Rafuna: Ngërçi politik rrezikon ekonominë dhe fondet e BE-së për Kosovën

Ngërçi politik dhe ciklet e shpeshta zgjedhore po e vendosin ekonominë e Kosovës para një sfide ekzistenciale, duke dëmtuar rëndë bizneset dhe duke rrezikuar humbjen e fondeve thelbësore nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se kjo situatë ka lënë investimet…

Lajme

10/05/2026 16:00

Ngërçi politik dhe ciklet e shpeshta zgjedhore po e vendosin ekonominë e Kosovës para një sfide ekzistenciale, duke dëmtuar rëndë bizneset dhe duke rrezikuar humbjen e fondeve thelbësore nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për KosovaPress, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna thotë se kjo situatë ka lënë investimet pezull dhe dërgon një sinjal negativ tek investitorët e huaj.

“Shkuarja në zgjedhje në periudha kaq të shpeshta, në periudha mujore nuk po flasim më vjetore, pa dyshim që nuk është lajm i mirë për bizneset. Bizneset kërkojnë dhe dëshirojnë parashikueshmëri, siguri juridike, një siguri politike. Më pas është çështja edhe e investimeve, qoftë investimeve të brendshme, qoftë investimeve të jashtme. Nuk është sinjal i mirë për investitorët e huaj për shkak se çdo investitor që vjen të investojë në Kosovë, ai dëshiron po ashtu një siguri politike, një siguri juridike, të shoh një qeveri në mandat të plotë se çfarë vizioni ajo qeveri ka për zhvillimin e vendit”, thotë Rafuna.

Ndonëse marrëveshja e Planit të Rritjes është ratifikuar, këto fonde janë të kushtëzuara me zbatimin e reformave brenda afateve të përcaktuara.

Droja e Rafunës është se Kosova nuk do të arrijë ta ndjekë dinamikën e kërkuar të reformave.

Rafuna thotë se nëse Kosova dështon, ato do t’u rishpërndahen vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat tashmë po marrin këstet e radhës. Sipas tij, të mbeturit i fundit në rajon në këtë proces do të ishte një goditje e rëndë për vendin.

“Ne iu gëzuam lajmit që u ratifikua marrëveshja për Planin e Rritjes, së paku, kjo ishte lajm i mirë, disbursimi i 63 milionëshit si parafinancim. Mos të habiten kur do t’i humbim disa mjete nga Plani i Rritjes për shkak se kam frikë nuk do të mund ta përcjellim dinamikën e reformave, siç jemi zotuar. Duhet pasur parasysh se Plani i Rritjes për asnjë vend të Ballkanit, që nuk do t’i pritet për kohë të gjatë derisa vendet t’i bëjnë reformat. Ato janë të përcaktuara në afate kohore dhe në qoftë se një shtet nuk ecë në reforma brenda atyre afateve, ato mjete nuk do të rrinë pezull të presin vendin, derisa t’i bëjë reformat. Mirëpo, ato mjete as nuk do t’i kthehen Brukselit, por do t’u shpërndahen vendeve, të cilat kanë bërë progres të madh në reforma.. Kosova nuk guxon të mbes mbrapa vendeve të rajonit”, thotë Rafuna.

Nëse pas zgjedhjeve të 7 qershorit vazhdon skenari i njëjtë për moszgjedhjen e institucioneve shtetërore, sipas Rafunës, do të jetë një goditje e madhe për Kosovën dhe ekonominë e vendit.

Rafuna thekson se as vendi e as qytetarët e saj, nuk e kanë komoditetin të presin me vite, derisa partitë politike që përfaqësohen në Kuvend të merren vesh.

“Ajo kishte me qenë lajmi më i keq i mundshëm prej vitit 2000 për Kosovën. Ne rritjen ekonomike tani e kemi 3.6, një rritje ekonomike që e kemi pasur vitin 2016-2017, ne nuk guxojmë, duhet me urgjencë… në qoftë se data e zgjedhjeve është e caktuar me 7 qershor, në qoftë se ia duam të mirën Kosovës, në fund të qershorit do të duhej pasur institucionet komplete në funksion për të vepruar, për të marrë vendime dhe për të filluar me ligje, me reforma të thella. Kosova dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, po e them me plot përgjegjësi, nuk e kanë komoditetin më të presin me muaj e me vite, derisa partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës, të merren vesh”, shton ai.

Përveç sfidave të brendshme, ekonomia e Kosovës ndikohet edhe nga krizat globale, si ajo në Lindjen e Mesme, e cila ka nxitur inflacionin përmes rritjes së çmimeve të naftës. Përderisa vendet e rajonit dhe të BE-së kanë ndërmarrë masa fiskale për të lehtësuar barrën mbi qytetarët dhe bizneset, një veprim i tillë ka munguar në Kosovë.

Ky mosveprim, sipas kryetarit të OEK-ut, ka goditur veçanërisht sektorin e bujqësisë në një periudhë kritike, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke thelluar deficitin tregtar, ku importet tejkalojnë 7 miliardë euro, ndërsa eksportet mbeten nën 1 miliard.

“Rritja e çmimit të naftës, si në Kosovë, si në vendet e Bashkimit Evropian, padyshim që e ka pasur impaktin e vet në ngritjen e inflacionit. Shtetet e Bashkimit Evropian dhe të gjitha shtetet përreth Kosovës, kanë ndërmarrë veprime për të ulur çmimin e derivateve të naftës duke lëvizur në politika fiskale, duke ulur ose tatimin e akcizës, ose tatimin e vlerës së shtuar. Dhe ne me kohë kemi kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës veprime, ose ta ulë tatimin e akcizës, ose ta ulë tatimin e vlerës së shtuar, ose ta largojë përkohësisht tatimin e vlerës së shtuar. Dhe halli ynë si Odë Ekonomike ishte për të gjitha bizneset, po më i theksuar te sektori i bujqësisë.. Jemi duke parë që bujqit janë shumë duke u ankuar, ose edhe nuk janë duke e punuar tokën për shkak se kostoja është shumë e lartë për të punuar tokën”, thekson ai.

Rafuna u ndal edhe të problemi i energjisë elektrike.

I quan fat në fatkeqësi zgjedhjet e jashtëzakonshme, që ndikuan që të mos shtrenjtohet energjia elektrike.

“Fat në fatkeqësi, që shkuam në zgjedhje. Po fat që për shkak të zgjedhjeve, çmimi i energjisë elektrike nuk iu rrit qytetarëve. Po ashtu, fat në fatkeqësi, është që edhe një numër të caktuar të bizneseve që ishte planifikuar t’i nxjerrin në tregun e lirë, nuk i nxorën. Tendenca ka qenë që të rritej edhe më shumë inflacioni… 11:00 Kërkojmë që çmimi i energjisë elektrike mos të rritet, se i prek edhe qytetarin, e ulë mundësinë, e dobëson konsumin, po ashtu edhe te bizneset është kosto operative që ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e çmimit të prodhimit tonë”, thotë ai./kp