Protesta për rastin e 11 vjeçares nuk ndalet, kërkohet shkarkimi i zyrtarëve policorë në lidhje me rastin

“Nuk po du mu tut, po du me dal në park me lujt”, “Gra armatosuni”, ”Edukoje djalin”, ishin disa nga thirrjet me të cilat u protestua në mesditën e së hënës para objektit të Qeverisë së Kosovës, në kërkim të drejtësisë për 11 vjeçaren e cila po dyshohet se u dhunua seksualisht nga 11 persona…

Lajme

05/09/2022 18:45

“Nuk po du mu tut, po du me dal në park me lujt”, “Gra armatosuni”, ”Edukoje djalin”, ishin disa nga thirrjet me të cilat u protestua në mesditën e së hënës para objektit të Qeverisë së Kosovës, në kërkim të drejtësisë për 11 vjeçaren e cila po dyshohet se u dhunua seksualisht nga 11 persona në dy raste.

Protesta e sotme vazhdoi me marshim deri tek objekti i Prokurorisë së Shtetit, ku edhe u kërkua shkarkimi i kryeprokurorit, Kujtim Munishi, shkruan lajmi.net.

Organizatorët e protestës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, po kërkojnë shkarkimin nga detyra edhe të zyrtarëve policorë që janë marrë me këtë rast, legalizimim e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray), krijimi i një njësiti të specializuar për dhunë seksuale në polici. Gjithashtu u kërkua siguri, drejtësi dhe rehabilitim për të mbijetuarat e dhunës seksuale dhe futja e lëndës së edukatës seksuale në shkolla.

Fjolla Muçaj nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist kërkoi pozicionimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me këtë rast.

“Ky shtet dhe kjo qeveri duhet dhënë llogari dhe përfundimisht të na tregojë se ku është duke u pozicionuar .Në mënyrë të menjëhershme kjo mund të bëhet e ditur duke filluar me zbatimin e kërkesave tona si pikënisje e ndërrimit të kahjes së shtetit ndaj trajtimit të sigurisë së vajzave”, u shpreh ajo.

Ndërkaq, aktivistja, Bjeshkë Guri u shpreh se prokuroria ka dështuar të ofrojë drejtësi për rastin e vajzës 11 vjeçare.

“Kjo na tregon se prokuroria dhe përkatësisht KPK është duke dështuar të krijojë obligimet që i takojnë dhe është bashkëfajtor në dhunimin e grave. Precedenti i fundit tregon që kur rastet nuk bëhen publike, prokuroria është neglizhuese. Për të marrë përgjegjësi mbi rastin dhe për të krijuar kulturë të ndëshkimit të prokurorëve neglizhent, gjë të cilën KPK nuk është duke e bërë, ne kërkojmë urgjent shkarkimin e kryeprokurorit Kujtim Munishi”, deklarohet Guri para mediave.

Një javë më parë një 11 vjeçare dyshohet se është dhunuar seksualisht nga pesë persona, ku për të njëjtit u është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë.

Ndërkaq, sipas raportit të prokurorisë e mitura dyshohet se ka qenë e dhunuar nga gjatë persona dhe e trafikuar edhe në muajin qershor të këtij viti.

Po ashtu në dosje thuhet se raporti i ekzaminimit të telefonit nga Agjencia Forenzike e Kosovës është dorëzuar në polici para dy ditëve.

Po ashtu, në dosjen e prokurorisë ndër të tjerash thuhet se ngjarja pretendohet se ka ndodhur më 21 qershor të këtij viti,ndërsa të dyshuarit kanë vendosur që të miturën ta prezantojnë me njëri-tjetrin ku edhe janë kryer veprimet e dyshimta që nga mëngjesi i hershëm.

Më pas më 2 shtator janë arrestuar edhe gjashtë personat e dyshuar dyshimet e trafikimit të së miturës, ku më pas viktima dyshohet se është dhunuar edhe nga pesë persona javën e kaluar.

Në total deri tani janë 11 të arrestuar për rastin e 11 vjeçares në dy raste të ndara. /Lajmi.net/