Revolucioni i fshehtë i Madonnës

Projekti Art for Freedom (Art për Liri) është krijuar nga Madonna në formatin e projektit të artit publik që promovon shprehjen e lirë si mënyrë për t’i adresuar persekutimet dhe padrejtësitë në botë.

ShowBiz

18/09/2013 15:44

Madonna do ta publikojë filmin e saj 17 minutësh secretprojectrevolution, i cili do të mund të shkarkohet falas përmes faqes Bittorrent, prej 24 shtatorit. Filmi do ta shënojë fillimin e iniciativës së saj Art for Freedom, në bashkëpunim me Bittorrent, shërbimin e njohur për shpërndarjen e fajllave, dhe revistën Vice. Bashkëregjisor është Steven Klein.

Filmi do të jetë në dispozicion si pako, së bashku me fotografi, trailerë dhe intervistën ekskluzive me Madonnën.

Klein e përshkroi filmin si “ekzaminim të burgjeve tona private. Filmi i analizon ato që bëjmë, mënyrën në të cilën i bëjmë dhe si i trajtojmë të tjerët. Gjithashtu i analizon qeveritë tona dhe mënyrat e të menduarit tonë kolektiv. Mendoni për këtë – fuqia e artit mund të çojë drejt paqes”.

Projekti Art for Freedom (Art për Liri), në të cilin aludoi dje gjatë sesionit Reddit AMA, është krijuar nga Madonna në formatin e projektit të artit publik që promovon shprehjen e lirë si mënyrë për t’i adresuar persekutimet dhe padrejtësitë në botë. Postimet publike – që do të mund të ngarkohen në platformën e Art for Freedom si video, muzikë, poezi dhe fotografi – do të jenë të mirëpritura pas lansimit të projektit.

“Qëllimi im është që me shembullin e secretprojectrevolution ta tregoj përkushtimin tim kreativ për të inspiruar ndryshim në botë përmes të shprehurit artistik”, tha Madonna në deklaratën për shtyp.

“Shpresoj që filmi im dhe kontributet e të tjerëve në Art for Freedom do të jenë ftesë për veprim dhe do t’iu krijojnë njerëzve një hapësirë për ta shprehur kreativitetin e tyre në luftë kundër shtypjes dhe jotolerancës”.

 A.M.

Faqja në të cilën do të mund të shkarkohet torrent fajlli i pakos së Madonnës.

http://bundles.bittorrent.com

Trajleri zytrar i secretprojectrevolution.