Refuzon ta shërbej klienten që nuk mbante maskë, kamarieri shpërblehet me 100 mijë dollarë “bakshish”

Punonjësi i Starbucks në San Diego të SHBA-ve që kishte refuzuar ta shërbej klienten që nuk barte maskë mbrojtëse, ka fituar 100 mijë dollarë “bakshish” pasi videoja e tij e shpërndarë në internet u bë virale.

Fun

01/07/2020 18:51

Lenin Guteres, 24-vjeç, ishte pranë përfundimit të orarit të punës, kur në lokal u fut një grua pa maskë mbrojtëse, transmeton Telegrafi.

Guteres e kishte pyetur nëse kishte maskë, e para se të arrinte t’ia shpjegonte rregullat e kompanisë ku ai punon, ku kërkohet nga klientët të bartin maskë, ajo filloi ta sulmon dhe më pas ta filmojë.

Pasi që kjo kliente e pakënaqur e postoi videon në rrjetet sociale, ka ndodhur e papritura – diçka që ajo nuk e kishte pritur.

Në internet u shfaq ueb-faqja GoFundMe për kamarierin Lenin Guteres ku përbri emrit të tij ishte publikuar edhe videoja e ngjarjes në Starbucks, e përdoruesit e internetit janë lutur që të dhurojnë “bakshish” për këtë punonjës.

Deri më tani janë mbledhur 98.700 dollarë dhe të gjitha këto para do t’i dhurohen Guteresit, me qëllim që të mund të realizojë ëndrrën e kamotshme që të bëhet valltar profesionist.