Rritet konsumi i energjisë, përgjysmohet prodhimi i thëngjillit në qershor
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për sektorin e energjisë për muajin qershor 2026, ku vërehet një rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike, ndërsa prodhimi i thëngjillit ka shënuar rënie të madhe. Sipas ASK-së, konsumi i energjisë elektrike në qershor arriti në 369.51 GWh, që paraqet rritje prej 21.63…
Lajme
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për sektorin e energjisë për muajin qershor 2026, ku vërehet një rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë elektrike, ndërsa prodhimi i thëngjillit ka shënuar rënie të madhe.
Sipas ASK-së, konsumi i energjisë elektrike në qershor arriti në 369.51 GWh, që paraqet rritje prej 21.63 për qind krahasuar me qershorin e vitit 2025, transmeton lajmi.net.
Në të njëjtën kohë, prodhimi i thëngjillit ka rënë ndjeshëm. Gjatë qershorit 2026 janë prodhuar 210.90 mijë tonë thëngjill, apo 49.24 për qind më pak sesa në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Kjo rënie e prodhimit të thëngjillit vjen në një kohë kur kërkesa për energji elektrike është rritur, çka e bën më të rëndësishëm importin për mbulimin e nevojave të konsumit.
Në qershor, Kosova ka importuar 264.37 GWh energji elektrike, ndërsa ka eksportuar 237.98 GWh, ku në këtë shifër përfshihet edhe sasia e transmisionit.
Ndërkohë, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 451.46 GWh, me një rritje prej vetëm 1.86 për qind krahasuar me qershorin e vitit paraprak. Pra, përderisa konsumi është rritur me më shumë se një të pestën, energjia bruto në dispozicion ka shënuar rritje shumë më të vogël.
Një zhvillim pozitiv është regjistruar te hidrocentralet. Prodhimi bruto nga hidrocentralet në qershor ishte 32.83 GWh, duke u rritur për 114.51 për qind në raport me qershorin 2025.
Energjia nga burimet alternative përbënte 14.41 për qind të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike.
Të dhënat më shqetësuese janë rënia prej gati 50 për qind e prodhimit të thëngjillit dhe rritja prej mbi 21 për qind e konsumit, duke treguar një hendek të madh mes prodhimit vendor të një prej burimeve kryesore energjetike dhe kërkesës për energji.
Pasqyra e prodhimit, konsumit dhe raporti i energjisë elektrike Qershor 2026 / Qershor 2025

Struktura e konsumit të energjisë elektrike Qershor 2026
/lajmi.net/