Prokuroria Speciale ndryshon përshkrimin e aktakuzës në rastin “Posta”
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në seancën e parë të rigjykimit, ka njoftuar se ka ndryshuar përshkrimin e aktakuzës në rastin e tre ish-drejtuesve të Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK), tash Telekomi i Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.
Lajme
Në rastin e njohur si “Posta”, i cili është edhe rast i shënjestruar për liberalizim të vizave, ata po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar pasi po pretendohet se i kishin shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën e nënshkruar me “Z-Mobile”.
Prokurori Special Naim Abazi, në seancën e së enjtes, ka njoftuar se në pajtim me vendimin e Gjykatës së Apelit e cila rastin e kishte kthyer në rigjykim, ka bërë ndryshimin e përshkrimit të aktakuzës.
Sipas kësaj aktakuze, Ejup Qerimi nga shkurti 2012 e deri në tetor 2014, nuk i kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare në cilësinë e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, me qëllim që ti shkaktoj dëm PTK-së duke mos e zbatuat kontratën e lidhur me Z-Mobile të datës 16 janar 2009.
Për shkak të kësaj, sipas PSRK-së kishte ardhur deri tek vonesa në lifterimin e sim-kartelave, duke mos e furnizuar operatorin “Dardafon.net L.L.C”, (Z-Mobile) me bllokun e numeracionit, edhe pse nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), ishte marrë vendim për rezervimin e serisë se numeracionit 045 për përdorim nga Z-Mobile, BetimipërDrejtësi
Mirëpo sipas PSRK-së, Qerimi me dashje dhe duke qenë në dijeni kishte refuzuar që ti zbatojë këto vendime të plotfuqishme, ku si rezultat i kësaj procedura ishte zhvilluar pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit, e cila gjykatë e kishte vlerësuar përgjegjës PTK-në.
Për këtë, Telekomi i Kosovës ishte detyruar që Z-Mobile t’ia paguajë shumë 32,856,407.28 euro, pa i llogaritur shpenzimet e krijuara lidhur me procedurat gjyqësore.
Edhe i akuzuari Agron Mustafa sipas aktakuzës së ndryshuar, po dyshohet se nga 23 shkurti 2015, në pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së, deri në fillim 2018, nuk e kishte zbatuar vendimin e ARKEP-it për rezervimin e serisë së numeracionit 045 për Z-Mobile dhe nuk e kishte parandaluar inicimin e procedurën pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit.
Ndërsa Rexhë Gjonbalaj sipas kësaj aktakuze, nga 16 janari 2009, nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së, nuk kishte marrë asnjë vendim për përmbushjen e obligimeve sipas vendimit të ARKEP-it edhe pse nga përfaqësuesit e Z-Mobile dhe nga drejtorit menaxhues Milot Gjikolli, i ishte tërhequr vërejtja se nëse përmbushen obligimet e dëmtuara çështjen do ta dërgoj në Arbitrazh.
Për këto veprime, tre të akuzuarit po dyshohen se kanë krye veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga nenin 422, paragrafi 1, i Kodit Penale të Republikës së Kosovës.
Sipas prokurorit Abazi palë e dëmtuar në këtë rast është edhe PTK-ja, e cila sipas tij duhet të ftohet që të deklarohen lidhur me dëmin.
Por këtë ndryshim të aktakuzës e kanë kundërshtuar mbrojtësit e tre të akuzuarve.
Mbrojtësi i të akuzuarit Mustafa, avokati Artan Qerkini ka thënë se ndryshimi i përshkrimit të aktakuzës është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (KPPRK).
Sipas tij, neni 406, paragrafi 1 i KPPRK-së përcakton se gjykata themelore të cilës i është dërguar lënda për gjykim procedon në bazë të aktakuzës së mëparshme, prandaj sipas tij, ndryshim i aktakuzës ishte në kundërshtim edhe me nenin 350 të KPPRK-së, sipas të cilit kur prokurori i shtetit gjatë shqyrtimit gjyqësor konstaton se provat e shqyrtuara tregojnë se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë është ndryshuar, ai në shqyrtim gjyqësor mund ta ndryshojë aktakuzën.
“Çfarë prove të re kemi? Asnjë provë e re në shqyrtim gjyqësor nuk është paraqitur e që do t’i jepte shkas prokurorisë ta ndryshojë aktakuzën, prandaj neni 406, paragrafi 1 thekson se në rigjykim procedohet sipas aktakuzës së mëparshme”, ka thënë avokati Qerkini.
Sipas tij, propozimi i PSRK-së bie ndesh edhe me nenin 218, paragrafin 1 i KPPRK-së, i cili thekson se gjatë fazës së hetimit ose brenda 60 ditësh prej ngritjes së aktakuzës, i dëmtuari mund të paraqes deklaratën e dëmit të shkaktuar me vepër penale, e që sipas avokatit, ky rast ishte në fazën e rigjykimit e jo në fazën e ngritjes së aktakuzës.
Lidhur me pretendimin e prokurorit se ndryshimi i përshkrimit të aktakuzës ishte bërë sipas vendimit të Apelit, sipas avokatit, në këtë vendim thuhet se duhet vlerësuar se a ka pësuar dëm edhe PTK-ja, por sipas tij, gjykata e Apelit ka kaluar prej funksionit të gjykimit në funksion të ndjekjes penale.
“Në ligj nuk thuhet se aktakuza ndryshohet në bazë të sugjerimeve të gjykatës së Apelit sepse ligjvënësi as që ka pasur mundësi ta imagjinojë se Apeli me një vendim të saj do ta tejkalojë akuzën. Prandaj, në ligj është përcaktuar përveç nenin 350 se i vetmi rast kur lejohej ndryshimi i aktakuzës është rasti kur provat e propozuara nga prokuroria në fillim të gjykimit dhe provat e administruara në shqyrtim gjyqësor imponojnë ndryshimin e gjendjes faktike dhe vetëm atëherë lejohej ndryshimi i aktakuzës”, ka thënë avokati Qerkini.
Sipas tij, pretendimet e PSRK-së kishin mbetur të njëjta, mirëpo ishte ndryshuar pala e dëmtuar.
Edhe mbrojtësit e të akuzuarve Qerimi dhe Gjonbalaj, avokatët Faton Qerimi dhe Teki Bokshi, kanë thënë se aktakuza në këtë fazë të procedurës nuk ishte e lejuar të ndryshohej.
Por, përfaqësuesi i të dëmtuarit Blerim Devolli, avokati Driton Musliu ka thënë se nuk kishin vërejtje në ndryshimin e përshkrimit të aktakuzës, dhe sipas tij, pasi pala e dëmtuar ishte tërhequr nga ndjekja penale dhe se dëmi i pretenduar ishte kompensuar në arbitrazh, andaj sipas tij, ata në këtë rast nuk e konsideronin veten palë të dëmtuar.
Njëjtë është deklaruar edhe përfaqësuesi i të dëmtuarit Milot Gjikolli, avokati Faton Qerezi i cili ka thënë se nuk e ndjejnë veten të dëmtuar.
Lidhur me këto pretendime të palës së dëmtuar ka reaguar prokurori Abazi, i cili ka thënë se vet palët e dëmtuara në këtë rast nuk e kishin të qartë rolin e tyre në procedurë, prandaj sipas tij, ishte e nevojshme që vet të dëmtuarit të deklarohen për këtë çështje.
Ndërsa në lidhje me kundërshtimin e mbrojtjes për ndryshimin e kësaj aktakuze, prokurori Abazi ka thënë se ishte për keqardhje se si mbrojtja po mundohet t’i jep një konotacion tjetër këtij gjykimi, në raport me vendimin e Apelit.
“Kjo prokurori ka ndryshuar gjendjen të cilën është kërkuar në aktakuzë që në kushte normale do të duhej që mbrojtja vet ta kërkoj një gjë të tillë, për shkak se Apeli ka vërtetuar disa pika të aktgjykimit të shkallës së parë, siç janë: çështja e 3G dhe 4G, procedurat e prokurimit etj, ndërsa sot kjo prokurori në përputhje me këtë vendim të njëjtit nuk i ngarkon me këtë pikë të aktakuzës por me çështjet tjera të hapura në këtë shqyrtim gjyqësor që mbeten të vërtetohen. Prokuroria mbetet pranë cilësimit juridik”, ka thënë prokurori.
Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, ka njoftuar se gjykata do të vazhdojë me këtë aktakuzë të ndryshuar për shkak se sipas tij, është kompetencë e PSRK-së se si të sillet me aktakuzën dhe ka të drejtë edhe ta ndryshojë.
Në këtë mënyrë, tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim detyre, ndërsa të njëjtëve u është dhënë mundësia që të përgatiten për t’u deklaruar rreth këtij ndryshimi të aktakuzës.
Seanca e radhës pritet të mbahet më 16 qershor 2021, në ora 10:00.
Ndryshe, më 21 tetor 2019, Gjykata Themelore në Prishtinë, tre të akuzuarit i kishte liruar nga akuza, mirëpo pas ankesës së PPSRK-së, në maj 2020, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Aktakuza në këtë rast ishte ngritur me 17 gusht 2018, ndërsa seanca fillestare ishte mbajtur me 27 shtator 2018, ku tre të akuzuarit kishin mohuar në tërësi aktakuzën e PSRK-së, ndërsa me 7 nëntor 2018 kishin kërkuar që të hudhet kjo aktakuzë.
Këto kërkesa të tyre i kishte marrë për bazë edhe gjykatësi i këtij rasti, Lutfi Shala i cili në dhjetor 2018 e kishte hudhur poshtë këtë aktakuzë, me pretendimin se nuk ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin keqpërdorur detyrën zyrtare.
Por, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e PSRK-së, të ushtruar ndaj këtij aktvendimi, duke vlerësuar se kjo çështje duhet të gjykohet.
Pas tetë seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 21 tetor 2019, me arsyetimin se nuk kishte pasur prova të besueshme, i kishte liruar nga akuzat tre ish-drejtuesit e PTK-së.
Sipas gjykatësit Shala, gjykata kishte gjetur se të gjitha provat e propozuara nga PSRK-ja, si dëshmitar, e po ashtu edhe provat tjera materiale vetëm kanë konstatuar ekzistimin e një marrëdhënieje kontraktuale juridiko-civile dhe asgjë më shumë.
Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi lirues, ankesë kishte paraqitur PSRK, për shkak të pretendimeve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, duke propozuar që ky aktgjykim të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Këto pretendime të PSRK-së i kishte marrë për bazë Gjykata e Apelit e cila në maj të vitit 2020, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, thuhet se pretendimet ankimore të Prokurorisë Speciale lidhur me liferimin e sim-kartelave dhe numeracionit janë të bazuara, ndërsa sa i përket shërbimeve 3G dhe 4G, si dhe procedura e tenderimit për përfaqësimin e PTK-së në arbitrazh dhe ankesës ndaj vendimit të arbitrazhit, nuk janë të bazuara.
Sipas shkallës së dytë, duke mos përmbushur kontratën, të akuzuarit i kanë mundësuar kompanisë “Dardafon.net”, që të parashtrojë padi në arbitrazh ndërkombëtar, ku pas procedurës të arbitrazhit është marrë vendim që kompanisë së lartcekur t’i paguhen 32,856,407, 28 euro dëmshpërblim dhe urdhërimi për përmbushjen e kontratës, si dhe lidhur e procedurën para dhe pas arbitrazhit PTK është dëmtuar në shumë prej 5,049,681,69 euro dhe 60,000.00 GBP(funte), si shumë e pagesës së kompanisë për përfaqësim ligjor dhe shpenzime tjera.
Në lidhje me shërbimet 3G dhe 4G, sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë drejtë kishte konstatuar se lidhur me këto shërbime, Bordi i Drejtorëve dhe Kryeshefi Ekzekutiv kishin qenë të këshilluar nga drejtori i Departamentit Ligjor, Sabahedin Ramaxhiku, si zyrtar kompetent për këto çështje, se sipas kontratës Dardafon nuk e ka të drejtën e këtyre shërbimeve.
Ndërsa, sa i përket liferimit të sim-kartelave, Apeli gjen se aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i qartë, me arsyetimin se është evidente se sipas kontratës PTK ka marrë obligim për liferimin e sim-kartelave, ndërsa për këto PTK i ka dhënë me vonesë prej 435 ditëve për porosi që janë bërë në vitin 2010, 2011 dhe 2013.
Gjithashtu, thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk i referohet vendimit përfundimtar të arbitrazhit lidhur me çështjen e vonesave të liferimit të sim-kartelave.
Kurse, sa i përket liferimit të sim-kartelave, thuhet se duhet të sqarohet edhe pozicioni i Agron Mustafës, për faktin se i njëjti nuk ka qenë Kryeshef Ekzekutiv në kohën kur pretendohet për vonesat e liferimit të sim-kartelave, pasi sipas Apelit, thuhet se vendimi i arbitrazhit flet për vonesat në kërkesat të bëra në vitin 2010, 2011 dhe 2013, ndërsa i akuzuari Mustafa ka marr detyrën në shkurt të vitit 2015 dhe nga përshkrimi i gjendjes faktike në pikën e aktakuzës ndaj Mustafës, rezulton se i njëjti akuzohet edhe për vonesën e liferimeve të sim-kartelave për periudhën sa nuk ka qenë në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv.
Tutje, thuhet se kjo gjykatë gjen se gjykata e shkallës së parë nuk merret fare me vendimin përfundimtar të arbitrazhit, me gjetjet e saj dhe provat që i ka administruar dhe vërtetuar si të sakta, dhe se as Prokuroria Speciale nuk i jep rëndësi vendimit të arbitrazhit me rastin e marrjes në pyetje të dëshmitarëve relevant dhe të akuzuarve për zbulimin e dashjes, por vetëm e lexon si provë materiale që të përcaktoj shumën e përcaktuar si dëm dhe konstatimin që shpall përgjegjës PTK-në si të paditur.
Apeli pasi e kishte kthye rastin në rigjykim, kishte konstatuar se gjykata e shkallës së parë duhet t’i administroj të gjitha provat dhe t’i vlerësoj ato prova kundërthënëse në raport me vendimin e arbitrazhit, të nxjerr transkriptet e seancave të arbitrazhit ku janë dëgjuar apo lexuar dëshmitë e dëshmitarëve, të vlerësojë pretendimet e PTK-së në procedurën e arbitrazhit, të vlerësoj përgjegjësinë e të akuzuarve në vendimmarrjen e tyre lidhur me vonesën në liferimin e sim-kartelave dhe mos respektimin e vendimit të ARKEP-it të vlerësojë dëmin e shkaktuar dhe kujt i është shkaktuar dëm.
Përkatësisht, thuhet se duhet të vlerësojë se se a ka pasur dëm edhe PTK-ja nga veprimet e të akuzuarve dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave të nxjerr konkluzione të drejta e të ligjshme të bazuara në provat e administruara e pastaj të merr vendim të drejt dhe ligjor.
Ndërsa, sipas aktakuzës së mëparshme, të ngritur më 17 gusht 2018, nga 19 shkurti 2015, kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.
Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.
Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.
Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.
Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro, dhe 65.000 funta.
Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.
Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë ia kishte njohur të drejtën Z-Mobile për realizimin e borxhit milionësh, ndërsa ia kishte refuzuar kundërshtimin Telekomit të Kosovës.
Telekomit të Kosovës i ishin bllokuar llogaritë bankare nga përmbaruesi, pasi gjykata i kishte dhënë të drejta Dadafon.Net në pronësi të Blerim Devollit për përmbarimin e borxhit prej 25 milion euro.
Po ashtu, Zyra e Kryeministrit Abdullah Hoti, kishte njoftuar se ishte mbajtur një takim me drejtuesit e Telekomit të Kosovës, po nuk kishte dhënë detaje nëse ishte vendosur diçka për të dal nga gjendje e rëndë financiare e Telekomit.
Në këtë komunikatë thuhet se Kryeministri i Republikë së Kosovës, Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuqi, kishte takuar drejtuesit dhe sindikalistët e Telekomit të Kosovës, me të cilët kishte diskutuar për gjendjen e krijuar pas bllokimit të llogarive të Telekomit, si dhe për hapat që duhen marrë për tejkalimin e kësaj gjendjeje.
Po ashtu, lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës, Kuvendi i Kosovës në maj të vitit 2019, kishte zhvilluar një seancë të jashtëzakonshme, në të cilën seancë ishin dëgjuar akuza në mes deputetëve të partive në pushtet dhe atyre të opozitës.
Pas konstatimit të krizës në Telekomin e Kosovës për shkak të borxheve të shumta të akumuluara, Lëvizja Vetëvendosje (LV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kishin thirrur këtë seancë, pasi kompania Z-Mobile i kishte bërë kërkesë Telekomit për shlyerjen e borxhit prej rreth 26 milionë eurosh.