Presidenca planifikon të shpenzojë mbi 273 mijë euro për bileta avioni, tenderi mbulon 700 udhëtime për tre vjet

Zyra e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka ndarë mbi 273 mijë euro për sigurimin e biletave të avionit, për nevojat e institucionit gjatë tri viteve të ardhshme. Kontrata, e cila parasheh një periudhë 36-mujore, është dhënë më 9 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për një ditë më vonë. Sipas të dhënave…

Lajme

10/11/2026 14:05

Zyra e Presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka ndarë mbi 273 mijë euro për sigurimin e biletave të avionit, për nevojat e institucionit gjatë tri viteve të ardhshme.

Kontrata, e cila parasheh një periudhë 36-mujore, është dhënë më 9 nëntor 2026, ndërsa nënshkrimi i saj është planifikuar për një ditë më vonë.

Sipas të dhënave të publikuara në platformën e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), përmes këtij tenderi synohet të sigurohen gjithsej 700 bileta avioni për nevojat e Presidencës.

Fitues i tenderit është shpallur kompania “AS TRAVEL CLUB SH.P.K.”, ndërsa në garë kanë marrë pjesë dy operatorë ekonomikë.

Vlera e përgjithshme e kontratës është 273 mijë e 3 euro. Në dokumentacionin e prokurimit është paraparë një çmim referues prej 390 eurosh për biletë, ndërsa është përfshirë edhe tarifa e shërbimit, e njohur si “service charge”, në sasi prej 300 njësive.

Megjithatë, kjo shumë nuk nënkupton se secila biletë do të blihet me çmim prej 390 eurosh. Sipas dokumentacionit, bëhet fjalë për një vlerë orientuese për kalkulimin dhe vlerësimin e ofertave.

Çmimi përfundimtar do të përcaktohet gjatë realizimit të kontratës, varësisht nga çmimet në treg dhe rezervimet përmes sistemeve ndërkombëtare të biletave, si AMADEUS, GALILEO dhe SABRE.

Arsyetimin për këtë shpenzim, Zyra e Presidentes e ka mbështetur në nevojat e viteve të kaluara dhe planifikimin e udhëtimeve zyrtare për periudhën trevjeçare.

Sa u përket destinacioneve, sipas specifikimeve të tenderit, 60 për qind e udhëtimeve parashihet të realizohen në vende të Evropës, ndërsa 40 për qind në pjesë të tjera të botës.

Biletat do të jenë kryesisht të kategorisë ekonomike, me mundësi përjashtimi vetëm në raste të veçanta kur nuk mund të sigurohet kjo kategori.

Kontrata parasheh edhe obligime për operatorin ekonomik. Kompania duhet ta njoftojë Presidencën për ndryshimet e çmimeve, anulimet e fluturimeve, ndryshimet e orareve dhe çdo rrethanë tjetër që mund të ndikojë në udhëtim.

Po ashtu, operatori duhet të jetë në dispozicion edhe jashtë orarit të rregullt të punës, nga ora 08:00 deri në 16:00, veçanërisht në raste të anulimeve, grevave apo problemeve të tjera me fluturimet.

Ndër kërkesat e tjera është edhe informimi i institucionit, në momentin e blerjes së biletës, për afatin deri kur ajo mund të anulohet pa kosto shtesë. /Lajmi.net/