Lajme
Para pak muajve ka dhënë dorëheqje zyrtari shumëvjeçar në Ministrinë e Infrastrukturës, Ramadan Mazrekaj.
Që nga themelimi i ministrisë, ai ka punuar si zyrtar i lartë për siguri rrugore në drejtorinë për Menaxhimin e Rrugëve, shkruan lajmi.net.
Si zyrtar i ministrisë, ishte njëri prej atyre që ka përpiluar kriteret teknike për tenderin “Sinjalizimi dhe mirëmbajtja në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovë”.
Tenderi ka qenë i ndarë në disa pjesë, derisa shumica e pjesëve –kontratave janë nënshkruar me kompani të ndryshme (2018), dy pjesë lot 2 dhe lot 3 akoma nuk janë nënshkruar.
Një lot të këtij tenderi, konkretisht lot 8 e ka fituar kompania “Select Prima”, e cila kur ishte fituar tenderi për pronar e ka pasur Idiz Përgjegjaj me 100 për qind të aksioneve.

Lajmi.net kishte raportuar se Përgjegjaj ishte dhëndri i zyrtarit që kishte shkruar kriteret, madje dyshimet edhe atëherë ishin se kompania ishte në pronësi të vetë Ramadan Mazrekajt dhe vëllezërve të tij, ndonëse jo me letra. Kjo pasi në OSHP, në një rast në emër të kompanisë ishte paraqitur njëri prej vëllezërve të zyrtarit të ministrisë.
Lajmi.net ka mësuar se para pak muajve zyrtari i ministrisë, Ramadan Mazrekaj ka dhënë dorëheqje nga minsitria.
Ministria e Infrastrukturës nuk ka dashur të jap detaje për dorëheqjen e tij, si dhe në disa interesime tjera të redaksisë. Por, në aktin e dorëheqjes ai ka shkruar se po e bën për arsye personale.
Tash Mazrekaj edhe zyrtarisht figuron si pronar në kompaninë “Select Prima”, e cila fitoi tender nga ministria, kontratë kjo që është duke vazhduar.
Sipas ueb-faqes në ARBK-së, Ramadan Mazrekaj posedon 33, 33 për qind të kapitalit. Emrush Mazrekaj 33, 34 për qind. Mujë Mazrekaj 33, 34 për qind të kapitalit. Kurse, ish-pronari Idriz Përgjegjaj figuron si përfaqësues i autorizuar në kompani.

Pjesëmarrja e tij në përpilimin e kritereve për tenderin e sinjalistikës dhe më pastaj pjesëmarrja në tender e kompanisë se tij brenda ministrisë bie ndesh me nenin e parë të Ligjit të Prokurimit Publik.
“Ky ligj gjithashtu ka për qëllim të siguroj integritetin dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publik, nëpunësve civil dhe personave të tjerë që kryejnë ose janë të përfshirë në një aktivitet të prokurimit duke kërkuar që, vendimet e individëve të tillë dhe baza ligjore e faktike për vendimet e tilla, të mos ndikohen nga interesat personale, të karakterizohet me jo-diskriminim dhe me një shkallë të lart të transparencës dhe, të jenë në përputhje me kërkesat procedurale dhe qenësore të këtij ligji”, thuhet ne nenin 1 të LPP-së.
I gjithë tenderi, me të gjitha pjesët kap vlerën e rreth 2.2 milionë eurove. Derisa pjesët tjerat të tenderit ishin realizuar me suksese nga ministria, zyra e Prokurimit të MIT-së e kishte shpallur fitues edhe për dy lote kompaninë “Select Prima”, për lot 2, lot 3. Kjo përzgjedhje u vlerësua si e kundërligjshme. Pasi ka pasur ankesa vazhdimisht në OSHP për lot 2 dhe 3.
OSHP kishte marrë vendim që tenderët të ktheheshin në rivlerësim, pasi kishte miratuar ankesat e kompanive ankuese duke konstatuar kështu shkelje të ligjit. Ministria e kishte zbatuar këtë vendim dhe më 20.06.2018, për lot 2 përsëri e kishte shpallur fitues “Selct Prima”, ndërsa për lot 3, grup i Operatorëve Ekonomik: “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.
Përsëri ka pasur ankesa në OSHP nga kompanitë ankuese me të njëjtat pretendime për shkelje të ligjit dhe si rrjedhojë ministria nuk ka mundur të nënshkruajë kontratën, pasi lënda ka përfunduar në OSHP. Ky organ ka konstatuar shkeljet e njëjta dhe ka lëshuar urdhëresë që të zbatohet vendimi i vet. Ministria e ka anuluar njoftimin e vetë dhe ka mbajtur në rivlerësim tenderin për 4 muaj për lot 2 dhe 3. Më datë 24.08. 2018, ka bërë njoftim për ‘dhënie të kontratës’, pasi e kishte rivlerësuar tenderin, dhe përsëri i kishte shpallur “Select prima” fitues për lot 2 dhe për lot 3 grupin e operatorëve ekonomik “Arbotec” SH.P.K.; N.P.G. “Malsija”.
Përsëri ka pasur ankesa nga kompanitë për shkelje të njëjta. Dhe përsëri OSHP-ja ka marrë vendim të njëjtë, që lënda të kthehet në rivlerësim dhe mos të shpërblehen me kontratë ato kompani për lot 2 dhe 3, pasi ishin të papërgjegjshme.
Në fillim të muajt prill, ministria ka lëshuar njoftim për ‘anulimin e aktivitetit të prokurimit’ për lot 2 dhe lot 3, me arsyetimin se nuk ka asnjë ofertë të përgjegjshme, ani pse disa herë kishte shpallur fituesit duke i cilësuar kompanitë si të përgjegjshëm.
Asnjëra prej kompanive nuk është pajtuar që të anulohet tenderi dhe përsëri janë ankuar në OSHP. Më 19 qershor OSHP-ja ka aprovuar ankesat e kompanive dhe e ka urdhëruar Autoritetin Kontraktues që ta anulojë njoftimin për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimi dhe lënda të kthehet në rivlerësim, kundruall vendimeve të më hershme të OSHP-së, pasi konsideronte se nuk janë krijuar kushtet që të anulohet i tërë proces, ka konsideruar se ka bazë ligjore për të shkuar më tutje.
Ministria vendosi që ta zbatojë këtë vendim që lëndën ta kthejë në rivlerësim. E mbajti disa muaj në rivlerësim tenderin. Fillimisht, kërkoi zgjatje të validitetit të ofertave si një kategori ligjore. Ndërsa më datën 15. 11. 2019, zyra e prokurimit të MIT-së doli me njoftimin për dhënie të kontratës, ku shpalli fitues kompanitë “Sinjal RKS”, e cila është në konsorcium me kompanitë nga Shqipëria “IDK Kondtruksion & 2T”. Kjo ofertë ishte vlerësuar disa herë e papërgjegjshme nga ana e mistrisë.
Përsëri pati ankesa në OSHP dhe përsëri ky organ gjeti shkelje ku e urdhëroi AK-në ta ktheje në rivlerësim tenderin.
Pasi e ktheu në rivlerësim tenderin, ministria vendosi ta anulojë aktivitetin e prokurimit për lot 2 dhe 3.
“Pas hapjes së tenderëve një shkelje e LPP-së ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurat e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit: Më datën 01.08.2017 është publikuar njoftimi për kontratë, ndërsa më datën 21.08.2017, 31.08.2017, 04.09.2017, 07.09. 2017 dhe 11.04.2018 është bërë korrigjimi i njoftimit për kontratë, mirëpo dosja e tenderit nuk është korrigjuar asnjëherë”, thuhet në një pjesë të arsyetimit të anulimit.
Ky vendim i ministrisë binte ndesh me vendimin e mëparshëm për zgjedhjen e operatorëve tjerë më të cilët ka nënshkruar kontrata, pasi korrigjimi i dosjes do të vlente edhe për kompanitë më të cilat ka nënshkruar kontrata.
Kësisoj përsëri ka pasur ankesa në OSHP dhe ky organ e urdhëroi ministrinë që lëndën ta kthejë në rivlerësim dhe të shpall fituesit për dy pjesë. MI-ja e përfilli vendimin, por përsëri e anuloi aktivitetin e prokurimit.
Përsëri pati ankesa në OSHP të cilat aktualisht janë në procesin e trajtimit. Këtë herë ankesë ka ushtruar edhe kompania “Select Prima”, e cila tash për pronar legjitim e ka edhe Ramadan Mazrekajn.
Kompania “Select Prima” është në garë edhe për një tender tjetër në Ministrinë e Infrastrukturës
“Furnizimi dhe montimi i ndriçimit në Autostradën Morinë-Merdare, R7” quhet tenderi për të cilin ministria ka ndarë 1 milionë euro.
“Select Prima” para pak ditëve është ankuar në OSHP, duke konsideruar se ministria ka bërë shkelje në vendosjen e kritereve. OSHP-ja ka miratuar ankesën e kësaj kompanie dhe e ka urdhëruar ministrinë të bëjë përmirësimin e kritereve.
Ministria më 25 mars 2020 ka bërë njoftim për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara. /Mentor Buzhala-Lajmi.net/
Tenderi i sinjalizimit /Pritet që OSHP të marrë masa ndaj shefes së prokurimit dhe ministrisë