Procesi për bordet e KPM-së dhe RTK-së nën hijen e dyshimeve për ndërhyrje politike – Shoqëria civile kërkon ndaljen e votimit
Sot është një ditë e rëndësishme për mediat në Kosovës. Kjo pasi Kuvendi i Kosovës do të vendos për zgjedhjen e anëtarëve në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe zgjedhjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Procesi i intervistimit të kandidatëve për anëtar të këtyre bordeve është kritikuar nga shoqëria civile dhe mediat. Kjo pasi…
Lajme
Sot është një ditë e rëndësishme për mediat në Kosovës. Kjo pasi Kuvendi i Kosovës do të vendos për zgjedhjen e anëtarëve në Komisionin e Pavarur të Mediave dhe zgjedhjen e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Procesi i intervistimit të kandidatëve për anëtar të këtyre bordeve është kritikuar nga shoqëria civile dhe mediat.
Kjo pasi këtyre pozitave ia kanë mësyrë shumë përkrahës të pushtetit.
Shoqëria civile dhe AGK-ja e kanë kritikuar ashpër procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtar të KPM-së
“Ndër kandidatët e rekomanduar për seancë plenare, dy persona kanë histori problematike me KPM-në. Besnik Berisha është ish-kryetar i kundërligjshëm i KPM-së, i cili u zgjodh më 17 janar 2025, vetëm tre ditë para skadimit të mandatit të kryetarit aktual, Jeton Mehmeti, përmes ndryshimit të kundërligjshëm të rregullores. Sipas padive të Institutit për Drejtësi të Kosovës, Gjykata Supreme ka anuluar ndryshimin ligjor dhe më pas Gjykata Themelore e Prishtinës e ka shpallur të paligjshëm vendimin e KPM-së për zgjedhjen e tij në pozitën e kryetarit”, është thënë në në një reagim të shoqërisë civile dhe AGK-së.
Gjithashtu kanë shprehur shqetësime edhe për kandidaten tjetër, e cila hapur ka shprehur simpatin për VV-në.
“Po ashtu, Luljeta Aliu Krasniqi, ish-anëtare dhe mbështetëse e hapur e pushtetit para dhe gjatë mandatit të saj në KPM, ka mbrojtur për vite të tëra Lëvizjen Vetëvendosje në debate publike. Këtë qëndrim ajo e ka vazhduar edhe gjatë zhvillimeve kyçe në institucion, përfshirë dëgjimet publike në Kuvend, në të cilat kritikohej pa të drejtë nga politikanët e pushtetit ish-kolegu i saj nga KPM-ja, Jeton Mehmeti. Rrjedhimisht, konsiderojmë që rikthimi eventual i ish-kryetarit të kundërligjshëm Besnik Berisha dhe mbështetëses së pushtetit Luljeta Aliu Krasniqi e vendos KPM-në në rrezik të drejtpërdrejtë të presionit politik dhe krijon precedent që persona që kanë shkelur ligjin të favorizohen sërish politikisht”, është thënë në reagim.
Pavarësisht kritikave, Komisioni Ad Hoc ka rekomanduar këta kandidatë për seancë plenare: Drita Morina, Besnik Berisha, Majlinda Aliu, Petrit Hasanaj, Vjona Sylejmani Shabani, Luljeta Aliu Krasniqi, Vlora Berisha, Hysni Mustafa. Për pozitat nga komunitetet janë propozuar Fatih Basha, Suada Dzogovic, Serpin Emrusi Halce dhe Ajten Kodraci.
Gjithashtu, shoqëria civile dhe AGK-ja kanë kontestuar edhe procesin e intervistimit të kandidatëve për anëtar të bordit të RTK-së.
Sipas tyre, procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të RTK-së është i komprometuar.
“Ne, të poshtëshënuarit, pas monitorimit të procesit për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës vlerësojmë se ky proces është haptazi i komprometuar, i cili proces nuk plotëson standardet minimale përmes të cilit duhet të rekomandohen emrat e anëtarëve të Bordit të RTK-së. Mungesa e standardeve themelore të transparencës, barazisë dhe rregullsisë procedurale janë arsyet kryesore të kompromentimit të këtij procesi. Prandaj, rekomandojmë që kandidatët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc të mos procedohen për votim në seancë plenare”, është thënë në reagimin e tyre.
Megjithatë Komisioni Ad-Hoc ka rekomanduar këta kandidatë për seancë plenare: Valmire Thaqi, Flokart Aliu, Fatos Mustafa, Arbrore Riza, Gëzim Brahaj, Xheraldina Cernobregu, Njomza Beqiri, Anita Toqi, Lulzim Beqiri, Fatmir Podrimaj, Ilirjan Himaj dhe Avni Zuka. Për pozitat nga komuniteti serb janë rekomanduar Vidosav Kostović, Ivana Milić ndërsa nga komunitetet tjera jo shumicë janë rekomanduar Anesa Ćolakovič dhe Aldin Šabani.