Rakitic: Lehtë të luash me më të mirët në botë

Ivan Rakitic thotë se për të ishte mjaft e lehtë të luante me futbollistët më të mirë në botë. Përfaqësuesi kroat pati paraqitje të mirë ndaj Elches, por insiston se gjithçka ishte e lehtë, pasi luajtu përkrah yjeve të Barcelonës.

Sport

25/08/2014 09:59

Mesfushori i Barcelonës, Ivan Rakitic ka refuzuar t’i pranojë lëvdatat për paraqitjen e tij brilante në fitoren ndaj Elches mbrëmë, duke nënvizuar se për të ishte shumë e lehtë të luante me futbollistët më të mirë në botë.

Përfaqësuesi kroat, i cili iu bashkua gjigantit katalunas nga Sevilla në fillim të kësaj vere, ishte zgjedhur përpara ikonës Xavi dhe e shijoi mjaft mirë debutimin, duke asistuar në golin e dytë të katalunasve, të cilin e realizoi Munir El Haddadi.

“Detyra ime është të punoj dhe ta jap më të mirën nga vetja, ta ndihmoj ekipin të fitojë ndeshje dhe tituj”, deklaroi 26 vjeçari pas ndeshjes.

“Mirëpo, të luash me lojtarët më të mirë në botë, kjo e bën gjithçka më të lehtë”, vazhdoi ish futbollisti i Sevillas.

“Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Pjesa e parë është gjithmonë e vështirë. E aq më shumë kur dihet se në pjesën e dytë luajtëm me 10 lojtarë. Por, ne e kishim besimin në lojën tonë dhe përkundër vështirësive, na u shpërblye besimi. Sot ishte gjithçka mirë”, përfundoi Rakitic.