Presidenca sqaron tenderin për avio-bileta: Kontrata trevjeçare parasheh vetëm udhëtime në klasën ekonomike
Zyra e Presidentes së Kosovës ka dalë me një sqarim publik pas raportimeve në media lidhur me tenderin për furnizimin me shërbime të avio-biletave, duke deklaruar se procedura e prokurimit është zhvilluar në pajtim me legjislacionin në fuqi. Sipas Presidencës, tenderi ishte paraparë në Planin Vjetor të Prokurimit dhe është publikuar në platformën e-prokurimi më…
Lajme
Zyra e Presidentes së Kosovës ka dalë me një sqarim publik pas raportimeve në media lidhur me tenderin për furnizimin me shërbime të avio-biletave, duke deklaruar se procedura e prokurimit është zhvilluar në pajtim me legjislacionin në fuqi.
Sipas Presidencës, tenderi ishte paraparë në Planin Vjetor të Prokurimit dhe është publikuar në platformën e-prokurimi më 27 gusht 2026, përmes procedurës së hapur, transmeton lajmi.net.
Nga ky institucion kanë theksuar se procesi është zhvilluar duke respektuar parimet e konkurrencës së lirë, transparencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë.
Kontrata e planifikuar ka një afat prej 36 muajsh, ndërsa si kriter për përzgjedhjen e operatorit ekonomik është përcaktuar çmimi më i ulët.
Presidenca ka sqaruar gjithashtu se shërbimet e përfshira në këtë kontratë nuk mbulojnë vetëm udhëtimet e Presidentes dhe kabinetit të saj, por edhe ato të ish-presidentëve dhe stafit të tyre mbështetës.
Në kuadër të kontratës përfshihen edhe udhëtimet e anëtarëve të Këshillit Konsultativ për Komunitete, administratës së Presidencës, trupave këshillues, komisioneve dhe ekspertëve që angazhohen për detyra zyrtare.
Një prej pikave që Presidenca e ka veçuar në sqarimin e saj është kategoria e biletave që do të mbulohen nga kjo kontratë.
Sipas institucionit, në funksion të kursimit të parasë publike, është vendosur që për të gjitha kategoritë e përfshira të sigurohen vetëm bileta të klasës ekonomike, pa përjashtim.
“Një nga përcaktimet kryesore të kësaj kontrate është racionalizimi i shpenzimeve publike. Për këtë arsye, pa asnjë përjashtim, janë paraparë dhe kontraktuar vetëm avio-bileta të kategorisë ekonomike për të gjitha kategoritë e përfshira në kontratë”, thuhet në reagimin e Presidencës.
Në fund, Zyra e Presidentes ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar ndaj transparencës dhe llogaridhënies, si dhe menaxhimit të përgjegjshëm të fondeve publike./lajmi.net/