Prerja legale
Shpend Ahmeti mendon se infrastruktura e Prishtinës është shndërruar në një kaos urbanistik dhe rrezikon sigurinë e qytetarëve. Thotë se VV do të bëjë prerje të ndërtimeve pa leje.

Lajme
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shfrytëzuar disa garazha të ndërtuara pa leje për ta dhënë mesazhin e tij parazgjedhor për ndërtimet e tilla.
“Pushteti qendror me këto garazha ka treguar se mendon se ligji nuk vlen për ta, ndërsa pushteti lokal ka treguar se nuk guxon të ballafaqohet me ta”, ka thënë Ahmeti, duke u gjendur para garazhës së ndërtuar pranë selisë qendrore të PDK’së në Prishtinë.
“Në ditën që Lëvizja Vetëvendosje vjen në pushtet në Komunën e Prishtinës, atëherë ne së pari do të bëjmë prerjen. Kjo do të thotë se prej datës që marrim mandatin, do bëjmë incizimin e qytetit dhe nuk do të lejohet më asnjë fillim i ndërtimit pa leje”.
“Po ashtu, do të ndërpritet puna në të gjitha objektet të cilat janë duke u ndërtuar pa lejen urbanistike nga Komuna e Prishtinës”.
Sipas Ahmetit, ndërtimet pa leje duhet të kategorizohen sipas vendndodhjes, madhësisë dhe funksionit të çdo ndërtese të tillë në komunën e Prishtinës.
“Nuk është e njëjtë sikurse një shtëpi që është ndërtuar në fshat pa leje, dhe nuk e ka prishur karakterin e asaj lagjeje, me një shtëpi e cila është ndërtuar në qendër të qytetit”.
“Ne do të kërkojmë që, krahas me aplikacionin për legalizim, personi që aplikon t’i nënshtrohet një vlerësimi të komisionit që do të ketë në vete ndërtimtarë, gjeologë dhe gjitha aspektet profesionale për ta vlerësuar sigurinë e ndërtesave”.