Policia e Kosovës publikon video sensibilizuese kundër krimeve mjedisore
Policia e Kosovës ka publikuar një video sensibilizuese për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me krimet mjedisore dhe pasojat që ato kanë për shëndetin dhe natyrën. Sipas policisë, videoja është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore, me qëllim informimin e…
Lajme
Policia e Kosovës ka publikuar një video sensibilizuese për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve lidhur me krimet mjedisore dhe pasojat që ato kanë për shëndetin dhe natyrën.
Sipas policisë, videoja është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, përkatësisht Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore, me qëllim informimin e qytetarëve për format e ndryshme të këtyre veprave penale dhe rëndësinë e raportimit të tyre.
Në njoftim theksohet se krimet mjedisore përbëjnë një rrezik serioz jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e njerëzve dhe të ardhmen e gjeneratave të ardhshme.
“Si institucion i zbatimit të ligjit, Policia do të jetë e përkushtuar në ngritjen e nivelit të luftimit të këtyre veprave penale, në fuqizimin dhe rritjen e kapaciteteve ekzistuese, duke pasur parasysh se krimet mjedisore ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm në të tashmen, por edhe në të ardhmen e shëndetit tonë dhe të gjeneratave që vijnë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia gjithashtu apelon tek qytetarët që të kontribuojnë në mbrojtjen e natyrës duke raportuar çdo rast të dyshuar të ndotjes ose dëmtimit të mjedisit.
“Një mjedis më i pastër pasqyron një shoqëri të civilizuar që përkujdeset për veten dhe për gjithçka që e rrethon. Një natyrë e pastër do të thotë më pak sëmundje dhe më shumë mirëqenie për të gjithë. ‘Natyra mund të mbijetojë pa ne, kurse ne nuk mund të mbijetojmë pa natyrën’”, thuhet më tej në njoftim.