Rama: Siguria në Kosovë është stabile, shqetësuese mbetet lufta hibride e Serbisë
Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, ndonëse kërcënimet nga Serbia dhe lufta hibride në rajon mbeten shqetësuese. Ai i bëri këto komente pas raportimit të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, para…
Lajme
Anëtari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Rrahman Rama, ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë është stabile, ndonëse kërcënimet nga Serbia dhe lufta hibride në rajon mbeten shqetësuese.
Ai i bëri këto komente pas raportimit të drejtorit të AKI-së, Petrit Ajeti, para Komisionit, ku u diskutuan zhvillimet e sigurisë në vend, rajon dhe më gjerë.
“U informuam për situatën e sigurisë, sidomos kërcënimet që mund të vijnë edhe që janë permanente nga ana e Serbisë, që realisht gjithë jemi të shqetësuar me këtë çështjen e luftës hibride që po ndodhin, jo vetëm në Kosovë, por edhe në regjion dhe më gjerë, dhe diskutuam edhe morëm informacione për situatën e sigurisë edhe këtu, por edhe më gjerë, në nivelin rajonal, por edhe global”, ka thënë Rama.
Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit anëtarët e Komisionit kanë parashtruar pyetje lidhur me çështjet e sigurisë dhe kanë shprehur gatishmërinë për të mbështetur punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.
“Bëmë disa pyetje, domethënë që janë legjitime, që ne shprehëm gatishmërinë që edhe drejtori dhe agjensioni tonë t’i shprehim përkrahje dhe çdo nevojë dhe çdo mundësi që e kemi që të jemi sa më të sigurtë edhe si vend, por edhe ta ketë përkrahjen tonë”, ka deklaruar ai.
Rama ka vlerësuar se, pavarësisht kërcënimeve hibride dhe sulmeve kibernetike, nuk ka ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm për gjendjen e sigurisë në vend.
“Po vlerësimet që janë përveç këtyre luftës hibride, sulmet kibernetike, domethënë llogaritet që situata në Kosovë është stabile, sa i përket sigurisë. Po, realisht edhe në pjesën veriore sundon ligji, rendi dhe jemi në rrugë, nuk kemi ndonjë shqetësim të jashtëzakonshëm”, ka thënë Rama.
Ndërkaq, drejtori i AKI-së, Petrit Ajeti, të martën ka raportuar para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së në një mbledhje të mbyllur për publikun. Mediat janë lejuar të marrin pamje vetëm në fillim të mbledhjes, ndërsa pjesa tjetër e raportimit është zhvilluar me dyer të mbyllura.