Premtimi i Kurtit për pesë diga të reja bie poshtë – Ministrja Pacolli e pranon se ndërtimi nuk realizohet brenda këtij mandati
Ndërtimi i digave të reja në Kosovë nuk do të realizohet brenda këtij mandati qeverisës, pavarësisht premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ky konfirmim erdhi këtë të enjte, më 19 nëntor, në Kuvendin e Kosovës, nga Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, gjatë diskutimeve për buxhetin, transmeton lajmi.net. Sipas…
Lajme
Ndërtimi i digave të reja në Kosovë nuk do të realizohet brenda këtij mandati qeverisës, pavarësisht premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore nga Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ky konfirmim erdhi këtë të enjte, më 19 nëntor, në Kuvendin e Kosovës, nga Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, gjatë diskutimeve për buxhetin, transmeton lajmi.net.
Sipas deklaratave të ministres Pacolli në seancën plenare, pritshmëritë që këto projekte infrastrukturore të përfundojnë brenda një mandati katërvjeçar janë të gabuara, duke sqaruar se puna aktuale fokusohet vetëm në fazën e projektimit.
“Nëse secili këtu ka mendu që digat ndërtohen brenda katër viteve, e ka gabim. Synimi është deri në vitin 2027 të përmbyllim projektet finale të katër digave”, deklaroi Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli.
Ky qëndrim bie ndesh me zotimet e kryeministrit Albin Kurti gjatë fushatës për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku ai e kishte cilësuar mandatin e ri si periudhë të investimeve kapitale në ujësjellës dhe infrastrukturë hekurudhore. Më 25 dhjetor, në një tubim me simpatizantë në Gjilan, Kurti kishte premtuar ndërtimin e pesë digave për grumbullimin e ujërave.
“Mandati i ardhshëm do të jetë mandat i pesë digave të reja. Se Kosova jonë e dashur është si një pjatë e kthyer përmbys ku burojnë lumenjtë, por me shpejtësi dalin jashtë në tri dete e derdhen: Adriatik, të Zi dhe Egje. Tash duhet me rezervuare të ujit, me diga ne ta grumbullojmë ujin”, kishte thënë Albin Kurti në Gjilan.
Me deklaratën e fundit të ministres Pacolli, qeveria ka rishikuar afatet dhe objektivat për këtë sektor, duke e zhvendosur fokusin nga ndërtimi fizik i pesë digave në përfundimin e dokumentacionit dhe projekteve finale për katër prej tyre deri në vitin 2027./lajmi.net/