Reagon FSK-ja pas raportimeve për shpërthimin e municionit në Babaj të Bokës: Një pjesëtar u lëndua lehtë

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka reaguar pas raportimeve për një incident gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës, ku dyshohet se një municion 40 milimetërsh kishte shpërthyer brenda granatahedhësit MK-19. Përmes një komunikate, FSK-ja ka konfirmuar se rasti ka ndodhur më herët në njërin nga poligonet e saj, duke bërë të ditur se…

Lajme

11/11/2026 17:22

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka reaguar pas raportimeve për një incident gjatë ushtrimeve ushtarake në Babaj të Bokës, ku dyshohet se një municion 40 milimetërsh kishte shpërthyer brenda granatahedhësit MK-19.

Përmes një komunikate, FSK-ja ka konfirmuar se rasti ka ndodhur më herët në njërin nga poligonet e saj, duke bërë të ditur se një pjesëtar i saj ka pësuar lëndime të lehta gjatë trajnimit.

FSK-ja ka theksuar se gjatë trajnimeve me municione ekziston rrezikshmëri e lartë, por se paraprakisht ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e personelit.

“Po ashtu, në secilin aktivitet të FSK-së, konform procedurave standarde në fuqi, i bashkëngjiten ekipet mjekësore për evakuim mjekësor potencial. Të gjitha masat e sigurisë janë në linjë me standardet e sigurisë të FSK-së, njëjtë sikur ato të NATO-s”, thuhet në reagim.

Tutje, FSK-ja ka deklaruar se numri i aksidenteve mbetet i vogël në raport me nivelin e aktiviteteve që zhvillon, duke theksuar se mbetet e përkushtuar në rritjen e vazhdueshme të sigurisë dhe mbrojtjen e pjesëtarëve të saj.

Megjithatë, në reagimin e saj, FSK-ja nuk ka dhënë detaje lidhur me llojin e municionit të përdorur, shkakun e incidentit apo pretendimet për probleme të mëhershme me këtë municion. /Lajmi.net/