Rama në Berlin: Europa grup përfaqësues për komunikimin e mundshëm me Rusinë

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” (Coalition of the Willing), që u zhvillua në Berlin, me ftesë të kancelarit federal të Gjermanisë, Friedrich Merz. Në mbërritje në takim, Rama u shpreh se mbledhja e këtij koalicioni ishte një mundësi e mirë, veçanërisht pas vendimeve të…

Lajme

19/11/2026 20:05

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në takimin e nivelit të lartë të “Koalicionit të Vullnetmirëve” (Coalition of the Willing), që u zhvillua në Berlin, me ftesë të kancelarit federal të Gjermanisë, Friedrich Merz.

Në mbërritje në takim, Rama u shpreh se mbledhja e këtij koalicioni ishte një mundësi e mirë, veçanërisht pas vendimeve të marra në Dublin për krijimin e një grupi përfaqësues që do të flasë në emër të Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë.

“Është një mundësi e mirë për t’u mbledhur këtu në këtë Koalicion, pas asaj që po ndodh. Dhe veçanërisht edhe pas asaj që u vendos në Dublin, për të pasur më në fund një grup përfaqësues që të flasë në emër të gjithë Europës në një komunikim të mundshëm me Rusinë”, deklaroi Rama.

I pyetur nga gazetarët se çfarë ndjente kur shihte presidentin rus Vladimir Putin, presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin amerikan Donald Trump, Rama u përgjigj: “Përse duhet të kem ndjenja?”.

Më tej, Kryeministri u ndal te krijimi i grupit përfaqësues europian, duke e cilësuar këtë si një zhvillim që duhej të kishte ndodhur që në fillim.

“Është diçka që duhej të ndodhte dhe që më në fund ndodhi, që Europa vendosi të ketë një grup në frontin e parë, i cili do të përfaqësojë Europën në një komunikim të mundshëm me Rusinë, sepse ka qenë një gabim strategjik që nuk e kemi bërë këtë që në fillim”, tha Rama.

Ai kujtoi se në fillim kishte pasur disa komunikime, të cilat më pas ishin ndërprerë.

“Ose, le të themi, në fillim pati disa komunikime dhe më pas gjithçka u ndërpre dhe tani kjo ka rifilluar, me shpresë, dhe le të shohim se çfarë do të ndodhë”, u shpreh Kryeministri.