Kosova dhe Portugalia drejt marrëveshjes ekonomike, diskutohet edhe linja e drejtpërdrejtë ajrore

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar dy takime të ndara me Sekretarin e Shtetit për Ekonominë e Portugalisë, João Rui Ferreira, dhe drejtuesen e Agjencisë Portugeze për Tregti dhe Investime, Ana Casaca, ku është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë. Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë…

Lajme

11/11/2026 18:36

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar dy takime të ndara me Sekretarin e Shtetit për Ekonominë e Portugalisë, João Rui Ferreira, dhe drejtuesen e Agjencisë Portugeze për Tregti dhe Investime, Ana Casaca, ku është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë.

Përmes një postimi në Facebook, Kusari-Lila ka bërë të ditur se takimet janë zhvilluar online për shkak të stuhisë në Lisbonë.

“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Portugalisë në proceset e integrimit evropian të Kosovës dhe diskutuam për zgjerimin e partneritetit në tregti, investime, zhvillim industrial dhe promovim të eksporteve”, ka shkruar ajo.

Sipas ministres, vëmendje e veçantë i është kushtuar bashkëpunimit ndërmjet agjencive të dy vendeve dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset.

“Diskutuam gjithashtu mundësinë e një marrëveshje bilaterale ekonomike, organizimin e një Forumi të Biznesit Kosovë–Portugali në Prishtinë si dhe krijimin e një linje të drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë, që do të lehtësonte lidhjet mes dy vendeve”, ka theksuar Kusari-Lila.

Ajo ka njoftuar se takimet do të vazhdojnë nesër gjatë punimeve të Web Summit, me synimin që partneriteti politik dhe diplomatik ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë të thellohet edhe në rrafshin ekonomik.