Prishtina dhe Bashkimi, duan trofeun e Superkupës

Rahoveci të martën do të jenë qendra e basketbollit të Kosovës.

Sport

24/09/2019 12:28

Dy ndeshjet e Superkupës premtojnë spektakël për adhuruesit e basketbollit. Prishtina-Bashkimi ndeshen në konkurrencën e femrave nga ora 17:30, derisa nga ora 20:30 takohen Sigal Prishtina-Rahoveci. Këto dy përballje e hapin edicionin e ri në basketbollin e Kosovës, që pritet të jetë shumë interesant.

Superkupa organizohet nga Klubi i Basketbollit Rahoveci në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës.

Skuadrat janë në vlugun e përgatitjeve dhe premtojnë spektakël të basketbollit.

Njëra nga basketbollistet më të dalluara te Prishtina është Irma Konjusha. Ajo pret një lojë të mirë përballë vashave prizrenase. “Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e mirë. Do të jetë një ndeshje e bukur edhe për tifozët, derisa lojtaret do të japin maksimumin në fushë dhe në fund të fitoj skuadra që e meriton. Ne jemi duke u përgatitur dhe sigurisht që e duam trofeun e Superkupës”, ka thënë Konjusha për faqen zyrtare të FBK-së.

Edhe basketbollistja e Bashkimit, Arbnore Përquku beson se do të jetë një ndeshje e bukur për tifozët. “Ndeshja e parë është gjithmonë e vështirë. Ne jemi përforcuar me disa lojtare dhe do të shihet se sa do të komponohemi gjatë ndeshjes, por edhe Prishtina është përforcuar. Ndeshja e parë e edicionit nuk është asnjëherë e lehtë. Besoj se do të zhvillohet një takim i bukur edhe për tifozët, duke parë cilësinë e dy skuadrave, derisa më e mira në fund do të fitoj Superkupën”, theksoi Përquku për faqen e FBK-së.

Biletat kanë filluar në shitje dhe kushtojnë 3 euro për dy ndeshjet. /Lajmi.net/