Senatorja amerikane i dërgon letër Shiroka-Pulës: Jeni forcë stabilizuese për Kosovën
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen i ka shprehur mbështetjen presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, si dhe perspektivës euroatlantike të vendit. Përmes një letre drejtuar presidentes, Shaheen, e cila është anëtare e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ka vlerësuar partneritetin me Kosovën dhe ka shprehur besimin se vendi do të ecë drejt një të…
Lajme
Senatorja amerikane Jeanne Shaheen i ka shprehur mbështetjen presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, si dhe perspektivës euroatlantike të vendit.
Përmes një letre drejtuar presidentes, Shaheen, e cila është anëtare e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ka vlerësuar partneritetin me Kosovën dhe ka shprehur besimin se vendi do të ecë drejt një të ardhmeje më të sigurt dhe më të zhvilluar.
Në letrën e saj, senatorja e ka falënderuar Shiroka-Pulën për mikpritjen gjatë vizitës së saj në Kosovë, si dhe për nderimin që i ishte bërë.
Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend, Shaheen ka shprehur shpresën se me presidenten Shiroka-Pula dhe Qeverinë e re, Kosova do të nisë një rrugë drejt prosperitetit dhe sigurisë më të madhe.
“Si përkrahëse e fuqishme e marrëdhënieve të SHBA-së me Kosovën dhe popullin e saj, si dhe e së ardhmes euroatlantike të Kosovës, unë do të vazhdoj të jap kontributin tim në mbështetje të Kosovës. Mbetet ende shumë punë për t’u bërë, por jam e bindur se ju do të jeni një forcë stabilizuese për Kosovën”, thuhet në letrën e senatores Shaheen.
Në fund të letrës, ajo ka falënderuar presidenten për partneritetin dhe mikpritjen e përzemërt, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen ndaj Kosovës edhe në të ardhmen. /Lajmi.net/