Asgjësohen mbi 6000 maica që cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale
Dogana e Kosovës ka asgjësuar mbi 6 mijë maica që cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale, pasi u konstatua se produktet ishin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka nisur më 2 qershor 2026, kur në Terminalin Doganor në Mitrovicë një importues kishte para-deklaruar mall për zhdoganim pa e specifikuar…
Dogana e Kosovës ka asgjësuar mbi 6 mijë maica që cenonin të drejtat e pronësisë intelektuale, pasi u konstatua se produktet ishin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Sipas njoftimit të Doganës, rasti ka nisur më 2 qershor 2026, kur në Terminalin Doganor në Mitrovicë një importues kishte para-deklaruar mall për zhdoganim pa e specifikuar markën tregtare të produkteve.
Pas analizës së riskut, dërgesa u përzgjodh për kontroll të detajuar fizik dhe dokumentar. Gjatë ekzaminimit, zyrtarët doganorë identifikuan elemente që ngritën dyshime për shkelje të të drejtave të pronësisë intelektuale.
Më pas, Sektori për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës kontaktoi bartësin e së drejtës, i cili konfirmoi se mallrat e paraqitura për zhdoganim ishin produkte që cenonin të drejtat e mbrojtura të pronësisë intelektuale.
Në bazë të Ligjit për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale, Dogana ndaloi lirimin e mallit, inicioi procedurë kundërvajtëse ndaj importuesit dhe procedurën për asgjësimin e produkteve.
Më 8 korrik 2026, mbi 6 mijë maicat u asgjësuan nën mbikëqyrjen e Doganës së Kosovës, me qëllim që ato të mos qarkullojnë në tregun e vendit.
Dogana bëri të ditur se rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore për shkak të dyshimit për shkelje të dispozitave të Ligjit Nr. 06/L-015 për Masat Doganore për Mbrojtjen e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale dhe dispozitave të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Kosovës.
Institucioni ritheksoi se mbetet i përkushtuar në luftimin e tregtisë së mallrave të falsifikuara, mbrojtjen e konsumatorëve dhe bizneseve legjitime, si dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg, përmes kontrolleve të bazuara në analizën e riskut dhe bashkëpunimit me bartësit e të drejtave të pronësisë intelektuale.