Hamza kritikon Projektbuxhetin 2027: Nuk garanton as mirëmbajtjen, ekonomia e Kosovës ka sfida të thella

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shprehur kritika ndaj Projektbuxhetit për vitin 2027, gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës. Hamza ka thënë se, ndonëse çdo element pozitiv i buxhetit duhet të vlerësohet, dokumenti i propozuar nga Qeveria nuk ofron garanci të mjaftueshme as për mirëmbajtjen e projekteve dhe infrastrukturës ekzistuese, transmeton…

Lajme

19/11/2026 19:34

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka shprehur kritika ndaj Projektbuxhetit për vitin 2027, gjatë diskutimit në Kuvendin e Kosovës.

Hamza ka thënë se, ndonëse çdo element pozitiv i buxhetit duhet të vlerësohet, dokumenti i propozuar nga Qeveria nuk ofron garanci të mjaftueshme as për mirëmbajtjen e projekteve dhe infrastrukturës ekzistuese, transmeton lajmi.net.

Ai ka vlerësuar gjithashtu se parashikimi për rritje ekonomike prej 3.8 për qind nuk është i mjaftueshëm për të përballuar problemet dhe sfidat me të cilat po përballet ekonomia e vendit.

Gjatë fjalës së tij, deputeti i PDK-së ka renditur disa prej problemeve ekonomike, duke veçuar deficitin e lartë tregtar, përkeqësimin e llogarisë rrjedhëse dhe nivelin e inflacionit.

“Ekonomia e Kosovës ka sfida të thella. E para, kemi deficit të lartë tregtar, përkeqësim të deficitit të llogarisë rrjedhëse dhe inflacionin më të lartë krahasuar me të gjitha vendet e rajonit”, ka deklaruar Hamza.

Ai ka theksuar se këto probleme duhet të merren parasysh gjatë planifikimit të buxhetit, në mënyrë që politikat ekonomike të adresojnë gjendjen aktuale dhe nevojat e qytetarëve./lajmi.net/