Pogba – Mourinho, një mision i pamundur në Man Utd
Paul Pogba dhe Jose Mourinho vazhdojnë me probleme te skuadra e Manchester United.
Sport
Nuk është periudha më e mirë tek Manchester United e kjo është e qartë, qoftë për rezultate apo për situatën në dhomat e zhveshjes.
Pas barazimit zhgënjyes kundër Wolverhamptonit në kampionat, skuadra e Mourinhos është eliminuar me penallti në Carabao Cup nga Derby County, i drejtuar nga Frank Lampard, me ndeshjen që u luajt në “Old Trafford”.
Ndërkohë, është nxehur akoma më shumë situata mes Mourinhos dhe mesfushorit Paul Pogba. Francezi ishte lënë në tribunë për këtë takim, me arsyetimin e teknikut portugez se duhej të pushonte, e në momentin e golit të dytë, të shënuar nga Marouane Fellaini, ai u largua nga vendi ku ishte ulur në stadium.
Mësohet gjithashtu se Mourinho i ka hequr kampionit të botës titullin e zëvendëskapitenit. Nuk kanë mjaftuar katër gola e dy asist në shtatë ndeshjet e para sezonale për Pogban. Ish-trajneri i Interit, Realit dhe Chelsea-t dëshiron të tregojë se tek United komandon ai, pavarësisht sqarimit se nuk ka asnjë problem me mesfushorin, e nuk duhet të japë shpjegime për vendime, të cilat i takojnë atij, transmeton “SS”.
Duket se verën e ardhshme njëri prej të dyve do të largohet, me Mourinhon që është në rrezik për shkak edhe të rezultateve të dobëta. Në rast qëndrimi të 55-vjeçarit, Mino Raiola do të vihet në lëvizje, pasi Pogba nuk ka harruar kohët tek Juventusi dhe marrëdhëniet e shkëlqyera me Massimilliano Allegrin. Për momentin, kjo është vetëm një hipotezë, por siç është parë gjithmonë, jetës nuk i dihet kurrë.