Gjarpri i rrezikshëm sëmuret me kancer, mjekët e shërojnë me terapi si të njerëzve
Jodie Foster nuk është vetëm emri i aktores së famshme amerikane. Kështu quhet edhe një piton 23 vjeçar, i cili besohet se është gjarpri i parë në botë që iu nënshtrua një trajtimi të veçantë kundër kancerit. Zvarraniku i rrjetëzuar, që jeton në kopshtin zoologjik Chester në Britani të Madhe, u diagnostikua me një tumor…
Fun
Jodie Foster nuk është vetëm emri i aktores së famshme amerikane.
Kështu quhet edhe një piton 23 vjeçar, i cili besohet se është gjarpri i parë në botë që iu nënshtrua një trajtimi të veçantë kundër kancerit.
Zvarraniku i rrjetëzuar, që jeton në kopshtin zoologjik Chester në Britani të Madhe, u diagnostikua me një tumor malinj në nofull.
Kanceri kishte depërtuar edhe në kockë, duke detyruar veterinerët të ndërmerrnin një procedurë të pazakontë. Në tetor të vitit të kaluar, ekspertët e Chester Zoo dhe Universitetit të Liverpoolit e operuan gjarprin në Qendrën e Shëndetit të Kafshëve brenda kopshtit zoologjik.
Gjatë ndërhyrjes, veterinerët hoqën një pjesë të nofullës së prekur nga tumori. Më pas, në indin e mbetur vendosën ilaçe të kimioterapisë. Trajtimi vazhdoi me elektro-kimioterapi, një metodë që përdoret edhe në trajtimin e njerëzve.
Elektroda të vogla metalike u vendosën në indin e prekur dhe përmes tyre u dhanë impulse elektrike. Këto impulse ndihmojnë qelizat kancerogjene ta përthithin më mirë ilaçin e kimioterapisë, duke rritur efektin e trajtimit.
Disa muaj pas ndërhyrjes së pazakontë, rezultatet janë inkurajuese. Veterinerët thonë se Jodie Foster është rikuperuar jashtëzakonisht mirë dhe se nuk ka shenja të rikthimit të tumorit, raporton AP, transmeton KosovaPres.
Plaga në gojë është shëruar, ndërsa pitoni është kthyer në aktivitetin e tij normal dhe lajmet e fundit thonë se ai është sërish në gjendje ta kapë, ta shtrëngojë dhe ta gëlltisë ushqimin pa vështirësi.
Ekspertët besojnë se kjo është hera e parë që elektro-kimioterapia është përdorur te një gjarpër dhe shpresojnë se kombinimi i saj me operacionin e ka shëruar plotësisht.
Jodie Foster është tashmë 23 vjeç, por për një piton të këtij lloji jeta mund të vazhdojë edhe për disa vjet. Veterinerët shpresojnë që ajo të jetojë deri në të tridhjetat, tashmë pa kancer dhe e kthyer plotësisht në jetën e saj normale.
Një ndërhyrje e rrallë, e përdorur zakonisht te njerëzit, mund t’i ketë dhënë kështu këtij pitoni jo vetëm një mundësi të re për jetë, por edhe një vend në historinë e mjekësisë veterinare.