Rinia përfaqëson Kosovën në Beograd
Përfaqësuesit e Këshillit Qendror për Veprim Rinor, janë ftuar nga Këshilli Rinor i Serbisë që të marrin pjesë në konferencën rajonale “Together We Grow”.
Lajme
Të rinjtë kosovarë do të përfaqësojnë sot shtetin e Kosovës në Beograd. Kryetari i Këshillit Qendror për Veprim Rinor (KQVR), Murat Murati dhe Sekretari i Përgjithshëm i këtij këshilli, Genc Berisha janë duke qëndruar në Beograd, ku janë ftuar të marrin pjesë në konferencën rajonale “Together We Grow”.
Kjo konferencë është organizuar nga Këshilli Rinor i Serbisë, në mbështetje të Misionit të OSBE’së në Serbi.
“Në këtë konferencë do të flitet për qëndrueshmërinë organizative dhe financiare të këshillave rinore, si dhe ka për qëllim të rritjen e bashkëpunimit rajonal të rrjeteve rinore”.
“Kjo konferencë është vazhdimësi e konferencës “Pjesëmarrja e rinisë në politik-bërje përmes struktura qendrore rinore” e cila ishte e organizuar në Prishtinë në korrik të vitit të kaluar”.
“Në këtë ngjarje, përveç Këshillit Rinor nga Kosova do marrin pjesë, edhe përfaqësuesit e këshillave rinore nga shtetet e rajonit Serbia, Kroacia, Sllovenia, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi”.
“Po ashtu do të jenë të pranishëm edhe akterë të rëndësishëm nga Ministria e Rinisë Kulturës dhe Sportit, Forumi Rinor Europian e shumë shoqata të tjera rinore”, thuhet në komunikatën e Këshillit Qendror për Veprim Rinor.