Ronaldinho, një gjeni i futbollit
Henrik Larsson thotë se Ronaldinho është bashkëlojtari më i mirë me të cilin ka luajtur ndonjëherë në karrierë. Ish sulmuesi suedez e ka kujtuar edhe periudhën kur e fitoi Ligën e Kampionëve me Barcelonën.

Sport
Henrik Larsson e konsideron triumfin në Ligën e Kampionëve me Barcelonën si kulmin e karrierës së tij, ndërsa e pranon se ky kompeticion është i dyti më i rëndësishëm në botë, vetëm pas Botërorit.
Legjenda suedeze ishte hero i vërtetë i Barcelonës në finalen e vitit 2006, kur kishte hyrë në pjesën e dytë dhe kishte dhuruar asistime për golat e Samuel Eto\’o e Juliano Belletti, të cilat ia mundësuan gjigantit katalunas ta mposht Arsenalin 2:1 në Paris.
“Nuk isha i kënaqur që nuk startoja titullar dhe nuk isha i sigurt nëse do të hyja gjatë lojës, por e lash në tribunë një lojtar si Lionel Messi”, deklaroi Larsson.
“Leo ishte mjaft i ri në atë periudhë dhe trajneri Rijkaard duhej të zgjidhte në mes meje dhe tij për një vend në bankinë dhe në fund Messi shkoi në tribunë dhe unë përfundova tek rezervistët”, shpjegon ai.
“Isha me fat që shërbeva asistime për Eto\’o e më pas për Belletti. Ai ishte goli i vetëm që Belletti e ka shënuar me Barcelonën dhe ishte në një kohë perfekte, të jemi të sinqertë”.
“Sa herë e dëgjoj himnin e Ligës së Kampionëve, e ndiej një kënaqësi. Ishte momenti më i mirë i karrierës sime, kur e fituam Championsin. Është gjëja më e madhe që mund ta fitosh, pas Botërorit”.
“Lojtari më i madh nga ish bashkëlojtarët ka qenë Ronaldinho. Kur isha në Barcelonë, ai ishte në kulmin e karrierës, ishte absolutisht fantastik, për gjërat që bënte me topin, por edhe për mënyrën se si dhuronte asistime. Jam mjaft krenar me faktin se ai më konsideron si idhullin e tij”, përfundoi Larsson.