Rrëfimi për babanë dhe dy vëllezërit e vrarë në Masakrën e Shtuticës

Më 30 prill të vitit 1999 forcat serbe vranë dhe masakruan 350 civilë shqiptarë, mes tyre edhe 24 fëmijë, në Drenas dhe fshatrat përreth.

Lajme

30/04/2021 19:45

Në mesin e tyre janë edhe babai dhe dy vëllezërit e Elhami Isufit i cili ka rrëfyer në  Klan Kosova se si ka ndodhur ngjarja e rëndë dhe momentin e vështirë kur ka kuptuar për vdekjen e tyre.

“Unë nuk kam qenë në fshat. Kam qenë si student në Prishtinë, por më pas jam larguar me tren në Bllacë dhe më pas në Maqedoni. Familjarët e tjerë kanë qenë në fshat. Babai ka qenë në malet që janë afër, ndërsa vëllai ka qenë me mësuesin Rifat në Malet e Baksit”.

“Përveç babait dhe vëllezërve më janë vrarë edhe katër djem të axhës. Babai me djemtë e axhës, Halitin dhe Dastanin, janë vrarë afër malit ku ishin strehuar. Vëllai i madh dhe vëllai i vogël bashkë me djalin e axhës kanë qenë në pjesën e Malit të Baksit ku edhe janë vrarë bashkë edhe me 18 kushërinj të tjerë që kanë qenë bashkë me ta”.

“Kam qenë në Maqedoni dhe normalisht vizitonim kampet e refugjatëve që vinin nga Kosova në kërkim të familjarëve tanë. Kësisoj nga të ardhurit nga fshati Shtuticë dhe fshatrat e tjerë përreth kemi marrë informacione se një pjesë e madhe e tyre janë vrarë. Vëllai që e kam dëshmor është vrarë, por nuk e ka ditur askush se ku. Tek pasi jam kthyer unë në Kosovë në muajin qershor një bashkëfshatar i fshatit Baks i ka gjetur eshtrat dhe na ka lajmëruar si familje. Unë bashkë me familjarët e tjerë kemi shkuar dhe i kemi marrë eshtrat e vëllait dhe djalit të axhës dhe më pas e kemi bërë rivarrimin e tyre”.

Isufi ka treguar edhe një histori shumë të dhimbshme ku në këtë masakër të 22 vjetëve më parë është vrarë edhe një kushëri i tij 13 vjeçar (Esat Ademi) dhe bashkë me të edhe të pesë burrat e familjes.