Prokuroria dhe Policia me komunikatë të përbashkët për aksionin në Jabllanicë: Sekuestrohen 91 bimë kanabisi, armë dhe arrestohet një person
Gjatë gjithë ditës është raportuar për një aksion të gjerë kundër narkotikëve në rajonin e Pejës, ndërsa autoritetet kanë publikuar detaje zyrtare për rastin. Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se operacioni është zhvilluar në fshatin Jabllanicë e Vogël, ku është zbuluar dhe më pas asgjësuar një…
Lajme
Gjatë gjithë ditës është raportuar për një aksion të gjerë kundër narkotikëve në rajonin e Pejës, ndërsa autoritetet kanë publikuar detaje zyrtare për rastin.
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, ka njoftuar se operacioni është zhvilluar në fshatin Jabllanicë e Vogël, ku është zbuluar dhe më pas asgjësuar një laborator për prodhimin e drogës, transmeton lajmi.net.
Sipas njoftimit, aksioni është realizuar nga njësitë anti-drogë në kuadër të planit operativ “Stop drogave”, gjatë të cilit janë sekuestruar 91 bimë të llojit kanabis, si dhe pajisje të sofistikuara që përdoreshin për kultivimin dhe prodhimin e narkotikëve.
Gjatë kontrollit është gjetur edhe një armë zjarri, ndërsa është konstatuar se objekti ishte i kyçur ilegalisht në rrjetin elektrik për të mundësuar funksionimin e pajisjeve.
Në lidhje me rastin është arrestuar një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë, ndërkohë që hetimet janë duke vazhduar.
Me autorizim të prokurorit, bimët e sekuestruara janë asgjësuar, ndërsa provat e tjera do të përdoren në procedurën penale. Brenda afatit ligjor, pritet që prokurori të paraqesë kërkesë për sigurimin e prezencës së të dyshuarit në procedurë.
Autoritetet kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në luftimin e kriminalitetit dhe kanë bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët në raportimin e aktiviteteve të kundërligjshme.
Komunikata e plotë:
Zbulohet dhe asgjësohet një laborator i drogës në një fshatë të Pejës, arrestohet i dyshuari
Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, konkretisht Njësinë Anti-Drogë në Pejë, njoftojnë opinionin publik se sot kanë realizuar një aksion në fshatin Jabllanicë e Vogël, Komuna e Pejës.
Gjatë këtij aksioni është zbuluar dhe shkatërruar një laborator për prodhimin e narkotikëve të llojit Kanabis sativa.
Në kuadër të operacionit anti-drogë të planit operativë “Stop drogave” janë sekuestruar gjithsej 91 bimë narkotike të llojit Kanabis sativa, pajisje të sofistikuara për prodhimin e narkotikëve, një armë zjarri, si dhe është konstatuar kyçje ilegale në rrjetin elektrik për funksionimin e këtyre pajisjeve në kuadër të veprimtarisë së kundërligjshme.
Policia e Kosovës gjatë aksionit ka arrestuar një (1) person të dyshuar, i cili me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë.
Po ashtu, me autorizim të prokurorit të shtetit, njësitet përkatëse policore kanë sekuestruar dhe më pas asgjësuar 91 bimët narkotike, ndërsa provat e tjera të sekuestruara do të shërbejnë në procedurën penale.
Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të parashtrojë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurën penale.
Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, mbeten të përkushtuara në luftimin e kriminalitetit dhe në vënien para drejtësisë të të gjithë personave që kryejnë vepra penale.
Njëkohësisht, inkurajohen të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që, nëse posedojnë informacione për veprimtari të kundërligjshme, të bashkëpunojnë ngushtë me Prokurorin e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, në funksion të zbatimit të ligjit dhe garantimit të sigurisë publike./lajmi.net/